E Shtunë, 31 Tetor 2026

Juris Gines ALB

Kur para ca ditëve ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili u bëri benë mjekëve të paaftë, mu kujtua se edhe i nderuari President i Republikës me cilësinë e Kryetarit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë sikur edhe zëvendësi i tij, kanë tërhequr vëmendjen disa herë në këtë drejtim për magjistratët duke forcuar kërkesën e llogarisë ndaj tyre, e padyshim duke mbajtur shënime sikurse po i lexojmë tani edhe me lëvizjen e madhe qarkulluese në gjykatat. Mirëpo, këto masa vërtetë ndikojnë për mirë, por më duken si punë aspirine që qetëson dhimbje e ul temperaturën, por nuk shëron. Nuk po shohim masa komplekse për ta parandaluar këtë të keqe, duke filluar nga fakultetet juridike që na janë bërë si kërpudhat pas shiut tek vënë në jetë ligjet e dialektikës se sasia sjell cilësi… veç deri në arritjen e saj e paguajmë mirë. Më e fundit, ajo e provimit të shtetit për ligjërimin e diplomës më duket qesharake, sepse paraja çan malet dhe përgjithësisht komisionet e çdo lloji, duke filluar nga ato hetimore parlamentare tek të patentave, kanë dhënë të parat një hiç parlamentar, ndërsa të dytat, hiç njerëzor, viktimat e panumërta në këto vitet e fundit.

Puna është të na dalin diplomantë të aftë, e sidomos diplomantë që ata vetë dhe shteti të mos harrojnë maksimën e Çehovit se, mjeku që gjithë jetën vazhdon të mjekojë me leksionet e universitetit, nga humanist kthehet në antinjerëzor. E them këtë, se mesa shoh përqendrimi tek lufta kundër korrupsionit në Drejtësi, e drejtë dhe e domosdoshme, ka lënë në harresë po aq të rrezikshmin, paaftësinë profesionale të shumë e shumë gjyqtarëve e prokurorëve.
Është e turpshme që ndërsa nuk mbet gazetë e revistë pa dalë, deri edhe tek “Posta Shqiptare” e në nder të të drejtave të njeriut do kemi ndoshta edhe gazetë pederastësh, nuk kemi revistë juridike të Pushtetit Gjyqësor, të Prokurorisë a të Ministrisë së Drejtësisë, veç në paçim buletine bajate ose ndonjë botim në çdo tre vjet. Botimet juridike janë në dorë të universiteteve private ose edhe publike, por që janë “autonome”. Vërtetë kemi revistë juridike të Magjistraturës e të Fakultetit të Drejtësisë në UT, por ato dalin një herë në vit a në 6 muaj.

Ndarja e keqkuptuar e pushteteve ka krijuar hendeqe mes institucioneve të Drejtësisë, deri në një shkëputje të plotë në fushën e aftësimit profesional, shkëmbimit të mendimit juridik e të debatit shkencor për problemet që ngre praktika, pa folur pastaj për bashkëpunim shkencor e metodik në fusha të caktuara.
Ndërsa po bëjmë namin për “internetizimin “ e gjithë institucioneve arsimore, Europa ka paguar dhe pothuaj në të gjitha gjykatat janë krijuar mundësitë teknike, por me ndonjë përjashtim pothuaj nuk funksionojnë, sepse fondet përkatëse i kalojnë për karburantin e makinës së kryetarëve. Detyrimi ligjor për dhënien falas të literaturës juridike magjistratëve, ka degjeneruar me dhënien e Fletores Zyrtare, e cila jo vetëm nuk është literaturë juridike, por edhe e panevojshme, kur mund të paguhet shumë më lirë interneti.

