E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kaka i hedh dorashkën Interit e sheh titullin me Dinjo-Bekham

Brazilianët, por jo vetëm ata, janë të mendimit se Milani i ka të gjitha mundësitë që të fitojë titullin kampion të Italisë. Receta e Kakasë për të rikthyer kuqezinjtë te titulli është e thjeshtë. "Bekham do të sjellë kualitet tjetër dhe për të fituar këtë kampionat, do të duhen lojtarë si ai, të cilët e përballojnë nivelin e lartë të skuadrës", ka thënë braziliani për "Corsport". Skuadra për t‘u mundur është Interi: "Është një kundërshtar shumë i fortë, ka një grup të mrekullueshëm lojtarësh, të gjithë shumë cilësorë. Pastaj është Juventusi: është skuadër potente, fiton gjithmonë. Por, si lojë më pëlqen më shumë Napoli". Pra, Kaka, krejt e kundërta e Sedorf, i cili dyshonte për aftësitë e Bekhamit, beson shumë tek anglezi dhe së bashku me Ronaldinjon e shikon si njeriu që do t‘i çojnë kuqezinjtë drejt titullit kampion. Sigurisht, në këto momente Milani duhet të falënderojë mbi të gjitha Dinjon, për golat e tij. "E dinim se çfarë mund të jepte për Milanin dhe për Kombëtaren tonë, ka shpjeguar Kaka. Eshtë thjesht një çështje mendore: ai këtu ndjehet mirë, e ndjen besimin e të gjithëve, jeton në një atmosferë pozitive. Pra mund të bëjë të gjitha gjërat, që për një lojtar si ai janë vetëm normalitet". Po "Topi i Artë" në fuqi, që i refuzon krahasimet me Kristiano Ronaldon ("Unë nuk hyj kurrë në fushë me mendimin se do të bëj një ndeshje kundër një lojtari"), beson edhe te brazilianët e tjerë të skuadrës së Milanit, duke filluar që nga Pato ("Është vetëm 19 vjeç dhe mund të bëjë gjëra vërtet të bukura dhe të rëndësishme") tek Emerson ("Puma ka një forcë, që i ka impresionuar të gjithë bashkë me mua në krye"). Patrulla braziliane e Milanit është e shumtë. Kaka flet madje edhe për brazilianët jashtë kuqezinjve, si për Brenon ("Ka një talent dhe një fizik të jashtëzakonshëm, por luan te Bajerni i Mynihut"), për Julio Çesar ("Një nga portierët më të fortë të botës") dhe Maikon ("Ajo që ai po bën është vërtet e një punë e madhe") tek Interi, këshillon Diego të vijë te Juventusi ("Nëse e merr do të jetë një punë me vlerë"), por shprehet për Adrianon ("Duhet që të njihem më mirë me situatën, di vetëm se është një lojtar, i cili ka talent të jashtëzakonshëm). Në fund dhe një mendim për Ronaldon ("Në janar do ta shikojmë në fushë, nuk e di se edhe sa kohë do të luajë, por ai do të demonstrojë se është i fortë si më parë").


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›