E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shqipëria U-17 i dorëzohet në fund Italisë

Kombëtarja U-17 ka humbur minimalisht në takimin e parë të luajtur ndaj Italisë, dje në Hungari, aty ku zhvillohen ndeshjet e kësaj moshe, për kualifikim në “Elite Raund”, ku bëjnë pjesë 28 ekipet më të mira të kontinentit. Edhe pse kronika e ndeshjes tregon për një epërsi në raste të të kaltërve, sa u takon goditjeve brenda kuadratit, në qarkullimin e topit, goditjet nga këndi dhe në faullet e fituar, porta e Elezajt nuk është prekur dot për plot 80 minuta lojë. Meritë për këtë ka pa diskutim mbrojtja solide që kishte ndërtuar Mustedanagiç, me dyshen e qendrës Bregasi-Aliu, ndërsa nga krahët luanin Ismaili dhe Xhemo. Vlen të theksohet fakti se pjesa e parë ka qenë më e mirë për tanët, të cilët kanë arritur t’i kundërvihen me sukses kundërshtarit dhe ta mbajnë në ekuilibër lojën, duke zbritur rrezikshëm në portën italiane. Rashica dhe Çekiçi kanë qenë tepër të lëvizshëm dhe kanë fituar disa goditje dënimi dhe këndi, të cilat nuk kanë sjellë ndonjë produkt konkret. Në fraksionin e dytë të ndeshjes janë italianët që kanë iniciativën, dhe me kalimin e minutave e detyrojnë skuadrën tonë kombëtare të rreshtohet me forca të shumta para portierit Elezaj. Kuqezinjtë, të gjendur nën një presion të madh të italianëve, që e kërkojnë golin “me dhunë”, e kanë thuajse të pamundur të dalin nga gjysmëfusha e tyre, kështu që misioni kryesor mbetet mospësimi i golit dhe ruajtja e barazimit. Në këtë aspekt është treguar e kujdesshme dhe e qetë psikologjikisht kombëtarja jonë, që ka arritur ta ruajë bardhësinë e shifrave të fillimit të lojës deri në minutën e 80-të, atëherë kur është dorëzuar. Tutino për Italinë ka konkluduar më së fundi në portën e Elezajt, duke siguruar kësisoj një fitore të çmuar, por tepër të vuajtur ndaj kuqezinjve tanë, që janë ndëshkuar nga një vendosje e gabuar e mbrojtjes dhjetë minuta para fundit të sfidës.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›