E Diel, 1 Nëntor 2026

Juventus mundet nga Parma, Milani nis shkëputjen

ROME- Një gol i shënuar nga i riu nga Sierra Leone Rodni Straser i ka dhënë Milanit tri pikë tepër të rëndësishme në transfertën e sotme kundër Kaljarit. Kuqezinjtë kanë nisur në këtë mënyrë shkëputjen në kampionat, duke qenë se Lacio është ndalur nga Xhenoa në “Marassi”. E në fakt, takimi mendohej si ai i kthesës pas humbjes me Romën në shtëpi, por pa Ibrahimoviç, gjërat nuk kanë aq të lehta. Në pjesën e parë kuqezinjtë kanë qenë superiorë, teksa Robinjo ka patur në këmbët e tij mundësinë më të mirë, por ka gabuar përballë portierit të Kaljarit.

Ndërkohë, në pjesën e dytë ishte sërish Robinjo që nuk mundi të shënonte, ndërsa një gabim i Abiatit, mund t’i kishte kushtuar shumë Milanit. E megjithatë, në minutat e fundit, futja në fushë e Antonio Kasanos i ka dhënë një tjetër fytyrë skuadrës kryesuese të Serisë A. Barezi dha një asist për Straser, që arriti të shënonte një gol deciziv dhe të bëhej heroi i tifozëve. “Jemi shumë të kënaqur me klasifikimin, sepse e nisëm në mënyrën më të mirë këtë vit, - deklaroi trajneri Masimiliano Alegri pas ndeshjes. – Straser? Është një djalosh që vjen nga sektori i të rinjve. Ky gol bën të lumtur klubin dhe të gjithë ata që punojnë me djemtë e rinj. Skuadra sot tregoi se mund të fitojë edhe duke vuajtur”, shtoi tekniku kuqezi.

Juventusi
Dita e enjte ka qenë një makth për Juventusin, që ka pësuar një disfatë të rëndë në shifrat 4-1 në Torino. Përballë Parmës bardhezinjtë nuk e kanë patur asnjëherë të lehtë, por humbja e sotme ka qenë e vështirë për t’u kapërdirë. “Shkatërrimi” i bardhezinjve nisi në minutën e 17-të, kur Felipe Melo goditi me një shkelm në fytyrë futbollistin Paçi, duke marrë kartonin e kuq. Pas këtij momenti, në fushë kanë qenë vetëm dukalët. Në fundin e pjesës së parë Xhovinko shënoi kundër ish-skuadrës së tij, pas një grushtimi të Storarit. Ndonëse nuk festoi, ndaj tij u lëshua një lumë fishkëllimash të tifozëve. Në fraksionin e dytë ishte sërish Xhovinko që dyfishoi shifrat, me një gol të mrekullueshëm me gjysmë kthesë. Bardhezinjtë u rifutën në lojë në minutën e 60-të, kur Legrotalje realizoi me kokë pas një goditje këndi, megjithatë dy minuta më pas Krespo fitoi një penallti dhe shënoi golin e tretë për Parmën. Në minutat shtesë pati kohë edhe për një gol të realizuar nga një tjetër ish-juventin, Paladino. Disfata ka qenë vërtet e rëndë për bardhezinjtë, që tashmë e shohin veten 8 pikë larg kreut.

Ndeshjet
Në takimet e tjera të Serisë A spikat ndalesa e radhës për Lacion, që nuk ka shkuar më shumë se një barazim pa gola në transfertën e vështirë të Xhenoas. Një rezultat, që i le bardhekaltërit në kuotën e 34 pikëve, 5 më pak se Milani i vendit të parë. Ndërkohë, ka fituar Çezena e Erjon Bogdanit, e cila mundi 2-1 në transfertë Breshian. Sulmuesi kuqezi ishte në fushë për 65 minuta për t’u zëvendësuar më pas me kroatin Igor Budan. Ndërkohë, barazim 1-1 me Bolonjës e Fiorentinës, ndërsa Bari fitoi 1-0 në Leçe. Tri pikë edhe për Palermon, që mundi lehtësisht 3-0 Sampdorian. Ndërsa Udineze fitoi 2-0 me Kievon, duke i dhuruar vetes luksin e humbjes së një penalltie nga Antonio Di Natale.

SERIA A
Juventus-Parma 1-4
Roma-Katania 4-2
Kaljari-Milan 0-1
Palermo-Sampdoria 3-0
Xhenoa-Lacio 0-0
Bolonja-Fiorentina 1-1
Breshia-Çezena 1-2
Leçe-Bari 0-1
Udineze-Kievo 2-0
Inter-Napoli

RENDITJA
Milan 39
Lacio 34
Napoli 33
Roma 32
Juventus 31
Palermo 30
Udineze 26
Inter 23
Sampdoria 23
Xhenoa 22
Parma 22
Kievo 21
Katania 21
Bolonja 21
Kaljari 20
Fiorentina 20
Çezena 18
Leçe 15
Breshia 15
Bari 14

(e.n/A.Latifi/BalkanWeb)

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›