E Diel, 1 Nëntor 2026

“PS-ja nuk ka asnjë provë për të kërkuar pavlefshmëri të zgjedhjeve në Tiranë”

27-06-2011 / Gazeta 55

Flet kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Arben Ristani

Kryetari i KQZ-së, Arben Ristani, deklaron se PS nuk ka prova për të kërkuar pavlefshmëri të procesit në Tiranës. Sipas Ristanit, pretendimi për mos rakordancën e shifrave nuk është i shoqëruar me asnjë pretendim për manipulim të procesit, çka mund të çonte në pavlefshmëri. Ai shpjegoi mos rakordancën e shifrave, që sipas tij janë vetëm gabime njerëzore në shkrimin e tabelave të grupeve të numërimit. “Kjo mosrakordancë ka qenë, pavarësisht ndërhyrjes së KQZ për votat e hedhura gabim. Kjo vjen për dy arsye, si rezultat i gabimeve njerëzore ose si manipulim. Për të kërkuar pavlefshmërinë, duhet të tregojnë se ka pasur shkelje të ligjit që ndikon në rezultat. Gabimi njerëzor nuk është shkelje e ligjit, por diçka që korrigjohet. Nëse pretendohet për manipulim, duhet ta shoqërosh me provat që ke dhe, nëse vërtetohet manipulimi e shkelja e ligjit, gjë që ndikon në rezultat, atëherë mund të pretendosh për pavlefshmëri. Por, kjo mosrakordancë në tabelë nuk shkon dot në pavlefshmëri. Duhet të kesh provat që të tregosh se ka pasur manipulim”, tha Ristani dje për “Abc News”.
Ai më tej foli edhe për këto shifra të cilat nuk rakordojnë me votat e gjetura në kuti.
Sipas Ristanit, janë 870 vota më shumë se votues por, për shembull, në një tabelë nuk është shënuar numri i votuesve që është 503, ç’ka ul menjëherë këtë shifër në 367 vota. Këto të tjerat, sipas tij, janë gabime të shënuara nga grupet e numërimit në tabela, të cilat nuk janë shkelje të ligjit.
“Këtu ka një sqarim në radhë të parë lidhur me pretendimin e Partisë Socialiste. Sqarimi është ky: 870 vota nuk koordinojnë në tabelë, por të gjitha këto janë që nga fillimi i procesit deri në fund dhe nuk kanë lidhje me veprimtarinë e KQZ për vlerësimin e votës në kutinë e gabuar. Në një qendër votimi kanë qenë 503 votues, që nuk janë futur në tabelë nga grupi i numërimit si shumatore. Kështu që, 870 vota edhe po të heqim 503 votat, te kjo kutia janë 367 vota. Por këto vijnë si gabim njerëzor nga mënyra se si janë shkruar”, tha Ristani.
Partia Socialiste duket se do të bëjë një ankimim në lidhje me Tiranën, ku do të kërkojë pavlefshmëri të procesit. Ristani tha se i gjithë procesi ankimor nuk mund të zgjasë më shumë se 2 javë në afate maksimale, ndërsa paralajmëroi se një kërkesë e tillë do të rrëzohet në KQZ.
“Unë parashikoj që në rast se do të ketë një ankim kundër vendimit të KQZ, atëherë do të pritet pesë ditë. Më pas mund të kalojë në Kolegj, i cili ka një afat prej 10 ditësh. Nëse ndiqet kjo rrugë, atëherë bëhet fjalë për 2 javë që të mbyllet tërësisht. Kam dëgjuar që mund të ketë një kërkesë për pavlefshmëri në KQZ, ne do të na duhen 3 ose 4 ditë që ta përmbyllim. Pastaj fakti i ankimit, plus edhe shqyrtimi i këtij ankimi, besoj se nuk mund të zgjasë sa rasti i parë”, tha ai.
I pyetur më tej në studio nëse ndihet i kërcënuar pas këtij procesi të gjatë dhe të vështirë, ai u përgjigj me jo. “Jo, nuk ndihem i kërcënuar. Ka qenë në të vërtetë një proces i ngarkuar dhe i vështirë. E mira do të ishte të mbaronte më shpejt, sepse ka një interes publik, që kryetari i Bashkisë të fillojë nga puna sa më parë. Pastaj edhe pushimet janë para, t’i lëmë shqiptarët të pushojnë”, deklaroi kreu i KQZ-së.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›