E Diel, 1 Nëntor 2026

MTKRS tërhiqet nga zgjedhjet e detyrueshme, por konflikt ka ende

Konflikti i nisur mes Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve dhe federatave sportive (përjashto FSHF-në), nuk ka gjetur zgjidhje edhe pas mbledhjes së zhvilluar dje në ambientet e ministrisë, mes ministrit Ylli Pango dhe drejtuesve të këtyre federatave e atyre të KOKSH-it. Urdhri i ministrit për zhvillimin e të gjitha zgjedhjeve para muajit dhjetor bie ndesh me mandatet e këtyre drejtuesve e federatave. Edhe pse Pango ka ndryshuar në 90 gradë, duke premtuar se do të respektojë autonominë e tyre, duke mos i detyruar t‘i bëjnë brenda muajit dhjetor, ashtu sikurse citohej në letrën që u kishte dërguar para pak ditëve, federatat janë ende skeptike. "Nuk e di se përse është bërë kaq e madhe. Me sinqeritet e them këtë", tha ministri Pango pas mbledhjes. "Ata kanë kohën e tyre për t‘i bërë. Në qoftë se duan t‘i bëjnë le t‘i bëjnë, në qoftë se duan të shkelin statutin e tyre le të mos i bëjnë. Ne kemi për detyrim t‘u dërgojmë thjesht njoftimin. Nuk i urdhërojmë ne për t‘i bërë zgjedhjet. Është përmendur në shumë media, por mua më duhet ta sqaroj se kjo çështje nuk ka lidhje me fondin ‘Grand‘. Të jeni fare të qetë, do të jenë të lirë t‘i bëjnë zgjedhjet sipas statutit dhe pa asnjë ndërhyrje dhe po kështu kjo vlen edhe për Komitetin Olimpik Shqiptar. Ju garantoj se nuk do të ketë absolutisht asnjë ndërhyrje nga ana ime si ministër". Edhe pse ministri deklaron se ministria do të respektojë, duket se palët nuk e kanë gjetur gjuhën e përbashkët. Shkak është edhe krijimi i një komisioni "ad-hoc", i përbërë nga figura të shquara të sportit dhe që do të merret me monitorimin e zgjedhjeve në të gjitha federatat sportive. Këta të fundit theksojnë se po cenohet autonomia e federatave. "Të imponosh zgjedhjet, është një ndërhyrje", nënvizonte dje Hysen Domi, presidenti i KOKSH-it, ndërsa sekretari i përgjithshëm i kësaj organizate, Stavri Bello, shtonte: "Me çfarë të drejte ministria thotë se ‘njoh një federatë‘, pa marrë mendimin e Komitetit Olimpik Shqiptar. Po sikur ky komitet të krijojë një tjetër komision ‘ad-hoc‘ dhe të thotë se i njeh apo nuk i njoh zgjedhjet". Duket se rezultatet e mbledhjes së djeshme janë të pakta, pasi ende mes palëve ka shumë gjëra, për të cilat nuk është dhënë një zgjidhje përfundimtare.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›