E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mësuesit e Elbasanit, probleme me shpërblimet

Nga 9 mijë lekë të premtuara, mësuesit kanë marrë 8 mijë. Nuk shpërblehet asnjë mësues i dalluar
ELBASAN-Në këtë fundviti, kur mësuesit kanë pritur shpërblimin për të mbyllur shpenzimet plus për darkën e ndërrimit të viteve, paratë e marra kanë sjellë zhgënjim. Nga 9 mijë lekë të reja, që duhet të ishte shërblimi, mësuesit kanë marrë 8 mijë lekë të reja, ndërsa kanë pritur më kot mësuesit më të mirë për rrogën shtesë të premtuar. Në të gjitha shkollat 9-vjeçare dhe të mesme të qytetit të Elbasanit nuk është shpërndarë shpërblimi i vendosur për mësuesit e dalluar. Kryetarja e sindikatës së pavarur të arsimtarëve në Elbasan, Bukuroshe Shabani ka deklaruar se ky fakt është bërë problem pranë qendrës ekonomike të Arsimit në bashkinë Elbasan, Drejtorinë e Arsimit madje ky shqetësim ka mbërritur pranë Ministrisë së Financave dhe pranë drejtuesve më të lartë të sindikatës së Arsimit. "Fondi i vënë në dispozicion është i pamjaftueshëm dhe për këtë i është drejtuar një shkresë dorazi Ministrisë së Financave. Por kur ne kemi mbërritur në Ministri përgjigjia ka qënë se shkresa nuk ka mbërritur dhe se ishte shumë vonë për ta zgjidhur këtë problem. E njëjta gjë ka ndodhur edhe me shpërblimin nëpërmjet pagave për mësuesit e dalluar"-ka thënë ajo. Me ndërhyrjen e sindikatës së arsimtarëve pritet të zgjidhet në fillim të janarit problemi i plotësimit të shpërblimit nga ana e buxhetit të shtetit ndërsa për pagat nuk ka ende një përgjigje përfundimtare. "Nisur nga ky shqetësim unë i bëj thirrje kryeministrit Sali Berisha, Ministrit të Financave Ridvan Bode si dhe të gjithë përgjegjësve të zgjidhin këtë pengesë që edhe mësuesit e Elbasanit të marrin të plotë shpërblimin si dhe pagën e përcaktuar për mësuesit më të mirë". Janë rreth 500 mësues të shkollave të mesme që nuk e kanë marrë të plotë shpërblimin dhe rreth 800 mësues të shkollave 9 vjeçare, ndër të cilët duhet të shpërbleheshin të paktën 5 mësues për shkollë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›