Letrarja - si thyerje e standardit
Ndalesa, e pashmangshme në çastin e ligjërimit gjuhësor dhe letrar, është gjasa e vetme dhe me vlerë për të prekur realitetin e një dyzimi të lëvrimit të gjuhës shqipe:
- Nga njëra anë, udhëkryqin ekzistencial të gjuhës, që për hir të unitetit formal, kombëtar po thuhet dhe shkruhet, ndonëse ende vijohet që të jemi të ndarë në pesë shtete, që të vazhdojë që të lërë, jashtë përdorimit, stilemat gjuhësore dhe letrare, të gegnishtes dhe arbërishtes, të të folmeve të shqipes bashkëkohore.
- Në anën tjetër, diskutimi i gjerë, se rrugët e pasurimit dhe të shpëtimit të shqipes, si ligjërim i folur dhe i shkruar, përpara së gjithash nga trysnia, që ushtrojnë gjuhët e huaj, gjëllijnë në vatrën e sistemit të shqipes, që në fakt përbëhet nga të gjitha degët, variantet dhe të folmet.
Formalisht, debati dhe zgjidhja e këtij ngërçi, gjuhësor dhe letrar, në fakt ka gjasa që të niset me Rezolutën e Kongresit të Drejtshkrimit, ku në pjesën III të saj, në pikën 2, thuhet shprehimisht: Kongresi porosit që, duke marrë parasysh ndryshimet që pëson gjuha letrare gjatë zhvillimit të saj si edhe çështje e reja që nxjerrë praktika gjuhësore, “Rregullave të Drejtshkrimit” t’u bëhen, në të ardhmen, kur të jetë e nevojshme, përmirësimet dhe plotësimet e duhura, (1973: 27). Shpërnjohja e këtij, sugjerimi dhe detyrimi, ligjor dhe gjuhësor, sidomos nga ana e gjuhëtarëve, dëshmon mbi të gjitha letargjinë, ku edhe kanë rënë studimet e tanishme gjuhësore. Prandaj, ithtarët e mosmarrjes pjesë në debat, në fakt po humbasin një shans, që buron prej kongresit dhe rezolutës përfundimtare. Hapja e mendjes, sidomos e verifikimit të ndryshimeve të mëdha, gjuhësore dhe sociolinguistike, kulturore dhe letrare, për ta parë dhe prekur zhdërvillimet e gjuhës dhe të letërsisë shqipe, mbase për të prekur në një periudhë të distancuar, atë që funksionojë, atë që shkaktoi boshëtirë, atë që duhet rimarrë dhe riaktivizuar në realitetin e ri kulturor, gjuhësor dhe letrar, ku ndryshueshmëria kundrohet dhe shënon vlerë. Nga shikimi i këtij realiteti të dyzuar, vihet re se kryen e vendit, në këtë udhëkryq ekzistencial të gjuhës shqipe, si humbëse dhe lavdimadhe, e ze geginshtja, për zhvillimin e plotë dhe të pandërprerë, letrar dhe gjuhësor të kaq shekujve. Porse jo shumë larg është edhe arbërishtja, e hershme dhe e vonë, të cilat bashkarisht dhe të ndara formatojë vlera të njëmendta të ligjërimit të shqipes, në diakroni dhe sinkroni. Si lexues i rregullt (dhe pa asnjë vështirësi), i varianteve të moçme, po kaq edhe i ligjërimit të varianteve të toskërishtes dhe gegnishtes, pra i autorëve që kanë shkruar, kur nuk kishim njësim (përjashtues), por edhe i gjuhës së standardizuar dhe i shkrimtarëve të njësuar, zbulohet një fakt tronditës, të cilit nuk mundet që t’i fshihemi përjetësisht. Madje, e vështruar në ndërkohësi, preket veçmas në tekstet letrare dhe shkencore, se rrjedhat e ekzistencës së gjuhës shqipe, kanë ardhur duke u rrudhur, veçmas prej Kongresit të Drejtshkrimit të vitit 1972. Duam apo nuk duam, s’mundemi që t’i bishtnojmë, pa fund e përjetësisht, përballjes më këtë udhëkryq rrezbitës dhe ngucalak, të funksionimit të sistemit gjuhësor, si i paplotë. Kjo qenësi, pamëdyshje e ndërliksur, e mbetjes gjallë të një pjesë të shqipes, si dhe e gaditjes për ta fshirë nga faqja e dheut, një pjesë të madhe të