Juritë dhe çiftelitë
Sapo janë mbyllur polemikat për Festivalin e Këngës në RTSH, ndërkohë që jurive të Konkursit Letrar nuk iu kërkoi askush të rrëfenin diçka (apo shumëçka) në lidhje me ato të uruara çmime për letërsinë, punë, që sa vjen, keq e më keq degradon. Ajo që të bën përshtypje këtë herë, është "vrasja" e letërsisë për fëmijë dhe të rinj, vepër jo thjesht e kësaj apo këtyre jurive të sivjetme, por e klaneve me lidhje të hershme dhe të përhershme. Përndryshe, nga njëra anë kemi një kaos të vërtetë dhe një shurdhëri të papranueshme, kur nuk bëhet fjalë së paku për nominime, siç duhej të ndodhte normalisht, por për një blof që u servir si risi, bashkë me ndërrimin e destinacionit të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve. Që nuk është më. Nga ana tjetër, tufa e snobëve, që për vete ka tentuar të bëjë letërsi dhe ka dështuar, si kurrë ndonjëherë, privatizoi edhe këtë herë pendat dhe tendat që kishin të bënin me letërsinë. Ndër autorët e nderuar të letërsisë për fëmijë dhe të rinj, ndër librat e shumtë të kësaj letërsie, grigja e snobëve nuk mundi të gjente dot asnjë emër, asnjë titull për ta laureuar me çmim, sikundër bëri me "letërsinë e madhe". Këtu nuk është fjala për para dhe as thjesht për vëmendje. Duke i vënë shkelmin disa brezave shkrimtarësh për fëmijë dhe të rinj, snobët e dashuruar me asgjë-në, përpiqen të diktojnë mbi zhvillimet reale, një prirje që po vërehet pak a shumë edhe në përpjekjet për ta ndryshuar kryekëput historinë. Ca figura (për vete) të panjohura, me heshtjen puritane ndaj një letërsie të tërë, ashtu si ajo është, duan të tregojnë se kjo disiplinë e duruar që quhet letërsi, iu përket shumë pak njerëzve, aty është çështja për shije tepër të holla, (ose të këputura fare) që rrallë e tek gjenden; ato (shije) i kanë vetëm disa pak individë që i dinë të gjitha ose së paku dinë shumë, dhe ata kanë të drejtën të fshijnë nga faqja e dheut gjithçka që quhet letërsi për fëmijë dhe të rinj. Snobët, që çuditërisht prapë janë të lidhur me partitë, (si atëherë) në këtë rast me partinë në pushtet, nuk ia kanë idenë nga bie letërsia për fëmijë e të rinj. Ose më e pakta, shtiren sikur nuk kanë gjetur dot një të tillë. Mjerim i madh, kur nuk ka institucione dhe kur letërsia e arti zbavitin mbretërit, si dikur. Më në fund, snobët kanë imituar shtetin, që gjithashtu nuk ka treguar kurrfarë respekti për disa breza shkrimtarësh të kësaj gjinie, të vetmit që - edhe pse kanë ofruar vlera - nuk e gjejnë veten asnjëherë në listat e pensioneve të veçanta(!)
