Strategjia për drejtësinë, vetëm nëpërmjet bashkëpunimit ndërinstitucional
Me zbatimin e reformave të qeverisë, Shqipëria tashmë është futur në një proces vital për të ardhmen. Në këtë proces, sikurse theksohet dhe në raport progresin e fundit të Komisionit Evropian, përmirësimi i sistemit të drejtësisë është një nga kërkesat kryesore që kërkohet të realizohet për përshpejtimin e procesit të integrimit në BE. Dhe ky proces deri në anëtarësimin e plotë të tij kërkon angazhime legjislative, strukturore, administrative dhe menaxheriale.
Qeveria shqiptare është e vendosur në vendosjen e shtetit të së drejtës dhe zbatimin e ligjit në sfidat e fazës së zhvillimit që atë e presin. Në këtë proces, sistemi i drejtësisë përbën një rëndësi strategjike për konsolidimin e sistemit demokratik në Shqipëri. Reformat në sistemin e drejtësisë që lidhen me zhvillimin e një sistemi gjyqësor të pavarur, të paanshëm, efikas, profesional, transparent dhe modern, duhet të krijojnë standardet e zhvillimit të një shteti ligjor, duke kontribuar në këtë mënyrë në rritjen e besimit të njerëzve tek institucionet e tyre dhe në konsolidimin e demokracisë dhe shtetit të së drejtës në vend.
Në dinamikën e zhvillimeve aktuale të saj, hartimi dhe zbatimi i një strategjie të reformës në sistemin e drejtësisë është një prioritet kryesor. Kjo strategji e cila duhet t’u përgjigjet zhvillimeve aktuale, duhet të jetë shumëdimensionale për të shërbyer si bazë për realizimin e reformave në këtë fushë. Kjo do të bëjë që të kemi një analizë të mirë të mungesave dhe nevojave në sistem, duke mundësuar kështu plotësimin e platformës legale të sistemit të drejtësisë për ta bërë këtë sistem plotësisht të funksionueshëm dhe të karakterizuar nga pavarësia, transparenca dhe efiçenca në funksion të të drejtave të individit, për të siguruar zhvillimin e mëtejshëm të Shqipërisë.
Edhe pse Ministria e Drejtësisë do të marrë rolin dhe përgjegjësinë kryesore në procesin e realizimit të kësaj strategjie, një strategji e qëndrueshme për sfidat që po kalojmë dhe ato që na presin do të mund të realizohej vetëm nëpërmjet një bashkëpunimi ndërinstitucional dhe pjesëmarrje aktive të organizatave dhe institucioneve partnere në këtë fushë. Në proces të ndërtimit të këtyre marrëdhënieve, duke respektuar procedurat dhe strukturat institucionale, duhet të shfrytëzohen të gjitha mundësitë dhe zhvillohen metoda të përshtatshme dhe efektive për fuqizimin e partneritetit, çka mbetet thelbësore për arritje më të suksesshme në sistemin e drejtësisë.
Të drejtat e pronësisë, reforma në lidhje me administrimin e pasurive të paluajtshme është një nga boshtet kryesore të zhvillimit të sistemit të drejtësisë e cila merr një rëndësi të veçantë për sigurimin e të drejtës legale të individit dhe duke luajtur rol në zhvillimin e Shqipërisë nëpërmjet rritjes së stabilitetit politik e zhvillimin ekonomik.
Efiçenca në sistemin e drejtësisë kërkon në mënyrë të pashmangshme fokusin tonë për sigurimin e një infrastrukture adekuate dhe kjo me një vëmendje më të veçantë për strukturat e sistemit gjyqësor. Këto përmirësime, që duhet të përfshijnë zgjerim hapësinor, përmirësim të godinave, të logjistikës si dhe krijimin e arshivave elektronike, duke përfshirë këtu dhe regjistrimin audio-vizual të seancave gjyqësore, do ta bëjnë sistemin tonë të drejtësisë që të funksionojë e të ofrojë një shërbim cilësor në funksion të individit, duke i krijuar mundësi të përshtatshme për të kërkuar drejtësi në lidhje me zgjidhjen e çështjeve ligjore.
Zbatimi i shpejtë dhe i plotë i informatizimit dhe administrimit cilësor të sistemeve të integruara të menaxhimit të informacionit do të përmirësojë dhe sigurojë transparencë dhe rritje të përgjegjshmërisë për të gjitha llojet e shërbimeve të ofruara. Është detyrë esenciale jona mundësimi i informacionit për publikun për të gjitha aspektet e shërbimeve të sistemit të drejtësisë. Kjo do të rriste besimin e publikut për shërbimet e ofruara nga ky sistem.
Arritjet tona aktuale dhe synimet për të ardhmen duhet të konvergojnë fuqishëm me analizën e raport-progresit të fundit të Komisionit Evropian. Ato duhet të ndjekin rigorozisht plan-veprimet e hartuara apo që do të hartohen, në mënyrë që të sigurojmë që objektivat tona të përkthehen në realitet operacional dhe rezultate të “standardeve” të kërkuara. Projektet që tashmë janë në proces si dhe ato që do të ndërmerren më tej nëpërmjet asistencës së siguruar nga shtetet anëtare të Bashkimit Evropian, do të lehtësojnë përmbushjen e kërkesave të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit në reformat që do të ndërmarrim në drejtësi.
Duke shprehur mirënjohjen për të gjithë pjesëmarrësit e në veçanti për asistencën e vendeve të Bashkimit Evropian në rrugën e zhvillimit të kapaciteteve të Ministrisë së Drejtësisë, do të ritheksoj dhe siguroj edhe një herë të gjithë partnerët se qeveria shqiptare është e vendosur në vendosjen e shtetit të së drejtës dhe zbatimin e ligjit në sfidat e fazës së zhvillimit që atë e presin, duke synuar kështu përshpejtimin e përmbushjeve të standardeve dhe angazhimeve në kontekstin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit.
*Fjala e ministrit të Drejtësisë mbajtur dje në konferencën “Sistemi shqiptar i drejtësisë drejt standardeve evropiane”