E Diel, 1 Nëntor 2026

Juve largon Ranierin, Ferrara dy javë në stol

Klaudio Ranieri nuk është më trajner i Juventusit. Vendimi për shkarkimin e drejtuesit të stolit bardhezi ka ardhur pas një takimi të gjatë ndërmjet presidentit Koboli Xhilji, Zhan Klod Blank dhe Alesio Sekos. Zërat për largimin e teknikut qarkulluan menjëherë pas barazimit 2-2 me Atalantën, në pasditen e së dielës, pasi rezultati ka rrezikuar seriozisht vendin e tretë në klasifikim, që përkthehet ndryshe si kualifikim direkt në Ligën e Kampioneve. Por, kjo nuk ishte arsyeja e vetme, pasi sezoni i bardhezinjve është shoqëruar me zhgënjime dhe polemika. Ndryshimi vjen për të shmangur kalimin edhe nga Fiorentina, që tashmë ndodhet vetëm një pikë larg. Ndoshta largimi i Ranierit duhet të bëhej më shpejt: Juventusi nuk fiton prej shtatë ndeshjesh, pra që prej 22 marsit 2009, kur tronditën Romën me katër gola në "Olimpiko". Pas atij triumfi, "Zonja e Vjetër" ka koleksionuar gjashtë barazime dhe një humbje. Madje, gjatë kësaj periudhe është eliminuar edhe nga Lacio në Kupën e Italisë.

Trajneri, i cili pritej të jepte "lamtumirën" në fund të sezonit, është zëvendësuar menjëherë nga Çiro Ferrara. Ish-lideri i bardhezinjve në fushë do të drejtojë stolin në dy javët e fundit të kampionatit, ku synohet marrja e gjashtë pikëve. Zyrtarizimi i lajmit për largimin e Ranierit u bë në orën 17:06, por trajneri ishte lajmëruar më parë për këtë vendim. Në deklaratën për shtyp të klubit lexohej: "Juventusi bën me dije se ka larguar nga detyra trajnerin Klaudio Ranieri. Që prej ditës së sotme (djeshme), drejtimin e skuadrës e merr Çiro Ferrara. Dëshirojmë të falënderojmë Ranierin për punën që ka bërë gjatë këtyre dy vjetëve, ndërsa trajnerit të ri i urojmë suksese të menjëhershme". Ferrara është prezantuar afro një orë më pas. Administratori Blank shpjegoi se "pas rezultateve të fundit, të cilat i lejuan Fiorentinës të afrohej, kemi vendosur të ndryshojmë drejtuesin e stolit. Dje në mbrëmje Çiro u shpreh i gatshëm për këtë detyrë dhe sot në mëngjes vendosëm t‘i besojmë skuadrën". Nga ana e tij, tekniku i ri shtoi: "Kam ardhur te Juventusi që prej 1994-ës dhe jam mjaft i lidhur me klubin. Sapo m‘u ofrua mundësia nuk pata asnjë dyshim. Skuadra është konkurruese, duhet vetëm t‘i rikthejmë besimin lojtarëve".

Historia

Ranieri bëhet trajneri i parë që shkarkohet te Juventusi pas 40 vjetëve: më 1969, Luis Karnilja u zëvendësua nga Erkole Rabiti pas gjashtë ndeshjesh



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›