E Diel, 1 Nëntor 2026

Juve, pas 915 ditëve, në krye të Serisë A

Pritja e gjatë e Juventusit ka marrë fund. Pas 915 ditëve, "Zonja e Vjetër" kthehet në krye të klasifikimit në Serinë A. Me rezultatin 4-1, përballë Xhenoas, bardhezinjtë regjistruan fitoren e shtatë radhazi dhe tashmë duken të denjë për të luftuar për titullin kampion. "Asnjëherë nuk dorëzohemi dhe këtë e kemi në ADN-në tonë. Nuk u tërhoqëm prapa as në momentet kritikë", ishin fjalët e trajnerit Ranieri. "Të gjithë pjesëtarët e skuadrës janë të bashkuar dhe besojnë te projekti ‘Juventus‘. Edhe më parë, skuadra luftonte, por rezultatet mungonin. Tashmë po marrim frytet e punës sonë dhe shohim me vendosmëri nga e ardhmja. Objektivi është që të përmirësojmë vendin e tretë të sezonit të kaluar". Ndeshja u luajt të enjten, për shkak të ndeshjes së regbisë, Itali-Argjentinë, e planifikuar të zhvillohet të shtunën, në stadiumin "Olimpik" të Torinos. Megjithatë, rëndësi ka që tashmë ata ndodhen në krye të tabelës, përkrah Interit. "Ishte një ndjesi e bukur, kur, në fund të ndeshjes me Xhenoan, shihje tabelën elektronike të stadiumit dhe ndodheshim në krye të kampionatit", deklaroi Vinçenco Iakuinta, autor i golit të tretë bardhezi.

Pas një viti në Serinë B, Juventusi konfirmoi se nuk kishte nevojë për shumë kohë që të rikthehej në nivelet e saj. Kjo pavarësisht faktit se në verën e vitit 2006, shumë yje zgjodhën të largoheshin nga skuadra. "Zonja e Vjetër" vuajti dënimin, fitoi kampionatin inferior dhe kur u rikthye në elitë e mbylli sezonin në vendin e tretë, dhe u kualifikua në Ligën e Kampioneve (aktivitet që e kanë fituar për herë të fundit në sezonin 1995/96 me Marçelo Lipin). Megjithatë, në fillim të sezonit, situata nuk dukej nga më të mirat dhe ishin të shumtë ata që mendonin se Ranieri ishte fajtori kryesor. Madje, u spekulua gjatë se trajneri do të largohej, sikur rezultatet e një viti më parë të ishin thjesht çështje fati. Juventusi u rikthye si protagoniste, pavarësisht dëmtimeve të rënda të Trezege dhe Bufon dhe tashmë ndodhet me pikë të barabarta me "Interin Special". Zikaltërit luajnë me Palermon, në një sfidë ku mund të ndodhë diçka. Megjithatë, Hoze Murinjo ndez sfidën në distancë me "zebrat". "E respektoj Ranierin si trajner, pavarësisht gjërave që kemi thënë për njëri-tjetrin. Çështja nuk shtrohet se ai ka aq pikë sa unë, porse Juventusi ka grumbulluar aq sa edhe Interi. Gjithsesi, mendoj se nesër (sot), nuk do të jemi sërish me pikë të barabarta. Madje, as javën e ardhshme (të shtunën më datë 22, Interi luan kundër Juventusit). Mund të them se preferoj të luaj kundër Juves, që vjen nga shtatë fitore radhazi dhe jo nga shtatë humbje".



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›