Përse të votojmë? Nga Peter Singer*
Si shtetas i Australisë, kam votuar atje në zgjedhjet e kaluara federale, ashtu si dhe rreth 95 për qind e votuesve australianë të regjistruar. Kjo shifër kontraston dukshëm me zgjedhjet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku pjesëmarrja në zgjedhjet presidenciale të 2004-ës mezi kaloi 60-përqindëshin. Në zgjedhjet për Kongresin, që bien në mesin e mandatit të presidentit, zakonisht votojnë më pak se 40 për qind e zgjedhësve amerikanë.
Ka një arsye, që shpjegon pjesëmarrjen e lartë të zgjedhësve australianë. Në vitet 1920, kur niveli i pjesëmarrjes ra nën 60 për qind, Parlamenti dekretoi votimin e detyrueshëm. Qysh atëherë, pavarësisht nga pikëpamjet e ndryshme të qeverive pasardhëse, askush nuk bëri përpjekje serioze për shfuqizimin e ligjit, i cili, sipas sondazheve të opinionit publik, gëzon mbështetjen e afër 70 për qind të popullsisë.
Australianët që nuk votojnë, marrin letër ku u kërkohet arsyeja. Ata që nuk kanë një justifikim të pranueshëm, si për shembull, sëmundje apo udhëtim jashtë shtetit, duhet të paguajnë një gjobë të vogël, por atë e paguajnë më pak se 1 për qind e votuesve.
Në praktikë, qytetarët janë të detyruar të shkojnë në qendrën e votimit, të regjistrohen dhe të hedhin fletën e votimit në kuti. Karakteri sekret i votimit nuk lejon që njerëzit të pengohen për të shkruar çfarë t'u teket në fletët e votimit ose t'i lënë pa i plotësuar. Kur përqindja e fletëve të votimit të pavlefshme është pak më e lartë se atje ku votimi është i detyrueshëm, ajo është shumë më e vogël se ndryshimi në nivelin e pjesëmarrjes së votuesve.
Votimi i detyrueshëm nuk ekziston vetëm në Australi. Belgjika dhe Argjentina e kanë vendosur madje më parë, dhe praktikohet në shumë vende të tjera, veçanërisht në Amerikën Latine, ndonëse, si respektimi i ligjit ashtu dhe sanksionet ndryshojnë nga vendi në vend.
Ngaqë ndodhesha në SHBA gjatë kohës së zgjedhjeve në Australi, nuk isha i detyruar të votoja. Kisha shumë arsye të shpresoja në disfatën e qeverisë konservatore të Xhon Houardit (John Howard), por kjo nuk e shpjegon pse u përpoqa të votoja, përderisa gjasa se vota ime mund të ndryshojë diçka, ishte minimale (ashtu si dhe rezultoi).
Kur votimi është vullnetar dhe mundësia që rezultati mund të përcaktohet nga vota e një personi të vetëm, është tejet e ulët, madje kostoja më e vogël - për shembull, koha që merr për të arritur deri te qendra e votimit, qëndrimi në radhë për të plotësuar fletën e votimit - është e mjaftueshme për të bërë që votimi të duket irracional. Por nëse shumica e njerëzve ndjek këtë vijë arsyetimi dhe nuk merr pjesë në votim, një pakicë e popullsisë mund të përcaktojë një të ardhme të vendit, duke lënë shumicën të pakënaqur.
Historia e paradokohshme e zgjedhjeve në Poloni është një shembull që flet vetë. Në zgjedhjet e përgjithshme të 2005-ës morën pjesë më pak se 40 për qind e zgjedhësve - niveli më i ulët i pjesëmarrjes që nga koha e kryerjes së zgjedhjeve të lira pas periudhës së sundimit komunist. Si rezultat, Jarosllav Kaçinjski (Jaroslaw Kaczynski) u bë kryeministër me mbështetjen e një koalicioni partish, që kishin marrë shumicën e vendeve në Parlament, pavarësisht se për to kishin votuar vetëm gjashtë milionë nga 30 milionë zgjedhës me të drejtë vote gjithsej.
Kur Kaçinjski u detyrua të shkojë sërish drejt kutive të votimit vetëm dy vjet më pas, doli në pah se shumë prej atyre që nuk votuan më 2005-ën, ishin të pakënaqur nga rezultati. Pjesëmarrja u rrit afër 54-përqindëshit me rritjen e dukshme të votuesve të rinj në moshë dhe të atyre me arsimim më të mirë. Qeveria e Kaçinjskit pësoi disfatë të rëndë.
Nëse nuk duam që një pakicë e vogël të përcaktojë qeverinë tonë, do të kuptojmë rëndësinë e nivelit të lartë të pjesëmarrjes. Megjithatë, përderisa vota jonë vetjake sjell vetëm një kontribut të vockël në rezultatin përfundimtar, secili prej nesh tundohet "t'i bjerë qylit" (to get a free ride), duke mos votuar, por duke shpresuar se mjaft të tjerë do të shkojnë të votojnë për të mbështetur e demokracinë dhe zgjedhur e qeverinë, që është e përgjegjshme ndaj pikëpamjeve të shumicës së shtetasve.
Por ka dhe shumë arsye të mundshme përse njerëzit marrin pjesë në zgjedhje. Disa votojnë sepse ndiejnë kënaqësi nga kjo gjë dhe nuk mund të gjejnë mënyrë më të mirë për të kaluar kohën në atë moment. Të tjerë motivohen nga një ndjenjë detyre qytetare, që nuk vlerëson racionalitetin e votimit nga pikëpamja e ndikimit të mundshëm të një vote në përfundimin e përgjithshëm.
Të tretët mund të votojnë, jo sepse përfytyrojnë se mund të përcaktojnë rezultatet e zgjedhjeve, por sepse si tifozë futbolli duan të mbështesin ekipin e zemrës. Ata mund të votojnë sepse, në të kundërt, nuk do të jenë në gjendje të shprehin pakënaqësinë e vet ndaj qeverisë së zgjedhur. Ose ata mund të llogarisin se, ndonëse shanset që vota e tyre do të përcaktonte rezultatin e zgjedhjeve, gjithsej një nga disa miliona, ky rezultat është kaq i rëndësishëm, që madje shansi i vockël është i mjaftueshëm që të peshojë më tepër se prishja e rehatisë nga pjesëmarrja në votim.
Por nëse këto konsiderata nuk mund të tërheqin njerëzit drejt qendrave të votimit, votimi i detyrueshëm është një nga mënyrat e kapërcimit të problemit të pjesëmarrjes së ulët në votime. Gjoba e vogël për mospjesëmarrje në zgjedhje e bën votimin racional për të gjithë, njëkohësisht duke e shndërruar pjesëmarrjen në votime si normë morale. Australianët e pëlqejnë votimin e detyrueshëm. Ata janë të lumtur të votojnë, duke e ditur se këtë gjë e bëjnë të gjithë. Vendet, që i shqetëson pjesëmarrja e ulët e zgjedhësve, do të ishte mirë të mendonin për zbatimin e votimit të detyrueshëm.
*Pitër Singër (Peter Singer) është profesor i Bioetikës në Universitetin e Prinstonit (Princeton University) dhe autor, mes librave të tjerë, i atyre të titulluar "Çlirimi i kafshëve" (Animal Liberation), "Etika praktike" (Practical Ethics), "Një botë" (One World) dhe, në bashkautorësi me Xhim Mejsonin (Jim Mason), "Etika e të ushqyerit tonë" (The Ethics of What We Eat).