K. Veriore: Kemi raketa që mund të arrijnë në SHBA

Koreja e Veriut ka deklaruar se disponon raketa që mund ta sulmojnë Shtetet e Bashkuara.
Agjencia zyrtare e lajmeve e Koresë Veriore sot ka cituar një zëdhënës të Komisionit Kombëtar të Mbrojtjes, i cili ka thënë se ushtria e këtij vendi ka forca strategjike raketore të afta për të ndërmarrë sulme kundër Koresë Jugore, Japonisë dhe Shteteve të Bashkuara.
Kjo deklaratë bëhet dy ditë pasi Koreja Jugore tha se ka arritur marrëveshje me aleatin e saj, Shtetet e Bashkuara, për zgjerimin e rrezeveprimit të raketave balistike prej 300 në 800 kilometra, duke qenë në gjendje që të arrijnë të sulmojë trupat në gjithë Korenë Veriore.
Raportohet se nuk ekziston dëshmi se Koreja Veriore të ketë ndërmarrë ndonjëherë test të suksesshëm të raketave me rreze të gjatë veprimi.