E Diel, 1 Nëntor 2026

SHBA-te humben kolosin e diplomacise, shqiptaret nje mik te pavaresise

Radio “Evropa e Lire”

Riçard Hollbruk, ai që njihej nga kolegët si buldozer i diplomacisë, ndërroi mbrëmë jetë në një spital të Uashingtonit. Nga e premtja e kaluar, Hollbruku, i cili së fundi ishte i dërguari i posaçëm i SHBA-ve në Afganistan e Pakistan, ishte në gjendje kritike në spital.

Diplomati që mundësoi Marrëveshjen e Dejtonit në vitin 1995 u cilësua si “gjigandi i vërtetë i diplomacisë amerikane” nga Presidenti Obama. Kreu i Shtëpisë së Bardhë nuk harroi të theksonte se, falë përpjekjeve të Hollbrukut, janë shpëtuar miliona jetë njerëzish në pjesë të trazuara të botës, gjatë gjysmë-shekullit të fundit.

“Si çdokush që ka punuar me të apo ka pasur dizavantazhin e qartë që të ishte në anën e kundërt të tavolinës gjatë negociatave, e di mirë se ai është i palodhur... nuk ndalon kurrë, nuk heq dorë kurrë. Ai gjithmonë ka besuar se po mbetëm të fokusuar, nëse veprojmë sipas interesave të përbashkëta, përparimi është i mundur... Luftërave mund t’u vijë fundi dhe paqja mund të ndërtohet”, - tha Obama, vetëm pak minuta para njoftimit për vdekjen e Hollbrukut.

Nuk kanë munguar vlerësimet edhe nga shefja e diplomacisë amerikane, Hillari Klinton. Për zonjën Klinton, Hollbruku ishte “më i përkushtuari në mesin e shërbyesve publikë”.

Nga viti 2009, puna e Hollbrukut ishte e fokusuar në Afganistan e Pakistan. Udhëheqësit e të dyja vendeve shprehën keqardhjen e tyre.

Presidenti i Pakistanit, Asif Al Zardari, tha se ka humbur një mik, por mënyra më e mirë për ta nderuar është “t’i këpusim rrënjët e ekstremizmit dhe të punojmë për paqen”.

Zëdhënësi i Presidentit afgan, Hamid Karzai, përmes valëve të radios “Evropa e Lirë” ngushëlloi diplomacinë amerikane. “Jemi thellësisht të trishtuar nga vdekja e Riçard Hollbrukut, të dërguarit të posaçëm të SHBA-ve në Afganistan e Pakistan. Vdekja e tij është humbje e madhe. Përmes radios suaj, i shprehim ngushëllimet tona popullit dhe qeverisë amerikane”, - tha Ahmad Zia Siamak, nga pPresidenca afgane.

Por, padyshim, Hollbruku do të kujtohet para së gjithash për arritjen e Marrëveshjes së Dejtonit, që i dha fund luftës në Bosnjë. Shefi i diplomacisë britanike, Uilliam Hejg, theksoi se Hollbruku drejtoi procesin deri në Marrëveshjen e Dejtonit, duke i dhënë fund konfliktit më të përgjakshëm në Evropë që nga fundi i Luftës së Dytë Botërore.

Ai shtoi se parimet e përdorura nga Hollbruku në Bosnjë duhen shfrytëzuar si model.

Të njëjtin mendim ndan dhe Valentin Inzko, i dërguari ndërkombëtar në Bosnjë.

“Së pari, Dejtoni i dha fund luftës, që ishte e pamenduar në vitin 1995. Dejtoni solli paqen, të cilën e kemi pasur për 15 vjet. Nuk duhet të nënvlerësohet. Dejtoni ruajti integritetin e Bosnjë-Hercegovinës dhe kufijtë e Bosnjës. Për të gjitha këto, meritat i shkojnë edhe Riçard Hollbrukut”, - tha diplomati austriak, Inzko.

Një tjetër diplomat dhe bashkëpunëtor me Hollbrukun në Ballkan e më gjerë, aktualisht ministër i Jashtëm i Suedisë, Karl Bild, kujton:

“Riçard Hollbruku ishte gjigand në mesin e diplomatëve të kohës sonë. Pa dyshim, ishte ndër më të shkëlqyerit e më të mençurit. Ai ishte luftëtari më i paepur për të gjitha kauzat në të cilat besonte dhe për interesat e vendit të tij. Ai ishte një mik i Evropës, por me sens kritik, dhe një mik personal. Mendoj se bota do të jetë një vend më i vogël pa të”, - tha Bild.