Ç’është e vërteta po e ekzagjeroj, sepse nuk është kudo kështu. Në Prokurorinë e Përgjithshme preokupacioni në drejtim të aftësimit profesional, të studimit e kërkimit shkencor ka hapur perspektiva të niveleve europiane, duke zëvendësuar specialistët “prodhim i vendit, paçka se me eksperiencë shumë vjeçare, me 2 të rinj, me specializime pasuniversitare, njëri në Francë e tjetri në Itali, juristë të mirë por me defektin se nuk kanë punuar kurrë në gjykatë e prokurori. Prapë po e ekzagjeroj, sepse “francezi” ka qenë nja 5 sekonda ndihmës gjyqtar më duket. Kryesorja është të vijë era Europë, që kur të vijnë delegacione a kur të venë në mbledhjera Europës të llafosen alla frënga, paçka se ‘francezi’ ka mbaruar për plehra. Jo plehra të ligjit, por plehra natyrore, duke hapur perspektiva konkrete për politikat e mjedisit në Shqipëri e duke nxjerrë jashtë loje atë goxha ministri, titullarin e të cilës nuk e nxori dot jashtë loje me pushtetin e ligjit. Ndërkohë, tjetri ka mbaruar për të drejtën detare, duke hapur perspektiva madhështore për luftën ndaj gomoneve e duke nxjerrë jashtë loje në këtë drejtim ministrinë përkatëse, titullarin e së cilës gjithashtu nuk e nxori dot jashtë loje me pushtetin e ligjit. Një hakmarrje pa cak e bam, jo si një herë e një kohë, por fine, alla frënga.
…
Për të njohur nivelin profesional të shumë e shumë magjistratëve, mjafton t’u hedhësh një sy statistikave zyrtare:
Për vitin 2008, Gjykatave të rretheve gjyqësorë nga çështjet e shqyrtuara në Apele u janë në lënë në fuqi vetëm 70 % e vendimeve dhe 30 % janë cenuar.
Prokurorisë, për 8833 të akuzuar të saj janë deklaruar të pafajshëm, ose është pushuar çështja për 1231 prej tyre ose për 14 % e tyre Ndërkohë që për këta 1231 pafajësira e pushime çështjesh ka reaguar me Apelim vetëm për 871 raste në rreth 70 % të totalit, duke pranuar sikur të gjitha apelimet janë bërë vetëm për këto kategori çështjesh.

E njëjta situatë ka qenë edhe më 2007: Gjykatave të rretheve gjyqësore, nga 2334 çështje të shqyrtuara në Apele u janë lënë në fuqi vetëm 1682 - afro 70 % dhe 1682 vendime janë cenuar , 30% . Ka edhe rekorde: Lezhës, cenuar 48 % , Librazhdit e Pukës, cenuar 50%, Gramshit cenuar 58 %, Skraparit cenuar 60 etj. Në doni, u jap gjithë 10-vjeçarin e fundit, por mjafton të jap vitin 2003 për t’u bindur se është pothuaj e njëjta histori. Më 2003, Apelet nga 1972 shqyrtime penale kanë cenuar 638 vendime, cenimet janë po aq … 32 % .
Këto përqindje nuk flasim për firo në patate e qepë, ndonëse edhe në to do të ishte katastrofike për ekonominë përkatëse. Flasim për përqindje në fatin e njerëzve të akuzuar pa vend ose me shkelje të ligjit, për të cilat ata dhe familjaret e tyre kanë hequr privacione shpirtërore dhe ekonomike, flasim për kriminelë që i shmangen Drejtësisë, ndër të tjera edhe për paaftësinë profesionale të prokurorëve e magjistratëve tanë, flasim për të arrestuar që me muaj e vite dergjen birucave për shkak të proceseve të zvarritura ose të përsëritura, pa harruar koston për shpenzimet e zakonshme hetimore e gjyqësore që rëndon në masën 30 % zërin përkatës të buxhetit, përveç mbishpenzimeve për burgim të padrejtë.
…
Këto statistika janë të denja për ‘Gines’, duke konkurruar me minus përpara edhe të shquarin Saimir Strati, me pikturat e tij.
Por, Drejtësia jonë nuk ka pretendime për ‘Gines’ vetëm me statistika, ndaj nga shumë mijëra praktika që kam në kompjuter, përzgjodha si argument disa syresh:
Janë proverbiale dy raste të para viteve ‘90. Rekordi është rasti i Krujës me shënimin në fund të vendimit: “rezerva e shumicës”: Ne shumica jemi kundër! Gjyqtari ishte një përzierje e papërsëritshme e imponimit të mendimit në diktaturën e proletariatit me një ndër parimet themelore të demokracisë perëndimore: “Transparencën” .
Në rastin e dytë, dy persona vendosin të përdhunojnë një femër që banonte vetëm në rrethinat e qytetit. Shpërthejnë derën e fyejnë, e rrahin dhe hidhen ta përdhunojnë. Femra lutet, kërkon ndihmë e kur e pa se nuk kish shpëtim, rrëmben karrigen e ia heq njërit në kokë, ndërkohë kalimtarë të rastit e shpëtojnë. Gjykata e Durrësit deklaron fajtorë dy sulmuesit për disa vepra penale dhe i dënon, e njëkohësisht deklaron fajtore dhe dënon edhe gruan shprehimisht, “për plagosje të lehtë dashje në kushtet e mbrojtjes së nevojshme”.
Por, edhe pas vitit ‘9O nuk jemi pa gjë.
Gjykata e Lartë në viti 1992 e konsideron të drejtë kërkesën e Prokurorit të Përgjithshëm se një dënim me konfiskim pasurie ishte i kundërligjshëm, por e lë në fuqi vendimin meqenëse “Prokuroria ka vërtetuar vetëm një pjesë e jo të gjithë sasinë e konfiskuar”.
Gjykata e Tiranës, më 2004 pranon kërkesën për rivendosje në afat të ankimit ndaj një vendimi të dhënë në prani të kërkuesit, duke konkluduar se kalimi i afatit është për shkaqe të arsyeshme, distancës së largët, sepse “nuk është me banim në Tiranë, por në Burrel”.

