Riciklim materialesh, nis projekti në tre qytete
Shoqata shqiptare e shërbimeve sociale, “Zeitgeist”, ka nisur fushatën në ndihmë të komunitetit rom në qytetin e Durrësit, Tiranës dhe Fierit. Ky projekt ka në qëllim të tij edhe kujdesen për mbajtjen pastër të ambienteve në kryeqytet. Iniciativa është vënë në zbatim dhe bazohet jo vetëm në mbajtjen pastër të qytetit, por mbi të gjitha në një skemë sociale, e cila mundësohet nga procesi i riciklimit të materialeve të ngurta si qelqi, kanoçe alumini, letër, karton, të cilat realizohen nga pjesëtarë të komunitetit rom. Ambientet ku bëhet mbledhja e tyre janë baret, restorantet, si edhe tregjet industriale, të cilat pasi i grumbullojnë, edhe mund t’i shesin në pikat e grumbullimit, por edhe në fabrikat e prodhimit të qelqit, letrës dhe të kanoçeve të aluminit. Faza e parë e projektit konsistonte në organizimin komunitar dhe trajnimin e 150 ricikluesve romë në Tiranë mbi tema specifike si komunikimi me qytetarët, higjiena gjatë procesit të riciklimit dhe kujdesi shëndetësor. Me përfundimin e kësaj faze, ricikluesit lidhnin kontrata shërbimi me bare, restorante, kryesisht në zonën e Bllokut dhe në orare të caktuara merrnin mbetjet e riciklueshme. Duke punuar në mënyrë të organizuar, është arritur që vetëm gjatë vitit 2009 ricikluesit e Tiranës të mbledhin 3500 shishe vere dhe birre, 5 tonë letër dhe 10 tonë kanoçe alumini. Gjenerimi i të ardhurave ka bërë që familjet rome t’i largojnë fëmijët nga procesi i riciklimit, duke i kthyer ata në shkolla dhe kopshte. Projekte të tilla sociale të cilat zbatohen në biznes social, përbëjnë risi, por u vijnë në ndihmë shtresave në nevojë.
#