E Diel, 1 Nëntor 2026

Uria e shqiptarëve për liri

Eventi më i rëndësishëm i vendit tonë, çdo katër vjet, shndërrohet në një kaos të vërtetë, duke çorientuar politikën shqiptare. Standardet, ripërsëritur gjithnjë nga të huajt, që në Shqipëri të zhvillohen zgjedhje të lira e të ndershme, duken se nuk do të arrijnë kurrë në kulmin e tyre. Çdo raport i ndërkombëtarëve komentohet në mënyra të ndryshme nga secila palë, por hasim të njëjtën frazë: "...Shqipëria ka bërë hapa përpara, por duhet akoma edhe më shumë punë për të arritur standardet e kërkuara…". Me këtë kuptohet qartë se demokracia në vend është mjaft e brishtë dhe gjithnjë ajo pëson tronditje të rëndë, sa herë që protagonistët politikë ndryshojnë Kodin Zgjedhor në prag zgjedhjesh.

Mos përfshirja e disa forcave politike në komisionet zonale të qendrave të votimit ka detyruar disa deputetë të hyjnë në grevë urie, mënyra më ekstreme e protestës. I përgëzoj! Dikush duhet të sakrifikojë për të mbrojtur lirinë e shqiptarëve, të cilët duhet të vendosin vetë se kush do t‘i udhëheqë. Nuk bëhet fjalë për çështje personale të përfitimit të pushtetit, sepse mbase LSI nuk do dalë forcë e parë në zgjedhje, por për dhunimin e votës së lirë. Me kaq ngulm sa e kërkon kreu i saj sot, e ka kërkuar edhe Kryeministri aktual në zgjedhjet e vitit 2001 apo të vitit 2003, me protesta në rruge. Mund t‘i vijë radha edhe kreut të PS-së të kërkojë të drejtën e votës në një të ardhme të afërt.

Partia më e cenuar e këtij kodi të ndryshuar, LSI, deri tani ka vendosur të garojë e vetme, pa përkrahjen e partisë mëmë të opozitës. Nëse kjo forcë politike nuk do të ketë të drejtën të mbrojë votat që i përkasin asaj, atëherë kush do ta bëjë? Të drejtën e pozicionimit të LSI-së në zgjedhje nuk mund ta përbaltin disa komisionerë me celularë në vesh, duke kaluar "pa dashje" fletët e votimit nga njëri cep i tavolinës në tjetrin. Skema e ndërtuar e komisionerëve zgjedhorë tregon qartë se LSI-në kërkojnë ta sfumojnë. Dhe për sa kohë që të interesuarit do të vendosin ngjyrën e karrigeve në Parlament, gjithmonë do ta pësojnë të "vegjlit".

Puna e komisionit bipartizan filloi mbarë dhe duket sikur kështu shkoi deri në fund, por procesi final, se kush do të numërojë votat, mbetet "molla e sherrit". Kodi i ri, i "rregulluar" nga PD-PS cenon demokracinë e vendit dhe votën e lirë të atyre që nuk janë as demokratë e as socialistë. Transformimi i sistemit elektoral bie mbi kurrizin e LSI-së, ndryshe nga disa parti të tjera të ashtuquajtura "të vogla", të majta apo të djathta, që gjithmonë kanë mbijetuar nën sqetullën e "të mëdhenjve".

Sigurisht, nuk bëhet fjalë për mbështetje militantiste, por për të drejtën e shqiptarëve, që vota e tyre të numërohet ashtu siç ata do ta hedhin në kutinë e votimit. Rrjedhimisht, demokracia e një vendi, që e kërkon aq shumë atë, është e cenuar.

Afërsisht, 20 vjet nga rënia e partisë-shtet, shqiptarët do të humbasin përsëri shansin për t‘u anëtarësuar me të drejta të plota në BE-NATO, dhe shkak themelor, veç të tjerave, mbetet zhvillimi i zgjedhjeve në mënyrë jodemokratike. Interesat e cunguara të PS-PD për të pasur një Parlament dyngjyrësh do të fundosin miliona shqiptarë në Shqipërinë e mbyllur brenda një Evrope të liberalizuar e demokratike. Kontestimet e zgjedhjeve kanë filluar ende pa hyrë në vitin kalendarik elektoral, ndaj si mund të mendojmë që zgjedhjet parlamentare 2009 do të jenë të drejta, demokratike e më të mirat që janë zhvilluar ndonjëherë në Shqipëri?!

Shmangia e përfaqësimit të disa forcave politike në procesin e numërimit të votave tregon se dy forcat e mëdha janë të frikësuara për ekzistencën e tyre në mënyrë dinjitoze në të ardhmen, po të kujtojmë diferencën e ngushtë të PD-PS në zgjedhjet e kaluara, ato të vitit 2005. Me të drejtë deputetët grevistë kërkojnë të mbrojnë votat e elektoratit të tyre. Duke parë përvojat e mëparshme të kodeve zgjedhore, LSI ka bërë përpjekje të mëdha për të administruar në komisionet e qendrave të votimit votat e saj, por asnjëherë nuk është përfaqësuar realisht në Parlament.

Në këtë situatë, ndërkombëtarët duhet të thonë fjalën e tyre, pasi misioni që ata kanë është ruajtja e demokracisë së një vendi. Ndërhyrja e tyre duhet të jetë këmbëngulëse, që ky rast i paprecedent të marrë fund. Ndërkohë që Shqipëria ka pas saj një histori të gjatë të dhunës dhe parregullsive në zgjedhje, mund të mendojmë se kjo reformë e re nuk është gjë tjetër, veçse një mënyrë për të mbyllur dyert e demokracisë së vendit.

Ndryshimi i Kodit Zgjedhor e ka pësuar si diskutimi i datës së mbajtjes së zgjedhjeve, me debate e kontestime të mëdha nga protagonistët politikë për vite me radhë. Për të shmangur gjithë këtë amulli, që krijohet sa herë në Shqipëri bëhen zgjedhje, duhet të gjendet paqja edhe për ligjin elektoral. Zgjidhja e kësaj çështjeje kërkon ekspertë të fushës, protagonistë të politikës, shoqërisë civile. Formula nuk është e vështirë për t‘u gjetur. Sepse edhe zgjedhjet duhet të kenë "kushtetutën" elektorale të pandryshueshme.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›