saj, ka ardhur për shumë arsye, por mbi të gjitha prej krijimit të një situate, formale dhe logjike, kryesisht përjashtuese, veçmas në epokën e kongresit të drejtshkrimit. Për të hyrë disi në këtë atmosferë, vlen sugjerimi i Ferdinand de Sosyrit: “Gjuha letrare e rrit edhe më shumë rëndësinë e pamerituar të shkrimit. Ajo i ka fjalorët, gramatikat; në shkollë mësohet nga libri dhe përmes librit; gjuha është e rregulluar nga një kod; e ky kod, vetë është rregulluar e shkruar, i shtrohet një përdorimi rigoroz: drejtshkrimit; e të gjitha këto i japin shkrimit një rëndësi të dorës së parë. Më në fund, harrojmë se mësojmë të flasim përpara se të mësojmë të shkruajmë, kështu që përmbyset raporti i natyrshëm”. (2002: 53), tek libri “Kursi i Gjuhësisë së Përgjithshme”, duke përndritur vatra të reja shqyrtimore, sikur gjuha e shkruar qenka me epërsi mbi gjuhën e folur, si dhe duke harruar se letërsia, përftohet nga rijetësimi i të dyja anëve të ekzistencës së një gjuhe. Po kaq, brenda kësaj përmbysje konceptuale, sikur gjuhëtarët janë edhe krijuesit, edhe gardianët e gjuhës, dhe vetëm ata mundet dhe kanë tagrin që t’i japin drejtim, lindjes dhe ndalimit të një pjese të sistemit të gjuhës shqipe. Në fakt çdo gjuhë, përgjithësisht është një proces i hapur, që lindet dhe ndryshon çdo ditë, si me thënë është një vatër, që ngërthen dhe shpalon, në gjirin e vetë letërsinë dhe shkrimtarin, madje me peshën specifike më të madhe, sidomos në formësimin dhe thadrimin e gjuhës letrare kombëtare. Gjuhëtarët, janë studiuesit e procesit dhe në asnjë rast dhe rrethanë, sidomos në një sistem të lirë dhe demokratik, nuk e kanë të drejtën e padiskutueshme, që të jenë projektuesit dhe orientuesit e tij (që të përkujton direktivat), pra ata janë verifikuesitë, pamëdyshje më të zotë, të prirjeve dhe kahjeve kryesore të ligjërimit. Gjuha shqipe, pra sistemi i saj, pa lanë asgjëmangut përanash nga vlerat e sistemit, gojor dhe të shkruar, është e ndërvarur nga shumë aktorë dhe faktorë, e ku padyshim në krye fare qëndron letërsia, që ushqen dhe pasuron gjuhën letrare, madje që është mëma dhe ati i saj. Kur themi letërsi, nënkuptojmë letraren, pra vetëm shenjën e vetvetishme, që zakonisht përçon vlera të njëmendta estetike. Letrarja, pa asnjë mëdyshje, edhe në letrat shqipe, shpërfaqet përmes një paradoksi ekzistencial dhe të pashmangshëm. Ky paradoks, në teoritë letrare, formësohet dhe kodifikohet si thyerje e rregullt e normave, sidomos i trajtave gjuhësore, porse edhe i stilemave të ligjërimit letrar, padyshim një thyerje kjo zakonisht e pashpallur, por edhe e gjithëpranuar. Thyerja e kodeve shkrimore, buron së paku nga dy momente, thelbësore dhe shenjuese, për mbijetesën dhe specifikën e universit letrar. Letrarja, ngjizet me domosdo prej dy elementësh kryesorë:
Së pari: Nga gjuha e letërsisë, e larme dhe e ndryshueshme, e hapur veçmas ndaj ligjërimit të folur, e cila funksionon si shenjëzim letrar, vetëm nëse përmbush dhe përthekon, krahas komunikimit edhe parametrat e kumtit dhe të kumbimit letrar. Specifiteti i gjuhës së letërsisë, përpos të tjerash, lidhet:
- Me strukturat dallimore dhe të ngjashme të letrares si varg, rrëfim apo dialog, që kryesisht kanë të bëjnë me format ekzistenciale të artit të fjalës.
- Me karakterin e pastër, figurativ dhe estetik, që buron vetvetiu nga përthyerja imagjinare e realitetit letrar.
