E Diel, 1 Nëntor 2026

Juve-Napoli/ 22 lojtarët e dy skuadrave kushtojnë 400 milionë euro!

Vlerësimi i skuadrave nuk është vetëm në klasifikim, Juventus dhe Napoli tashmë komandojnë edhe në merkato. Duke vlerësuar kartonat e 22 titullarëve të dy skuadrave kryesuese sheh që kuota e tyre në treg arrin në 400 milion euro. Ajo që bie në sy është se diferencat midis skuadrave nuk janë të mëdha, pasi formacioni i drejtuar nga Konte vlerësohet me 202 milion euro ndaj 180 të të kaltërve të Mazzarit. Rendimenti i sezoneve të fundit, zgjedhjet e bëra në merkato kanë sjellë në një miksim të shkëlqyer të dyshimeve ekonomike përveç atyre teknike.
Juventus
Juventusi i Andrea Agnellit ka investuar shumë duke ndryshuar po kaq lojtarë të cilët kanë ardhur dhe janë larguar pa lënë shumë gjurmë. Megjithatë Konte ndryshoi gjithçka duke arritur në fillim të përfitojë nga largimet e Elias dhe Krasiç. Më pas rivlerësimi i Pirlos që nga ardhja me parametra zero tashmë vlerësohet 10 milion euro. E njëjta situatë edhe për Arturo Vidal që erdhi nga Leverkusen për 10.2 milion euro, teksa gjatë verës ofertat në adresë të tij ishin rreth 30 milion euro. Diçka e tillë ndodhi edhe me Markizion, Vuçiniç, Bonuçi dhe në fund perla është Barzali që erdhi nga Wolfsburgu për 500 mijë euro, duke u kthyer në këto çaste një pikë referimi edhe në kombëtaren italiane. Por Juventusi ka edhe një super stol me Quagliarelën, Matrin, Islën, etj, që vlejnë rreth 100 milion euro.
Napoli
Ndërkohë që Napoli vuan pikërisht në këtë aspekt. Insigne është një premtim, ashtu si edhe Fernandez, Vargas, Dzemaili apo të tjerët, por që vlerësohen rreth 60 milion euro. Gjithashtu edhe shpenzimet janë më të shumta për Juventusin, të ardhurat e të cilës kanë filluar të frenohen. Klubi i drejtuar nga De Laurentis vlerëson shumë të rinjtë, pa harruar që në formacion mungon Lavezi i sapo shitur për 30 milion euro. Në gjurmët e tij duket edhe Kavani, që kontrata e re me një pagë prej 4.5 milion eurosh në sezon e qetëson disi, edhe pse klubi ka vendosur një klauzolë prej 60 milion eurosh për shitjen e tij. Vetë Juventusi mendoi për të gjatë verës por pa arritur ta blejë. Edhe Hamsik është një plus për Napolin, që u ble 5 milion euro dhe tani vlerësohet 30 milion, teksa nuk mbetet pas Pandev që u mor për 7.5 milion nga Interi. Këto janë majat e ajsbergut, por bashkë me ta janë rritur edhe të tjerët dhe sfida e Torinos është prova për të vijuar më tej me këtë rrugë. Një zgjedhje që mungon tek Milani dhe Interi që po kalojnë një sezon tranzicioni dhe në rënie të lirë të vlerësimit të futbollistëve. Por edhe kjo e ka një përgjigje, pasi faji është i Juventusit dhe Napolit.
Juventus, Buffon dhe Vucinic mungojnë ndaj Napolit
Gianluigi Buffon nuk është rekuperuar nga dëmtimi që e detyroi të mungonte në ndeshjen e Italisë ndaj Danimarkës dhe nuk do të jetë i pranishëm në supersfidën e kësaj jave në Serinë A: Juventus-Napoli. Portieri dhe kapiteni i bardhezinjve ka një inflamacion në kofshë dhe vendin e tij në portën e kampionëve të Italisë do e zërë Storari, ndërsa në pankinë do të ulet portieri i tretë, Rubinho. Edhe sulmuesi Mirko Vucinic mungon për shkak të një gjendjeje gripale.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›