E gjithë kjo komedi, me zotërinj dhe çifçinj, me shkrimtarë të mëdhenj dhe asish të vegjël, së fundi me mendjemëdhenj që s'i hyjnë në punë kurrkujt, zhvillohet ndërkohë që Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë është shuar përfundimisht. Ndonjë mbetje e dokumenteve të ish-Lidhjes, siç thuhet, ka përfunduar diku në ish-Kinostudio "Shqipëria e Re". Gjithçka vjen në akord me njëlloj "vdekjeje" të paralajmëruar të aktivitetit letrar dhe artistik në tërësi. Shumë libra, pak vlerësime, asnjë lloj kategorizimi, heshtje totale për vlerat, përpëlitje individuale për të krijuar me zor statura të paqena, e kështu me radhë; mungesë shfaqjesh dhe vëmendjeje në teatër, deri edhe gjyqe - gjëra të papara ndonjëherë në këto sfera të brishta - mandej në disa rrethe është përcjellë krejt viti pa premiera; konfuzion edhe në muzikë, përqeshje gjer edhe me festivalet e këngës, siç është thënë këto ditë; më në fund, ja tek vijmë edhe në konkurse (thuajse) ilegale, ndërkohë që janë të njohura valëzimet pa sens me ligjet dhe të drejtat e autorëve, e kështu me radhë. Është për këtë që në këto radhë nuk kemi për qëllim aspak të ndjekim dinamikën e këtij zhvillimi të fundit, (që ka të bëjë me godinën e Lidhjes) ca më pak të merremi me probleme klubesh (kafeje, është fjala). Por duke përfituar nga rasti, mund të shtjellonim shkurtazi se çfarë ka ndodhur dhe po ndodh realisht me "Lidhjet" dhe veçmas me letërsinë, këtë disiplinë të duruar, siç e quajtëm më lart. Kështu, mund t'ju kujtoja kolegëve të nderuar, shkrimtarë e publicistë, se si thureshin listat në kohërat e shkuara, se si shpalleshin dhe rishpalleshin ato në "Drita" e "Nëntori"; se si betonoheshin në këto lista - midis atyre që së paku e kishin talentin - emra autorësh krejt të rastësishëm, që sot nuk i mban mend kurrkush dhe që fundja nuk i sollën asgjë letërsisë shqiptare; se si ndërtoheshin hierarkitë e (gjoja)vlerave mbi dokrra ideologjike e parime klasore dhe klanore. Ironia është se kjo farsë vazhdoi të shfaqej për gjatë gjithë kohës së tranzicionit, shfaqet ende edhe sot; shembja e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe çudirat me juritë e çmimeve dhe pendave (jo gjithnjë të zgjedhura me kujdes), vetëm sa na i kujton gjëra kësish. Pa i paragjykuar aspak çmimet dhe fituesit e tyre, përkundrazi janë emra të spikatur, dënimi që i është dhënë letërsisë për fëmijë - në një kohë që botohen kaq shumë dhe, në kaos, vetëm libra të të huajve - është jo vetëm i pakuptimtë, por edhe fyes.
Shumë kohë përpara, pas një ndërrimi kuajsh në Radio-Televizionin Shqiptar, më duket pas festivalit të 11-të, njerëzit thoshin për drejtorin e ri: "... erdhi X çiftelia".E pra,ne menduam se kishte ardhur koha që të ngriheshim mbi traditat komuniste të vlerësimit me kutin e Partisë ose të miqësisë. Harrojeni! Nuk ka ndryshuar kurrgjë; mirëpo për hir të së vërtetës, edhe "Lidhjet" e Shkrimtarëve nuk kanë bërë më shumë se sa e kanë banalizuar edhe më tej këtë panoramë mjeracake. Nuk ka qenë përgjegjësi e "Lidhjeve", (do të duhej të ishte edhe kështu,) por mjafton t'iu hedhësh një sy teksteve të letërsisë të shkollave, qoftë atyre që janë në program, qoftë atyre të ashtuquajtura alternativë, për të parë se si listat e kahershme vazhdojnë të hartohen gjithë në të njëjtën mënyrë. Në këto tekste dhe në shumë sprova të tjera të karakterit bibliografik, gjenden me shumicë autorë të rastësishëm, kalimtarë; dinamika e zhvillimeve letrare pas vitit '90 pothuaj nuk ndiqet fare, ndaj saj ka një alergji që s'mund të shpjegohet veçse si adhurim për listat e dikurshme. Në këto tekste, ende nuk ka një paraqitje serioze dhe reale të vlerave më të spikatura të letërsisë së sotme, dhe sidomos të prurjeve pas vitit '90. Sa për "zhveshjen" e shkrimtarëve për fëmijë e të rinj nga e drejta e "pendës", inati nuk është thjesht me zhanrin. Shpeshherë tirazhi i librave më të mirë të autorëve të kësaj letërsie, është i pazakontë për botimet në Shqipëri. Këtë nuk mund ta falin snobët dhe lobet që i botojnë librat apo studimet e tyre në 100 kopje dhe nuk ua lexon askush. Duke mos pretenduar një analizë shteruese të kësaj çështjeje, por duke apeluar për vlerësimin real të kontributeve të "të vegjëlve" - sado e pavend të duket - do të përdornim për ta shprehjen e Konicës për Gjeçovin: "Një lartësi e përulur, në mund të afroj e të lidh dy fjalë aq të përkundërta".Faleminderit për kohën që ju mora.