Shtesa e pagave për mjekët, ja numri i vizitave sipas zonave
Sipas Hanës, në kontratat e reja me mjekët numri i vizitave do të jetë më i vogël se aktualisht. Ja indikatorët e vlerësimit
Ndryshon numri i vizitave që duhet të bëjnë mjekët e familjes për të përfituar rritjen e pagës sipas performancës. Kështu në kontratat e reja të mjekëve të familjes për vitin 2008, që u miratuan nga Instituti i Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor, është caktuar numri i vizitave sipas zonave ku ata punojnë. Drejtoresha e ISKSH-së, Hana, pohoi dje se Këshilli Administrativ ka miratuar kontratat e reja edhe për qendrat shëndetësore, farmacitë dhe depot farmaceutike. Ndërkohë ajo shpjegoi edhe indikatorë të vlerësimit të bonusit për cilësinë në Qendrat Shëndetësore të kujdesit parësor.
Numri i vizitave
Mjekët e familjes do të realizojnë më pak vizita në ditë, për të përfituar rritjen e pagave, nga sa kanë realizuar deri më sot. "Në mënyrë që treguesi të jetë realist dhe i arritshëm, është ulur numri i vizitave dhe është bërë një shkallëzim i këtij treguesi sipas zonës gjeografike që mbulon me shërbim qendra shëndetësore",- shpjegon Elvana Hana. Kështu nëse gjatë vitit 2007 numri i vizitave që duhet të realizonte një mjek për të përfituar rritje page ishte 16 për qytetin dhe 13 për fshatin, këtë vit do të jenë më pak. Një mjek familje në zonat fushore/kodrinore duhet të realizojë 9 vizita në ditë. Ndërsa një mjek familje që shërben në zonat e thella malore duhet të realizojë 6 vizita në ditë. Sa i takon mjekëve që shërbejnë në zonat urbane, numrin e vizitave për të përfituar shtesën për aktivitete duhet ta kenë më shumë nga të gjithë mjekët e tjerë që është 12 vizita. Gjithashtu në kuotat e reja mjekët pediatër sipas Hanës do të realizojnë 10 vizita në ditë.
Indikatorët e vlerësimit
Që të arrihet treguesi i aktivitetit ai është ndërthurur edhe me treguesit që përbëjnë bonusin për cilësinë e shërbimit. Kështu, sipas Elvana Hanës, indikatorë të vlerësimit të bonusit për cilësinë në Qendrat Shëndetësore të kujdesit parësor janë përqindja e pacientëve të regjistruar, që janë vizituar për herë të parë brenda vitit nga mjekët e përgjithshëm të familjes. Gjithashtu indikator tjetër vlerësimi është edhe kosto mesatare e recetave për diagnozë të zgjedhur. Përqindja e pacientëve kronikë të vizituar çdo muaj nga në mjek i përgjithshëm familje dhe përqindja e grave shtatzëna që marrin vizitën e parë brenda tremujorit të parë, sipas Hanës, janë element të tjerë të vlerësimit që duhet të realizojnë mjekët e familjes. " Indikatorë të vlerësimit janë edhe përqindja e fëmijëve të moshës 0-1-vjeç të vaksinuar me DTP3 dhe përqindja e stafit që merr pjesë në Edukimin Mjekësor të Vazhdueshëm",- pohoi Hana.
Numri i vizitave për të përfituar shtesën për aktivitet
Mjekë familje në zonat fushore/kodrinore - 9 vizita
Mjekë familje në zonat malore/të thella malore - 6 vizita
Mjekë familje në zonat urbane - 12 vizita
Mjekë familje për fëmijë - 10 vizita
Farmacitë, kriteret në kontratat e reja
Këshilli Administrativ i ISKSH-së miratoi kontratat e reja të vitit 2008 të ISKSH edhe me farmacitë dhe depot farmaceutike. Kështu ndër kriteret që duhet të plotësojnë farmacitë apo agjencia, është se ato duhet të ketë gjendje jo më pak se 60 për qind të barnave të listës që rimbursohen. Farmacia/agjencia (drejtuesi teknik) duhet të jetë e licencuar nga Ministria e Shëndetësisë dhe të plotësojë të gjitha kushtet teknike të ruajtjes së barnave (si në momentin e licencimit).Gjithashtu farmacitë duhet të jenë të regjistruar pranë organit tatimor. "Drejtuesi teknik i farmacisë/agjencisë, të drejtojë dhe të punoje vetëm në farmacinë/agjencinë për të cilën është licencuar dhe farmacia duhet të jetë e pajisur me frigorifer për ruajtjen dhe tregtimin e barnave termolabile",- pohojnë burime zyrtare të ISKSH-së duke shtuar se farmacia duhet të jetë e pajisur me kasafortë të fiksuar në mur betoni, për ruajtjen e barnave narkotike dhe helmet. Madje, në kontratat e reja të farmacive thuhet se duhet të jenë të pajisura me kompjuter për të realizuar kompjuterizimin e të dhënave sipas programeve të përgatitura nga ISKSH. Gjithashtu drejtuesi teknik i farmacisë, farmacistët apo nd/farmacistët e punësuar duhet të jenë anëtarë të Urdhrit të Farmacistëve të Shqipërisë. Ndërkohë, burime zyrtare pohojnë se, nuk lidhet kontratë me agjencitë farmaceutike në qytetet dhe fshatrat ku ka farmaci me kontratë.