E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kur mitet ndihmohen



Ndonjëherë ekziston më shumë se një e vërtetë, por jo dy të vërteta në të njëjten kohë. Dhe është periudha e heshtjes midis dy epokave, periudha e kalimit nga një realitet në tjetrin, ajo që krijon hutim, kampe a grupime të kundërta, të cilat grinden për të vërtetën. Kjo ndodh jo vetëm sot, kështu kështu ka qenë dje, kështu në mijëra vjet të shkuara. Ekziston mendimi se mënyra më e mirë për t’iu kundërvënë miteve është që ato të vihen përballë fakteve. Por studimet e kohëve të fundit në fushën e psikologjisë kanë zbuluar një paradoks të ri, se ballafaqimi me faktet ndikon në rigjallërimin e miteve dhe jo në mposhtjen e tyre.

Astrit LULUSHI (SHBA)

Heshtja është flori. Kjo shprehje bëhet dy herë e urtë e dy herë metaforë, nëse thuhet se heshtja është ngatërresë. Ndoshta, këtë kanë dashur të thone edhe të parët, por nuk janë kuptuar.
Kur një ngjarje ndodh dhe ajo nuk njoftohet, fillimisht vendin e zë heshtja që pasohet nga zërat dhe, prej tyre, lindin legjendat. Kur njerëzit rilindin a rizgjohen, gjëja e parë që kërkojnë është e vërteta. Ata duan të dinë se ku janë dhe çfarë ka ndodhur. Në këtë rrugë ata vonohen ndonjëherë, sepse ajo që kanë mësuar nga përallat e legjendat, që u kishin treguar kur ishin në heshtje a në gjumë, ndryshon shumë nga e verteta, e cila për disa mund të duket relative e me pak rëndësi që të mësohet.

1.
Ndonjëherë ekziston më shumë se një e vërtetë, por jo dy të vërteta në të njëjten kohë. Dhe është periudha e heshtjes midis dy epokave, periudha e kalimit nga një realitet në tjetrin, ajo që krijon hutim, kampe a grupime të kundërta, të cilat grinden për të vërtetën. Kjo ndodh jo vetëm sot, kështu kështu ka qenë dje, kështu në mijëra vjet të shkuara.
Historia është ngjarje apo rrjedhë kujtimesh të dokumentuara. Ajo shtrembërohet, kur kjo vazhdimësi kujtimesh ndërpritet. Dhe ndërprerje do të thotë heshtje që krijohet për shkaqe të ndryshme, qëllimisht ose si pasojë e rrethanave. Gjatë kësaj periudhë heshtjeje a mungese informacioni, hedhin rrenjë legjendat, të cilat mund të quhen copëza kujtimesh që "mbahen" të lidhura me hallka imagjinare.
Shembuj mitesh e legjendash bashkëkohore ka plot, duke filluar nga ato më të fundit, si heshtja me frikë e dhunë dhe mitizimi i luftës nacional-çlirimtare, kur shumë dëshmi tregojnë se ajo ishte më tepër një luftë e brendshme. Apo legjendat rreth përpjekjeve të ashtuquajtura heroike për ndërtimin e Shqipërisë së re, kur në shume raste njerëzit vriteshin për t’u shpallur heronj ose armiq, pavarësisht se çfarë ishin në të vërtete. Të vdekur, ata vlenin më shumë për t'u përdorur nga makina e propagandës, që funksiononte vetëm për krijimin e miteve dhe legjendave.

2.
Rezultatet e disa studimeve të fundit në fushën e psikologjisë, i kanë shtyrë shkencëtarët të dalin me idenë se truri është i prirur të besojë më lehtë një gënjeshtër, sesa një të vërtete. Kjo, thonë ata, vjen sepse për vlerësimin e informacionit truri përdor rregullin e gishtit – “rule of thumb”, mënyrë matjeje e përafërt por jo e saktë, siç përdoret ndonjëherë edhe nga rrobaqepsi a muratori. Gjithashtu, ekspertët thonë se një lajm vetëm me një burim por i përsëritur disa herë, merret si i vërtetë, njësoj si një lajm me shumë burime.
Nisur nga kjo, gjatë periudhës së heshtjes a mungesës 45 vjeçare të lirisë së fjalës, rreth disave (përfshi diktatorin) u krijuan shkëlqime të rreme, kurse u hodh baltë mbi figura të traditës, si Fishtën, Konicën, Zogun, Kupin, Frashërin e shumë të tjerë. Dhe kjo baltë merr kohë të pastrohet, ndërsa shumë vetë ende jetojnë nën ndikimin e perceptimit të gabuar, krijuar nga propaganda psikologjike.

3.
Një tjetër periudhë heshtjeje, por më e gjatë dhe më e vështirë, ishte ajo që filloi me vdekjen e Gjergj Kastriotit – Skënderbeu, shek. XV, e deri në fillimet e Rilindjes Kombëtare, shek. XIX.
Mes kësaj heshtjeje, as figura e Heroit Kombëtar nuk kishte si t’i shpëtonte fillimisht harresës e pastaj mitizimit. Po ashtu, as Marin Barleti nuk mund ta kishte përshkruar ndryshe jetën e Heroit, po të kihet parasysh se ai e shkroi librin jashtë vendit, rreth 40 vjet pas vdekjes së Skënderbeut, duke u mbështetur kryesisht në të dhëna gojore. Dhe ndërkohë që vetëm një brez kishte kaluar nga vdekja e Skënderbeut, emri i tij në trojet e pushtuara kishte filluar të harrohej. Ishte kjo heshtje e detyruar për 300 vjet, që e veshi Heroin me mitin, të cilin vazhdon ta mbajë e disa përpiqen t’ia heqin.
Ekziston mendimi se mënyra më e mirë për t’iu kundërvënë miteve është që ato të vihen përballë fakteve. Por studimet e kohëve të fundit në fushën e psikologjisë kanë zbuluar një paradoks të ri, se ballafaqimi me faktet ndikon në rigjallërimin e miteve dhe jo në mposhtjen e tyre.

6 Prill 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›