Autobusi arkivol Sarandë-Athinë, për pak në greminë
44 pasagjerë dhe dy shoferë të autobusit të linjës Sarandë-Athinë, rreth orës 01:30 pas mesnate, kanë rrezikuar të gjenden në greminë, në segmentin rrugor Janinë-Adirio në territorin grek.
Autobusi i njërës nga agjensitë që transporton pasagjerë nga qyteti jugor për në kryeqytetin grek, njëri prej më të vjetërve që qarkullon ende në këtë linjë -janë edhe disa të tjerë në linja të tjera dhe është për tu shënuar fakti që, përveç policisë rrugore të Shqipërisë, edhe ajo greke bën një vesh shurdh dhe një sy qorr, dhe lë të qarkullojnë të tilla arkivole , duke rrezikuar jetën e emigrantëve dhe qytetarëve shqiptarë që udhëtojnë me ta pak më tutje vendit të quajtur Hani Terovu ka humbur ekuilibrin pas plasjes(!) së njërës nga gomat e para, dhe u desh shumë fat sikurse dhe manovra efikase e drejtuesit të tij për ta çuar me siguri sërish në rrugë dhe për tiu shmangur greminës që ishte vetëm 1-2 metra përtej asfaltit!
Udhëtarët, shumica e të cilëve ndodheshin në gjumë, jo të gjithë kanë kuptuar rrezikun që u ishte kanosur.
Pas ndalimit të autobusit dhe hutimit të parë, disa prej tyre, pasi kanë dalë jashtë të frikësuar dhe kanë parë gjendjen e automjetit si dhe greminën që ndodhej fare pranë, kanë shfryrë zemërimin për poseduesit e automjetit.
U desh më shumë se 1 orë pritje, bashkë me kohën për ndërrimin e gomës, për të vazhduar udhëtimin tonë drejt Athinës. Le të shpresojmë se, nuk do të jetë vonë kur të vendosin të ndërhyjnë organet kompetente të qarkullimit rrugor të të dy shteteve.
Albanews.gr