E Shtunë, 31 Tetor 2026

Juventus-Napoli, Seria A luan sfidën e kryesuesve

Seria A pret sot betejën më të nxehtë të këtyre javëve, teksa në Torino do të përplasen Juventusi e Napoli, në një betejë që vlen kreun e renditjes. Bardhezinjtë do të jenë pa Vuçiniç e Bufon, ndërkohë që në krahun tjetër, Maxarri do të ketë të gatshëm edhe Kavanin, që është kthyer me vonesë nga Amerika e Jugut. Sulmuesi uruguajan dje ka bërë një stërvitje të diferencuarmegjithatë ai do të jetë titullar në ndeshjen që mund të vlejë një sezon të tërë. Juventus e Napoli kanë patur një ecuri të njëjtë këtë sezon, duke marrë 6 fitore e 1 barazim dhe duke treguar se janë dy skuadrat më të forta në Itali. Gjithsesi, dueli sheh favoritë Juventusin, duke parë ecurinë e bardhezinjve, por edhe përbërjen e dy ekipeve. “Është një ndeshje mes dy më të mirave, por nuk mendoj se do të vendosë titullin, - deklaroi ish-mesfushori bardhezi Pavël Nedved. – Nuk më pëlqejnë polemikat, por nuk më kanë pëlqyer fjalët e Maxarrit kur tha se bëri mirë që nuk u paraqit në dhënien e trofeut të Superkupës.
KARRERA
Ndihmës trajneri i Juves Masimo Karrera, e ka nisur me një ton polemizues konferencën për shtyp para ndeshjes së sotme edhe pse më pas ka deklaruar se do t’i shtrëngojë dorën Maxarrit. Pas ankesave të Napolit, se lojtarët e kësaj skuadre janë lodhur shumë nga ndeshjet e kombëtareve, Karrera u përgjigj shkurt: “Futbollistët e mi nuk ankohen!”. “Te Juve ka profesionistë të vërtetë dhe jo ushtarë, shton Karrera. – Ne bëjmë detyrën tonë më së miri, brenda e jashtë fushe. Kam futbollistë dhe burra të tillë”, shton ai. Në lidhje me ndeshjen, ai deklaron: “Jemi dy skuadra shumë të mira, do të luajmë me ballin hapur. Nuk besoj se është një betejë për titullin, pasi kampionati është ende i gjatë dhe ka skuadra të tjera që mund të futen në këtë luftë. Napoli dëshiron kampionatin dhe për këtë arsye ka ceduar edhe në UEFA, ndërsa ne duam t’i shkojmë deri në fund edhe Ligës së Kampioneve”.
NAPOLI
Në kampin napoletan, polemikat ia kanë lënë vendin fushës së lojës, teksa tekniku Maxarri duket i lumtur që do të ketë të gatshëm edhe sulmuesin kryesor Edinson Kavani. “Kavani e Vargas m’u dukën mirë, por gjithsesi do të vlerësoj çdo situatë përpara se të vendos formacionin, deklaroi Maxarri. – Nuk më
intereson se Kavani erdhi me vonesë, unë jam trajner dhe kam për detyrë të hedh në fushë më të mirët”. Ditën e djeshme tifozët e Napolit kanë rendur në stërvitje për të karikuar skuadrën. “Ata duan një paraqitje në lartësinë e situatës, nga kjo pikëpamje mund të qëndrojnë të qetë. Rezultati i ndeshjes them se nuk do të ndryshojë shumë gjëra, pasi deri në fund janë ende 30 ndeshje. Juve nuk humbet prej 46 ndeshjesh dhe është favorite”.
(e.m/A.Latifi/BalkanWeb)

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›