E Shtunë, 31 Tetor 2026

Profili i kryetarit të bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha

27-06-2011 / Gazeta 55

Lulzim Basha lindi më 12 qershor 1974 në Tiranë, ndërsa sot është i përfshirë në garën për të udhëhequr kryeqytetin si qytetari i parë i saj. Përmbledhtas në Enciklopedinë në internet ‘Wikipedia’, Lulzim Basha prezantohet si jurist dhe politikan shqiptar, ministër i suksesshëm i këtij vendi për shkak të ndërtimit të rrugës së kombit Durrës-Kukës, dhe aktivitetit të tij në diplomacinë shqiptare me produkte konkrete: Shqipëria anëtare e NATO-s, shqiptarët udhëtim pa viza në Bashkimin Europian.
Basha kreu studimet në Universitetin e Utrehtit në Holandë, duke u specializuar në të Drejtën Europiane dhe Ndërkombëtare. Karriera e tij profesionale nisi në Maj të 1998-ës, ndërsa deri në 1999-ën ishte pjesë e skuadrës së hetimit të krimeve të luftës nga forcat serbe në Kosove: Tribunali Ndërkombëtar për Krimet e Luftës në ish-Jugosllavi. Në vitet 2000- 2001 u emërua Këshilltar Ligjor në Departamentin e Drejtësisë të UNMIK. Deri në 2002, Basha ishte Zëvendësshef i Kabinetit të Drejtorit të Departamentit të Drejtësisë UNMIK. Dhe nga nëntori i këtij viti deri në 2005-ën ai ishte Këshilltar Special për Tranzicionin, përgjegjës për përgatitjen e ministrisë së ardhshme të Drejtësisë në Kosovë.
Karriera politike e Lulzim Bashës në Shqipëri nis në vitin 2005. Ai iu bashkua Partisë Demokratike të udhëhequr nga kryeministri Sali Berisha në janar të 2005-ës, dhe brenda pranverës së këtij viti u përfshi në strukturat drejtuese të Partisë Demokratike me zgjedhjen anëtar i Këshillit Kombëtar dhe Kryesisë.
Afrimi i Bashës me selinë blu u bë në kuadër të krijimit të Komitetit të Orientimit të Politikave, një ekip ekspertesh i thirrur nga demokratët 8 vjet në opozitë, ekip që përcaktoi fitoren e PD-së më 3 korrik 2005, nën sloganët “Koha për ndryshim” dhe “Me duar të pastra” .
Lulzim Basha u bë koordinatori i KOP-it, komisionet e të cilit shpallën 17 projekt- platforma qeverisëse për Partinë Demokratike. Basha ishte dhe zëdhënës i fushatës elektorale, për t’u përfshirë pas zgjedhjeve të 3 korrikut në radhët e 140 deputetëve në Kuvendin shqiptar, në legjislaturën e tij të XVII-të. Në shtator të atij viti Lulzim Basha mori besimin e kryeministrit të ri të vendit, Sali Berisha për drejtimin e Ministrisë së Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit.
Ai konkretizoi në mënyrë optimale, pavarësisht akuzave, premtimin kryesor të demokratëve për infrastrukturën e vendit, atë që sot quhet rruga e Kombit, kryevepra e infrastrukturore e vendit me tunelin e Kalimashit rreth 6 kilometra të gjatë.
Në maj të 2007-ës, Basha mori postin e ministrit te Jashtëm. Vetëm pas pak ditësh ai u takua me Sekretaren Amerikane të Shtetit Kondoleza Rajs, një takim që i pararendi vizitës historike të presidentit amerikan Xhorxh Bush në Tiranë, i cili dha dy mesazhet e rëndësishme për shqiptarët, pavarësinë e Kosovës, dhe anëtarësimin e Shqipërisë në NATO.
Në krye të ministrisë së Jashtme Basha qëndroi deri në 2009-ën, kur dhe u mbajtën zgjedhjet e përgjithshme parlamentare, që mbajtën PD-në në pushtet dhe Bashën deputet të Kuvendit të Shqipërisë, i zgjedhur kësaj herë në qarkun e Elbasanit.
Në shtator të 2009-ës, Lulzim Basha, në kabinetin Berisha 2 mori drejtimin e Ministrisë së Brendshme, ndërsa vijoi punën e nisur si shef diplomacie për përmbushjen e kushteve të udhërrëfyesit për liberalizimin e vizave, ngushtësisht i lidhur me Ministrinë e Brendshme, pune e mbyllur suksesshëm, teksa më 15 dhjetor të 2010-ës qytetarët e preken vete realitetin, duke lëvizur me një pasaportë biometrike në vendet e hapësirës “Schengen”, larg radhëve të ambasadave.
Por përgjatë gjithë vitit, të gjithë kishin filluar të shinin tek Lulzim Basha, rivalin e vetëm të Edi Ramës për Bashkinë e Tiranës në zgjedhjet lokale që presidenti Topi i dekretoi më 8 maj të 2011. Ndonëse zyrtarizimi vonoi deri në afatet që ligji përcakton, disa herë kryeministri Berisha, e konfirmoi atë përmes batutave, madje fakt i kryer ishte bërë dhe për ambasadorët në Tirane, teksa Bashën e komentonin pa druajtje si garues për Tiranën.
Pritshmëria e të gjithëve u zyrtarizua pas dorëheqjes nga posti i ministrit të Brendshëm dhe si deputet i Kuvendit të Shqipërisë, duke u përqendruar në një fushatë qytetare, me një bosht kryesor, se për të dhe koalicionin qeverisës qytetarët janë të parët, e në rastin e Bashës, Tirana është e para.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›