E Shtunë, 31 Tetor 2026

Juristët: Ankimi i PS është nul - PS ka kontestuar rezultatin jo procesin

27-06-2011 / Gazeta 55

PS e bën rrugë Kolegjin, tjetër ankimim për rezultatin e Tiranës

Partia Socialiste ka humbur çdo mundësi procedurale dhe ligjore për të kërkuar pavlefshmërinë e procesit zgjedhor në bashkinë e Tiranës, që kur zgjodhi të ankimojë në Kolegjin Zgjedhor të Apelit, rezultatin që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve shpalli në 23 maj, duke mos pretenduar kështu pavlefshmëri të procesit. Të këtij mendimi janë juristët të cilët shprehen se nëse PS do bëjë një ankimim të tillë, atëherë çështja nuk është gjë tjetër veçse një nul, porsa kohë PS pranoi në kërkesën e mëhershme vlefshmërinë e procesit, por kontestoi rezultatin që shpalli KQZ.
Burime nga selia rozë bëjnë të ditur se juristët e kësaj force politike kanë nisur përgatitjet për atë që sipas tyre, mund të quhet beteja e fundit ligjore për bashkinë e Tiranës. Por, po i njëjti burim saktëson se përfaqësuesit juridikë janë të paqartë në objektin e kërkesës së tyre, të cilën mendohet se do ta depozitojnë në Kolegj. Kjo paqartësi dhe tendencë injorance vjen nga fakti se Partia Socialiste s’ka asnjë mundësi procedurale dhe ligjore për t’iu “ngjitur” çështjes së bashkisë së Tiranës, edhe pse kjo e fundit duket tashmë si një betejë plotësisht e humbur.
Sikurse dhe është bërë e ditur gjatë kohës që KQZ numëronte votat e hedhura në kutitë e gabuar, sipas vendimit që kishte marrë Kolegji Zgjedhor i Apelit, përfaqësuesit e Partisë Socialiste ngritën pretendime të njëpasnjëshme herë për sigurinë e kutive, duke pretenduar për cenim të integritetit të kutive të votimit që u hapën nga KQZ. Nëse PS do kërkojë pavlefshmëri të zgjedhjeve dhe përsëritje të tyre argumentin e saj duhet ta mbështesë në fakte dhe prova të besueshme. PS-ja thotë se në votimet për Tiranën ka 870 fletë më shumë se sa votues, por kreu i KQZ-së Arben Ristani ka deklaruar se mos rakordimi i shifrave ka ardhur si pasojë e gabimit njerëzor.
Mbi bazën ligjore Partia Socialiste ka afat tre ditë për të ankimuar vendimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në Kolegjin zgjedhor. Pas dorëzimit të ankimimit, Kolegji ka dhjetë ditë afat për të marrë vendimin për padinë.
Megjithatë, vlen të theksohet se Kolegji Zgjedhor i Apelit legjitimoi si të vlefshëm procesin e numërimit të 117 kutive me votat e hedhura gabim, duke i kërkuar KQZ-së ta vazhdonte këtë procedurë me të gjitha kutitë e 368 qendrave të votimit të Tiranës. Proces ky që përfundoi jo më larg se e enjtja e javës së kaluar, duke konkluduar përmes një transparence të pashembullt numërimin e çdo vote të hedhur në kutinë e gabuar. Ky proces shpalli kandidatin e Partisë Demokratike dhe “Aleancës për Qytetarin”, Lulzim Basha, fitues të garës për Tiranën. 

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›