Vetëkuptohet që bashkëlidhja e rrafshit figurativ me atë estetik, përlindet nga fakti, se një tekst është letrar edhe në praninë e një figurshmërie formale, por edhe në situatën, që gjëllin diku më në brendësi, pra gati në padukshmërinë sipërfaqësore të tekstit.
- Me adresën e letrares, ka ma tepër gjasa me pikësynimin e aspiruar, e cila bashkë me pikturën dhe skulpturën, muzikën dhe koreografinë etj. , i drejtohet hapur natyrës së njeriut, në kompleksitetin ekzistencial. Letrarja, si akt specifik i fjalës së ligjëruar, tashmë si shkrimësi letrare, i lëshohet vrullshëm shpirtit dhe arsyes, ndjenjës dhe mendimit, pra rrok hapësirën gjallnuese të qenies. Letrarja, megjithatë pasi lindet dhe gjallon prej qenies, sërish dhe si një rregull i pashkruar, rikthehet në pikën e nisjes. Pra, kthehet diku në zanafillën parake, e pambarimisht kështu në çdo ikje dhe ardhje, rishfaqet në cakun prej nga ku u nis, ndonëse diçka humbet, e diçka tjetër shtohet vetvetiu. Dija letrare në marrëdhënie me gjuhën sugjeron: “... detyra e poetit si poet është vetëm e tërthortë për popullin e tij: detyra e drejtpërdrejtë është e lidhur për gjuhën e tij; së pari ta ruajë dhe së dyti ta zgjerojë dhe ta pasurojë”. (1982: 61), tek libri “Ese të zgjedhura”, siç pati nënvizuar T. Elioti, pra duke sanksionuar vendin dhe rolin e shkrimtarisë në sendërgjimin e gjuhës letrare.
Së dyti: Letrarja si gjuhë e autorit, si shenjë unike dhe autentike, frymë dhe gjurmë, përgjithësisht gjallon si e pandashme në një tekst letrar. Shkëputja, prej ligjërimit të kolektivitetit, tanimë si gjuhë specifike, e përthyer dhe e riformatuar e autorit, solli përmbysje dhe risime të jashtëzakonshme, në ekzistencën e vlerave letrare. Pa mëtuar, që të hyhet në thellimet historike të gjuhës së autorit, e cila bart një shenjë, gati të dyzuar ekzistimi:
- Nga njëra anë, fjala edhe pse tanimë e shkruar si gjuhë e autorit, sërish mbetet mjeti thelbësor i funksionimit të letrares.
- Në anën tjetër, organizimi i tekstit letrar si gjuhë e autorit, shpaloset si një univers i papërsëritshëm dhe gati i parrokshëm.
Letërsia e kultivuar, frymon dhe shenjtërohet vetëm me gjuhën e autorit, në një kuptim, duke qenë e trusuar në dy binarë, pra si gjuhë e figurshme dhe gjuhë e autorit, gjëllin në situatën e një paradigme shkrimore dhe estetike, që përçon ndryshimin:
- Të shprishjes, së normave gjuhësore/letrare, të pranishme dhe mjaft dukshëm në ligjërimin e folur dhe të shkruar.
- Të shpikjes/sendërgjimit, të rregullave ligjërimore të ekzistencës së artit të fjalës, pavarësisht modelit, rrymës dhe llojit letrar të lëvruar.
Mirëpo, edhe në rastin e gjuhës shqipe, mund të merret mendimi i Kalvinos: “Letërsia (dhe ndoshta vetëm ajo) mund të krijojë antikorpe që luftojnë përhapjen e murtajës së gjuhës” (2000: 98), tek libri “Leksione amerikane”, të cilat lidhen me trysninë që ushtrohet sot e gjithë ditën nga gjuhët e huaja.