Të gjithë ata që kanë punuar me Hollbrukun e kujtojnë karakterin e fortë dhe mostërheqjen deri në arritjen e qëllimit. “Nëse Riçardi ju telefonon për t’ju kërkuar diçka, më mirë i thoni po. Nëse thoni jo, do të ktheheni sërish të pranoni, vetëm se rruga do të jetë shumë e dhimbshme”, - kujton Henri Kisinxher, ish-shef i diplomacisë amerikane.

E më së miri përshkrimin e Kisinxherit e ilustron edhe ultimatumi final që Hollbruku i transmetoi Millosheviçit, pas refuzimit serb për marrëveshje në Rambuje e Paris, vetëm pak ditë përpara fushatës së bombardimeve të NATO-s.

Diplomati amerikan, Riçard Hollbruk, në Kosovë njihet për rolin që ka pasur në vitin 1998, në kohën e përpjekjeve të tij diplomatike për t’i dhënë fund dhunës që forcat serbe të sigurimit ushtronin mbi shqiptarët e Kosovës. Ai më së shumti do të mbahet në mend mbase për ultimatumin që në mars të 1999-s i pati dhënë Sllobodan Millosheviçit, se NATO-ja do të bombardojë nëse agresioni serb ndaj Kosovës nuk ndalet.

Udhëheqësit e institucioneve thonë se kontributi që Hollbruk ka dhënë edhe në rrugëtimin e Kosovës drejt pavarësisë dhe ndërtimit të institucioneve demokratike, është i padiskutueshëm. Ushtruesi i detyrës së Presidentit të Kosovës, Jakup Krasniqi, i tha radios “Evropa e Lirë” se me keqardhje ka marrë lajmin për vdekjen e diplomatit Hollbruk.

“Shumë popuj që sot jetojnë në paqe, jetojnë falë angazhimit të pakursyer të diplomatit Riçard Hollbruk. Roli i tij për paqen, sigurinë, por edhe për shtetin e pavarur e sovran të Kosovës, konsideroj se ka qenë i madh”, - u shpreh Krasniqi.

Ai rikujton edhe takimet që ka pasur me zotin Hollbruk, pas përfundimit të luftës në Kosovë. “Ne gjithnjë e kemi parë si një njeri me një mprehtësi të lartë politike e diplomatike. E kemi parë si një mbështetës të fortë të proceseve që janë zhvilluar në Kosovë. Kontributi i tij si individ në ndërtimin e institucioneve dhe në rrugën demokratike që ka marrë Kosova, ka qenë i madh. Ai ka qenë i afërt, i drejtpërdrejtë”, - tha Krasniqi. Blerim Shala ka qenë zëdhënës i Grupit Negociator në 1998-n - një grup ky, i cili qe përfshirë në përpjekjet diplomatike të faktorit ndërkombëtar, për të ndalur dhunën e forcave serbe në Kosovë. Shala tha se pa diplomatin Hollbruk, Kosova kurrë nuk do të pavarësohej. “Ambasadori Hollbruk ka qenë ndërmjetësues në vitet ‘98/‘99. Pa Hollbrukun, Kosova kurrë nuk do të çlirohej dhe nuk do të pavarësohej”, - tha Shala.

Sipas tij, diplomati Hollbruk ka qenë një negociator i pazëvendësueshëm.

“Hollbruku me të vërtetë ka qenë njeri i dijes së jashtëzakonshme, i guximit të veçantë, negociator i përsosur, i cili ka qenë në gjendje të nxjerrë maksimumin prej një situate gati pa shtegdalje. Ai ka hisen kryesore në inkuadrimin e SHBA-ve në procesin negociator. Ka hisen kryesore në ndaljen e ofensivës serbe në vjeshtën e vitit ‘98 kundër UÇK-së. Gjithsesi, ka hisen kryesore edhe në prurjen e situatës ku Sllobodan Millosheviçi nuk kishte shtegdalje tjetër, pos të pranonte bombardimin e paktit NATO”, - u shpreh Shala. Përveç përfaqësuesve të institucioneve të Kosovës, keqardhje për vdekjen e diplomatit amerikan, Riçard Hollbruk, kanë shprehur edhe krerët e partive politike në vend.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›