E Diel, 1 Nëntor 2026

Juristet: Kryqet dhe shamite nuk mund te ndalohen ne shkolla

“Ligji i arsimit parauniversitar le hapesire per keqinterpretim”. Ndalimi i simboleve fetare bie ndesh me Kushtetuten

Projektligji i ri i arsimit parauniversitar duket se do të hapë një debat të gjerë, në lidhje me kushtetutshmërinë e vet, teksa aty përcaktohet se “ndalohet ekspozimi i simboleve fetare në institucionet arsimore, përveçse në shkollat ku mësohen lëndë fetare”. Për një pjesë të juristëve dhe të ekspertëve të të drejtave të njeriut, kjo lë hapësirë të lirë për keqinterpretim, duke ua lënë në dorë drejtorëve të shkollave të përcaktojnë se “nga kush” ndalohet ekspozimi i simboleve fetare.

Elsa Ballauri, drejtuese e Këshillit Shqiptar të të Drejtave të Njeriu, tha dje për “Standard” se ky formulim, ndërkohë që nënkupton detyrimin e shtetit për të qenë laik, duke ndaluar institucionet arsimore që të mbajnë simbole fetare, nga ana tjetër lë hapësirë për keqinterpretim, ku mund të thuhet se ndalohet kryqet dhe shamitë që mbajnë individët në këto institucione. Sipas znj. Ballauri, në bazë të Kushtetutës vendosja e simboleve fetare nëpër godinat e shkollave është antikushtetuese, sikurse është antikushtetuese dhe ndalimi i individëve të mbajnë simbole fetare në trupin e tyre, përfshi shamitë apo ferexhetë, pavarësisht se ku ata ndodhen.

Juristi Klodian Rado, në një debat të hapur në lidhje me këtë çështje pak kohë më parë, kishte deklaruar për një të përditshme se “sa u përket kufizimeve të lirisë së shprehjes së besimit fetar në ambientet publike, ajo edhe mund të kufizohet, por gjithmonë sipas standardeve të Kushtetutës dhe KEDNJ-së. Neni 17 i Kushtetutës: Nga sa më sipër rezulton që kufizimet e lirisë së besimit, nuk mund të bëhen dosido, nga kushdo, ministër, drejtor, rektor, dekan, apo ku di unë”, çka do të thotë se duhet ligj i posaçëm për kufizimin e të drejtës për të mbajtur simbole fetare në trup dhe jo të jetë një nen në një ligj që ka të bëjë me diçka tjetër.

Por edhe nënkryetari i tanishëm i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, z. Kreshnik Spahiu, kishte deklaruar dy vjet më parë se diçka e tillë vjen ndesh me Kushtetutën. "Ndalimi i vajzave me veshje fetare është një vendim dhe një veprim i hapur antikushtetues. Çdo veprim që nuk mbështetet në Kushtetutë, duhet të dënohet ashpër, në mënyrë që të mos krijohen precedentë që rrezikojnë sovranitetin e Kushtetutës", - do të shprehej Kreshnik Spahiu në një prononcim për këtë debat në vitin 2006.

Ndërkaq, deputeti Tritan Shehu deklaroi pak muaj më parë për gazetën, teksa kalonte ligji antidiskriminim se që të kufizohet e drejta e mbajtjes së simboleve fetare në shkolla “duhet ligj i veçantë”. Duke iu referuar përjashtimit të vajzave me shami nga shkolla, Shehu tha se një gjë e tillë nuk mund të ndodhë më, pasi Ministria e Arsimit duhet të kërkojë një ligj të veçantë që të ndalojë vajzat me shami, ligj që duhet të ketë procedura të veçanta për t’u miratuar, siç parashikohet në Kushtetutë për kufizimin e të drejtave të njeriut.

“Vulën” debatit do t’ia vendoste Avokati i Popullit, Ermir Dobjani, që në rastin e përjashtimit të një nxënëseje në shkollë të mesme, për shkak të shamisë, ishte shprehur se "ndalimi i një veshjeje që dihet haptazi që mbahet për motive fetare, vlerësimi i saj si e papërshtatshme, mendojmë se formon një rast, i cili shkakton drejtpërdrejt shkelje të dispozitave të rëndësishme për të drejtat themelore dhe të lirive vetjake të njeriut, të parashikuara nga Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë".

Në nenin 24 të Kushtetutës thuhet në pikën e parë dhe të dytë se “liria e ndërgjegjes dhe e fesë është e garantuar. Secili është i lirë të zgjedhë ose të ndryshojë fenë ose bindjet, si dhe t’i shfaqë ato individualisht ose kolektivisht, në publik ose në jetën private, nëpërmjet kultit, arsimimit, praktikave ose kryerjes së riteve”.

Lejimi i shfaqjes së bindjeve në publik nëpërmjet “praktikave”, ku nënkuptohen edhe simbolet fetare dhe “arsimimit” i bën juristët të jenë të qartë në këtë pikë, se është antikushtetuese ndalimi i mbajtjes së këtyre simboleve nga individët. Sipas tyre, është shkolla ajo që duhet të jetë laike ndaj individit dhe jo individi ndaj shkollës, sepse individi ka të drejtë kushtetuese të ketë bindje fetare dhe t’i shfaqë ato.

Projektligji i arsimit të lartë, sipas rastit më të keq, lë hapësirë për keqinterpretim, sipas juristëve, kur hartuesit mund të kenë pasur si qëllim ndalimin e simboleve në mjediset e shkollës, por që për shkak të formulimit, mund të kuptohet nga zbatuesit e ligjit si ndalim i mbajtjes së simboleve individuale, si shamitë apo kryqet.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›