E Shtunë, 31 Tetor 2026

Institucionet publike e private, dhurim gjaku me grafik

Ministria e Shëndetësisë publikon projektin veror: njësia portative e transfuzionit, në çdo sektor

Institucionet shtetërore, private, organizatat jofitimprurëse, studentë apo nxënës, do të dhurojnë gjak në mënyrë periodike sipas një grafiku tashmë të përcaktuar qartë. Askush të mos habitet kur të shikojë njësinë e lëvizshme të transfuzionit të gjakut pranë vendit të punës. çdo dhurim gjaku do të thotë shpëtim jete.

Ky është projekti që ka menduar të publikojë në ditën e dhurimit të gjakut Ministria e Shëndetësisë. Nisur nga mungesat që krijohen gjatë këtij sezoni veror, është menduar që të dhurohet gjak nga institucione të ndryshme, kjo në mënyrë periodike, përcaktuar sipas një grafiku nga ekspertët e sektorit të promocionit në Ministrinë e Shëndetësisë. “Mungesa e gjakut do të thotë mungesa e një prej përbërësve jetikë në punën e përditshme të sistemit shëndetësor në vend, ndaj dhe dhurimi i gjakut në Shqipëri vazhdon të jetë dhe mbetet element strategjik i Ministrisë së Shëndetësisë”, deklaroi ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili. Në Ditën Botërore të Dhurimit Vullnetar të Gjakut, ministri u bëri thirrje të gjithë qytetarëve të dhurojnë gjak në ndihmë të personave në nevojë.

Pesha e dhuruesve vullnetarë është rritur në mënyrë të dukshme, gjë që përbën dhe rritje të dukshme të sigurisë së gjakut. Rritja e dhuruesve vullnetarë të gjakut, që ndodh në të gjithë Europën, kërkohet me insistim dhe nga Organizata Botërore e Shëndetësisë. Në vitin 2005, 80% e sasisë së gjakut sigurohej nga dhurues me pagesë, sot vetëm 20% e kësaj sasie sigurohet nga këta dhurues. Në vitin 2009 numëroheshin 22724 dhurime të gjakut, kundrejt 14 mijë që ishin në 2005.

“Kjo situatë na bën të jemi insistues në të ardhmen e afërt për këtë problem, duke pasur si objektiv të pandryshuar sigurimin thuajse 100% të sasisë së gjakut nga dhurues vullnetarë.

Në këtë mënyrë, Shqipëria përqafon një qëndrim strategjik të njëjtë me Europën, më të qytetëruar, dhe u shton elementë sigurie qytetarëve të vet”, sqaroi kreu i shëndetësisë.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›