E Shtunë, 31 Tetor 2026

Presidenti: Sadiku ikën që në janar

Armando Sadiku mund të largohet që në merkaton e janarit 2013 drejt një skuadre elitare në Gjermani ose Itali. Lajmi konfirmohet nga vetë presidenti i klubit të Luganos, Anxhelo Renxeti. Ky i fundit, në një intervistë për mediat, ka pohuar se do ta lëshonte sulmuesin shqiptar vetëm nëse në drejtim të tij do të vinte një ofertë serioze, konkrete dhe natyrisht e majme. Në javët e fundit, për Sadikun kanë shprehur interes tri skuadra nga kampionati italian i futbollit (Seria A), Katania, Kievo dhe Siena, si dhe klubi gjerman i Mynih 1860, i cili militon në Bundesligën e Dytë. Madje, sipas informacioneve, gjermanët janë disi në avantazh përkundrejt skuadrave italiane, kjo nisur nga oferta më e mirë financiare si ndaj lojtarit dhe ndaj klubit të Luganos. “Menaxheri i lojtarit më kërkoi leje që ai të niste negociatat me disa klube, të cilat ishin të interesuara për shërbimet e Sadikut. Natyrisht, unë nuk kam arsye që të ndaloj rritjen e këtij lojtari, ndaj thjesht kam kërkuar që nëse në drejtim të klubit dhe lojtarit do të vijë një ofertë e mirë, ne do ta shikojmë me shumë kujdes dhe mundet që të marrim një vendim që në merkaton e janarit”, ka pohuar presidenti i Luganos.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›