Në letërsinë botërore, rasti i Dante Aligerit, është unik dhe modern, sepse ky magjistar i fjalës letrare, vizioni i të cilit vijon që ta sundojë botën e letërsisë ende, në hapësirat e ligjërimit, për të sendërtuar veprën e tij, letrare dhe studimore, aq të përveçme dhe të papërsëdytshme, si një përlindës i vërtetë, nuk përdori gjuhën latine, e cila asokohe ishte gjuha e përbotshme e kulturës, por me vetëdije u mbështet në gjuhën vulgata-italiane. Dhe prej aty zë fill ekzistenca e gjuhës letrare italiane, që pashkëputshëm ka shpërfaqur vlera letrare të njëmendta. Kësaj situate, të ligjërimit dhe lëvrimit organik të gjuhës së letërsisë, nuk ka gjasa që t’i shmanget, përjetësisht edhe letërsia shqipe. Gjuha e njësuar-standarde, që shënon një etapë tjetër, të ndryshme dhe të përveçme nga lavrimi i mëhershëm i gjuhës shqipe, të ekzistencës së saj, e cila ka ndërfutur disa elementë, që tashmë duket se kanë ndikuar (gjithnjë në emër të unitetit të kombit), në prishjen e ekuilibrave natyralë, të ligjërimit të gjuhës shqipe:
- Se gjuha e standardit, nuk qenka krijuar mbi bazën e dy kryedialekteve, gegnisht dhe toskërisht, kur siç edhe po shprehen disa nga firmatarët e atëhershëm, njësimi ka në bazë vetëm toskërishten.
- Se bashkë me largimin e hapur dhe me ligj të gegnishtes, në fakt u përzu edhe arbërishtja.
Pra, prej atij momenti, kinse të integrimit gjuhësor, por edhe të çintegrimit shtetëror, pothuajse janë ndaluar së ligjëruari, me shkrim këto variante. Mbase, me arbërishten, veçmas me autorët e pranuar si vlera letrare, si Jeronim de Rada, Zef Serembe, Gavril Dara i Riu, ndodhi edhe “përkthimi” i gjuhës autoriale, si një pasvajtje e paligjëruar madje, në variantin e njësuar, çka e ka bjerrun gjuhën e autorit dhe të letërsisë.
- Se ka ndikuar, sidomos si gjuhë e letërsisë, në zvogëlimin dhe minimizimin e prurjeve nga ligjërimi gojor/bisedor.
Në kuptimin, konkret dhe metaforik, gjuha shqipe nga një gjuhë me tre variante, si fakt historik dhe bashkëkohor, si ligjërim letrar dhe shkencor, si me thënë me tre burime dhe rrjedha, pra, toskërisht, gegnisht dhe arbërisht, tashmë ka mbetur vetëm toskërishtja e njësuar. Në kuptimin letrar, pavarësisht pranisë në gjuhën e njësuar, edhe ajo vjen jo pak e cunguar. Ndërhyrjet dhe përshtatjet në leksikun e teksteve të Faik Konicës, Lasgush Poradecit dhe Mitrush Kutelit, në botimin e tyre, sidomos përpara viteve ‘90, një fakt i pohuar nga studimet letrare, dëshmon se është rrudhur edhe bazamenti i vetë toskërishtes. Pra, gjuha e njësuar, në këtë unifikim, përgjithësisht largues dhe përjashtues, si dhe duke ndërprerë një proces të një afrimi gradual, të një konvergimi organik të dialekteve, varianteve dhe të folmeve të ndryshme, në formë dhe shpalim, është më tepër një ngrehinë e re e ligjërimit të shkruar, e cila ka ushtruar dhe po ushtron ndikimin e vetë, negativ dhe pozitiv, në të gjitha hapësirat e ligjërimit të shqipes. Risimet e saj, duken:
- Në mohimin dhe shpërfilljen, të përvojës së mëhershme të gjuhës shqipe, të folur dhe shkruar përpara viteve 1944, pra edhe të letrares së pranishme, duke e ndarë kështu procesin si me thikë dhe me kufij ndarës.
- Si akt i mbylljes hermetike, absurde dhe joshkencore, të njësimit që ka më tepër në bazë rastet e përjashtimit (sidomos në drejtshkrim) dhe jo rregullin e shpeshtisë dhe të kohës së lëvrimit, të parimësisë fonetike dhe historishkruese.
- Si akt i shprishjes, kinse të sistemit të gjuhës shqipe, me disa variante dhe të folme, ku ndërprerja e tyre, përpos të tjerash, ka sjellë këtë varfëri të skajme të shqipes, si e folme e përditshme, por po kaq edhe si ligjërim i shkruar, sepse “përrenjëve” gjuhësorë u është vënë një barrierë penguese.
