Juristja Holandeze: Ligji lejon znj.Basha të rimarrë shtetësinë shqiptare
Zonja Basha dhe bashkëshorti i saj, kanë deklaruar këto ditë se shtetësia holandeze e znj. Basha ka të bëjë me dëshirën e saj për të lëvizur lirë dhe shpesh etj. Pas 2005-s, duke qenë se znj. Basha ishte bashkëshorte ministri përfitonte pasaportë, e cila lejonte lëvizjen e lirë. Veçanërisht si grua e ministrit të jashtëm të një vendi.
Por znj. Basha nuk e rimori shtetësinë shqiptare. Më pas u hoq edhe sistemi i vizave. Sërish, znj. Basha nuk e rimori shtetësinë shqiptare. Ka njerëz që mendojnë se kjo ka të bëjë me lidhjet e prindërve të znj. Basha me ish-bosin e VEFA-s, Vehbi Alimuçajn, nevojën për të pasur shtetësi të huaj në mbrojtje të parave apo pasurive që kësisoj nuk mund të sekuestrohen nga shteti shqiptar etj. Të gjitha këto, mund të jenë thashetheme, mund të jenë të vërteta. Një proces i drejtë mbi piramidat në një vend që harron lehtë, ende nuk është kryer.
Por është e habitshme këmbëngulja e znj. Basha për të mbajtur shtetësinë holandeze, edhe pse arsyeja që ajo ka dhënë për marrjen e kësaj shtetësie, ka rënë disa herë. E habitshme edhe për faktin që kjo gjë i shkakton kosto të madhe politike, bashkëshortit të saj, e megjithatë kundërveprim nuk ka.
Një juriste holandeze, eksperte emigracioni, na e shton edhe më tej këtë habi. Ajo pohon se ligji holandez nuk e ndalon dikë që ka marrë shtetësi holandeze ta lejë atë dhe të rimarrë shtetësinë e vendit të mëparshëm. Më poshtë, një intervistë me Juristen e Zyrës së Imigrimit, znj. Marianne Mulderij-Anker.
“Znj. Basha është bërë shtetase holandeze dhe e ka braktisur shtetësinë shqiptare, siç më treguat ju. Mund t’ju shpjegoj se si funksionon ligji holandez i emigrimit …” – thotë ajo
Znj. Anker, si bëhesh shtetas holandez?
Ka dy mënyra për t’u bërë shtetas holandez; 1. Bëhesh holandez i natyralizuar, ose 2. Bëhesh holandez, sepse ke të drejtën e zgjedhjes. Kjo e dyta ndodh vetëm kur prindërit e tu janë qytetarë holandezë, ose nëse ti e ke pasur dikur shtetësinë holandeze. Të bëhesh qytetar holandez përmes natyralizimit është e mundshme vetëm kur ke pasur leje qëndrimi në Holandë për pesë vjet rresht, pa asnjë ndërprerje. Kjo leje duhet të ketë një natyrë jo të përkohshme.
A ka nevojë të japësh prova të tjera?
Që të bëhesh qytetar holandez sot duhet të provosh se di të shkruash, të flasësh e të lexosh në gjuhë holandeze në atë që quhet niveli dy. Duhet të firmosësh një deklaratë ku zotohesh të mbrosh interesat e Holandës, dhe duhet të heqësh dorë nga shtetësia e mëparshme.
Si kryhet më saktësisht kjo procedurë?
Procedura e natyralizimit fillon tek fshati/qyteti/krahina ku je i regjistruar. Aty fillon intervistimi dhe kontrollohet, nëse plotëson të gjitha kushtet; rezidencën e vazhdueshme për pesë vjet, dhe diplomën e gjuhës holandeze si gjuhë e dytë. Zyra lokale gjithashtu kontrollon çdo dokument, certifikatat e lindjes dhe pasaportat. Pa këto dokumente, në shumicën e rasteve, nuk mund të fillojë natyralizimi. Zyra ligjore dërgon formatet e aplikimit tek Zyra për Imigrim dhe Natyralizim, që quhet IND. Ata verifikojnë, nëse personi që aplikon për shtetësi holandeze plotëson kushtet që përmban Ligji mbi shtetësinë Holandeze. Nëse dikush i plotëson të gjitha kushtet, merr pasaportë holandeze. Që nga momenti i fillimit të procedurës në zyrën lokale deri te ceremonia e marrjes së pasaportës, kalon një vit kohë.
Nëse një shtetas shqiptar merr shtetësi holandeze për një X arsye, a është i lirë ta rimarrë shtetësinë e vendit të vet, në rastin konkret, Shqipërisë?
Holanda të jep mundësinë që të heqësh dorë nga shtetësia holandeze edhe pas natyralizimit. Shteti i origjinës, në këtë rast Shqipëria, vendos nëse ta rijep sërish shtetësinë shqiptare, apo jo.
Në Holandë ekziston mundësia e zgjedhjes për ata që e kanë mbajtur në një moment të jetës së tyre shtetësinë holandeze. Për shembull, njerëz që kanë lindur në Indonezi, apo në Surinam, kur këto ishin ende pjesë e Mbretërisë së Vendeve të Ulëta, kanë lindur me shtetësi holandeze, por tani kanë shtetësi indoneziane. Për ata ekziston mundësia e zgjedhjes, mund të bëhen sërish qytetarë holandezë.
A mundet drejtësia shqiptare të ndërhyjë në prona apo pasuri të fituara në mënyrë ta paligjshme, nëse një person i dyshuar, ka shtetësi holandeze?
Është një pyetje shumë e komplikuar. Në Holandë është vetëm Prokuroria e Përgjithshme, e quajtur DA, që mund të hetojë ndonjë person.
*Znj. Marianne Mulderij – Anker punon për “Kortman Advocaten”, në Hagë
Është diplomuar në Universitetin e Leiden për Të Drejtë Penale dhe Administrative dhe është specializuar në Ligj Imigracioni
Shekulli