E Shtunë, 31 Tetor 2026

Juventusi siguron Melon; pranë rinovimit edhe Del Piero

“Zonja e Vjetër” ka derdhur në arkat e Fiorentinës për mesfushorin brazilian 20 milionë euro, plus anësorin Marko Markioni, shifra e të cilit arrin në 4.5 milionë euro.

“Jam tepër i lumtur që nënshkrova me Juventusin dhe mezi po pres të luaj këtu. Besoj shumë në këtë ekip që është forcuar mjaft dhe mund të fitojë si në Itali ashtu dhe në Evropë”, deklaron për faqen zyrtare mesfushori 26-vjeçar.

Njëkohësisht, Juventusi mësohet se do të zgjasë deri në vitin 2011 kontratën me kapitenin Alesandro Del Piero. “Sky Sport 24” raporton se drejtuesit e klubit torinez dëshirojnë ta zgjasin edhe për një vit kontratën me lojtarin 34-vjeçar, gjë që mund të realizohet brenda këtyre ditëve.

Del Piero aktivizohet në radhët e skuadrës më të lavdishme italiane që prej vitit 1993, duke mbajtur rekordin e prezencave dhe golave të shënuar me fanellën bardhezi.

Gjatë këtyre viteve legjendari Del Piero ka fituar 5 kampionate, 1 Kupë Italie, 4 Super Kupa Italie, 1 Ligë Kampionesh dhe 1 Super Kupë Evrope.

                                                                                             

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›