Krahasuar, me Kongresin e Manastirit, që shënon një gur themeli të kodifikimit dhe unifikimit të gjuhës shqipe, si dhe përcaktimin përfundimtar të kahjeve perëndimore, madje i mbajtur në rrethana të tjera, qëndrestarët e standardit të vonë, e paraqesin këtë të fundit:
- Edhe si fillim i shfaqjes së gjuhës letrare kombëtare, që pamëdyshje që fillesat e saj janë paksa më të moçme.
- Se letërsia e mirëfilltë, gjithnjë simbas përfundimeve historiografike, i ka fillesat me Jeronim de Radën, i cili ka shkruar në arbërisht, si dhe me Naim Frashërin, që dihet se ka shkruar në toskërishten e hershme. Megjithatë siç e vëren, studiuesi Arshi Pipa: Letërsia shqipe fillon me Mesharin e Buzukut të botuem më 1555 dhe ka vazhdue për gati dy shekuj me një seri veprash të Budit, Bardhit e Bogdanit, me autorin e Kuvendit të Arbnit, Da Lecce - e Kazazin, të cilët formojnë një traditë shkrimi gege e katolike, ku i vetmi përjashtimi ^asht uniti Lekë Matrenga.(2010. 176), tek libri “Politika e gjuhës në shqipninë socialiste”. Lëvizja e Rilindjes Kombëtare, pra ideja e aspiratës kombëtare, erdhi nga lëvrimi dhe lëvrimi i gjuhës dhe letërsisë, porse duke shërbyer edhe si bazamenti i gjuhës letrare kombëtare, që lidhet kështu me shekullin e nëntëmbëdhjetë.
- Si akti kulmor i përbashkimit të popullit shqiptar, së paku në Evropë është i vetmi komb, që jeton ende i ndarë në pesë shtete. Nëse politika, e ka bërë kompromisin e radhës, pra që të integrohemi në kontinent si të çintegruar, druajse unifikimi gjuhësor, i kryer në rrethana të caktuara, si një akt gjuhësor dhe jashtëgjuhësor, në Rezolutën e Kongresit të Drejtshkrimit, i ka vënë bazë formale fondamentit të diversitetit gjuhësor, si një shans pasurimi dhe zhdërvillimi të pandërprerë, të sistemit të shqipes.
Konceptualisht, por edhe sipas sugjerimeve të studimeve letrare, tharmin dhe materien e gjuhës letrare kombëtare, para së gjithash e bart dhe materializon letërsia. Kështu ka ngjarë, me italishten e Dantes, me anglishten e Shekspirit, me gjermanishten e Hajnes, po kaq me rusishten e Pushkinit etj. Kësaj rruge, të themelimit të gjuhëve letrare kombëtare, nuk ka gjasa që t’i largohet përjetësisht edhe gjuha shqipe. Letrarja, shkrimi gjithëkohor dhe gjithëhapësinor i shqipes, ka shtruar shinat e gjuhës letrare kombëtare, qysh me Buzukun dhe Matrëngën, pamabarimisht deri tek Agolli dhe Camaj, e duke qenë një proces, ndryshimi dhe përpunimi, përbën edhe të vetmin shans të përsosjes dhe pasurimit të pashkëputur të gjuhës shqipe. Gjuha, e figurshme dhe autoriale, e të gjitha shkollave letërsishkrimore, nuk mundet të mbetet e ndërvarur nga njësimi, veçmas në dy-tre tregues formal:
- Si nivel detyrues i botimit, simbas normave të kodifikuara, çka përpara viteve ’90 ishte një akt i hapur, kurse tani shpalohet si një ngjyrë sociolinguistike.
- Si “përkthim”, në shumicën e vetë gërnjar dhe shkatërrues i shenjave autoriale të një teksti letrar, përmes kodeksit të standardit.
- Si pranim i diversitetit gjuhësor dhe letrar, siç e pati shprehur Eqrem Çabej, diversitet dhe unitet, në vitet 1952, si një vijë e një përbashkimi natyral, e jo si një gjasë e një unifikimi absurd dhe të pamundshëm, të gjuhës së letërsisë.
Shmangia e tyre, por edhe një klimë armiqësore, sikur po goditet kombi, themelet e unitetit, zhvillimi dhe përparimi, do të linte hapësirën e nevojshme që letërsia të mbetej në vatrën e vetë, si gjuhë e autorit dhe e figurshme, si gjuhë që edhe kumton, por edhe kumbon, si gjuhë që ka si lartsynim dëshminë dhe shenjat estetike, e jo thjesht filozofinë me mbet gjallë.