E Diel, 1 Nëntor 2026

Juristja amerikane: Zhgënjimi me drejtësinë, një nga arsyet që solli trazirat e 97-ës. Një zhgënjim i ngjashëm është edhe tani

Share

Juristja amerikane, Kathleen Imholz, thotë se zhgënjimi me drejtësinë ishte një nga faktorët pas trazirave të vitit 1997. Ajo thotë në një intervistë për revistën JAVA se sheh një zhgënjim të ngjashëm edhe aktualisht. Më ka bërë përshtypje gjithmonë fakti se sa shumë kujdes i kushtohet së drejtës dhe drejtësisë në Shqipëri. E kam vërejtur këtë që prej fillimit, gjatë vizitës sime të parë në vitin 1991, kohë kur avokatia sapo ishte ri-legalizuar. Jam e bindur se zhgënjimi me sistemin e drejtësisë ishte një nga faktorët prapa trazirave që çuan në gjendjen e jashtëzakonshme më 1997. Vazhdoj të shoh një zhgënjim të ngjashëm dhe mungesë besimi dhe në drejtësinë e sotme, tha Imholz.

Juristja amerikane komentoi edhe komisionin e ngritur nga Kuvendi për shkarkimin e Kreshnik Spahiut. Për sa i përket rastit të vetë z. Spahiu, mendoj se aktiviteti i një zyrtari të lartë të qeverisë në angazhime jashtë funksionit të tij zyrtar është gjithnjë një çështje me vend për debat dhe diskutim publik. Megjithatë, as Kushtetuta dhe as ligji i Këshillit të Lartë të Drejtësisë nuk parashikon shkarkimin nga Kuvendi të zëvendëskryetarit apo ndonjë anëtari tjetër të KLD-së mbi bazën e aktiviteteve të tij/saj jashtë detyrës, apo për ndonjë arsye tjetër. Më duhet të qartësoj këtu disa çështje ligjore dhe teknike që rrjedhin nga neni 147 i Kushtetutës. KLD është e përfshirë në pushtetin gjyqësor dhe ashtu si të gjithë e dimë, sistemi gjyqësor duhet të jetë pushteti më apolitik i qeverisë. Rrjedhimisht, kështu duhet të jetë dhe KLD. Nëse KLD do të marrë natyrë politike, atëherë vetë sistemi gjyqësor mund të jetë në rrezik për tu politizuar. I vetmi përfaqësues politik në KLD si anëtar i saj, është Ministri i Drejtësisë, që ka vetëm një votë në një këshill prej 15 anëtarësh. Nga kjo perspektivë, veprimtaria politike e ndonjë anëtari të KLD-së nuk është e këshillueshme edhe pse nuk është e ndaluar në mënyrë eksplicite, tha Imholz.

E pyetur se cili është defekti më serioz i drejtësisë shqiptare, ajo tha: Sistemi i drejtësisë shqiptare është, në fund të fundit, pjesë e shoqërisë së gjerë shqiptare dhe kjo shoqëri është e fragmentarizuar dhe tejet e politizuar. Profesionalizmi vlerësohet shumë pak. Mekanizmat për të siguruar emërimet më të mira janë me shumë të meta. Zgjidhja nuk është thjesht konsultimi politik apo edhe konsensusi. Çfarë të mire sjell konsensusi për një gjyqtar të pakualifikuar?  Përveç problemeve të tjera që ata krijuan, ndryshimet e nxituara kushtetuese të prillit 2008 prishën balancën dhe strukturën e sistemit të drejtësisë. Edhe pa problemet e fundit të z. Spahiu që u përmendën pak më sipër, Këshilli i Lartë i Drejtësisë nuk ka punuar me efektivitet. (Kujtoj ish Ministren e Drejtësisë të Rumanisë, të cilën e takova disa vite më parë. Ajo më tregoi se, ndërsa në mënyrë entuziaste mbështeti krijimin e një këshilli të tillë në Rumani në fillim të viteve 90, ajo kishte mësuar nga eksperienca se ky ishte një institucion që nuk funksiononte mirë jo vetëm në vendin e saj por edhe në vendet e tjera të bllokut ish-komunist të Lindjes). E kuptoj se si njerëzit e zakonshëm ndjehen pa mbështetje përballë të tilla problemeve; prandaj po kaloj në pyetjen tjetër.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›