Për të kuptuar madhështinë e një vendimi më 2005, kujtojmë se kur gjykata është e detyruar ligjërisht të zgjidhë një martesë, njihet një klauzolë e posaçme dhe e vetme, sipas së cilës kur në këto raste gjykata mendon se mund të pajtohen më pas, ndonëse vendos zgjidhjen, e pezullon shpalljen 1 vit, në përfundim të të cilit kur pajtohen e anulon vendimin, në të kundërtën shpall zgjidhjen e martesës. Në një rast, Gjykata e Tiranës zgjidh martesën e duke mos pasur shpresë pajtimi e shpall vendimin. Burri ankohet dhe në Apel, ai dhe gruaja pranojnë se janë pajtuar dhe bashkëjetojnë. Gjykata e Apelit vendos të prishë vendimin për zgjidhjen e martesës, por pezullon 1 vit shpalljen e vendimit të saj …ndoshta me frikë mos ndahen prapë.
Gjykata e Skraparit, më 2005 pranon padinë për pjesëtim të pasurisë bashkëshortore me … 5 të paditur. Vendimi është lënë në fuqi nga Apeli i Vlorës.
Gjykata e Fierit, më 2005 pranon padinë për njohje atësie. Ati i njohur ankohet se në kohën e zënies së fëmijës nuk ka qenë në Shqipëri, pretendim që vlerësohet seriozisht nga Gjykata e Apelit të Vlorës, duke bërë verifikime në listat kufitare, nga ku del se në kohën e zënies ai ka hyrje e dalje në Shqipëri, për pasojë nuk pranohet ankimi. Të dy gjykatat çimentojnë konkluzionet, duke argumentuar në të dy vendimet se atësia duhet njohur, por edhe faktin se palët kanë 10 vjet martesë me celebrim civil e kishtar.

Gjykata e Lezhës, më 2006 ka vënë në jetë maksimën, “ku grinden dy e ha i treti” në një gjykim për konflikt pronësie me një paditës e një të paditur, palë private, duke vendosur anulimin e vendimit të Komisionit të Pronave për t’i hapur rrugë zgjidhjes së konfliktit me dy palëve.
Prokuroria e Tiranës, më 2007 konstaton në hetim se i arrestuari është i papërgjegjshëm dhe e dërgon çështjen në gjykatë për masë mjekësore. Gjykata e deklaron fajtor të arrestuarin për veprën dhe urdhëron të paguajë shpenzimet hetimore e gjyqësore, ndërkohë që e deklaron të papërgjegjshëm me mjekim të detyruar. Prokuroria, jo vetëm nuk apelon vendimin, por urdhëron me shkresë burgun t’i marrë lekët të papërgjegjshmit.
Gjykata e Shkodrës, më 2007 pyet në seancë dëshmitarin okular në prani të të pandehurit të arrestuar. Pas 5 ditëve gjykim, gjykata kujton e tronditur gafën e prokurorisë, e cila nuk kish bërë procesin e njohjes së të pandehurit me okularin dhe për të vendosur rregullin, procedon gjyqësisht për njohjen … në seancë.
Prokuroria e Përgjithshme Tiranë, në vitin 2008, e vendosur të hetojë alla Sherlok Holms ngjarjen e Gërdecit, arreston në mars një nga të dyshuarit kryesorë dhe konsekuente në taktikën hetimore i bën kontrollin e banesës… pas tre muajve

Në Lezhë, më 2008 gjykata konkludon se ankuesja ka vetëm dëmtime të kategorisë së rrahjeve, e meqenëse ajo refuzon gjykimin për këtë akuzë, pushon çështjen. Gjykata e mbështet vendimin në akt-ekspertizën mjekoligjore, në të cilën pas konkluzionit është bërë shënimi nga eksperti: “Personi i ekspertuar nuk dihet kush është”

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›