E Shtunë, 31 Tetor 2026

KB, Shqipëria-Rumanisë: “Kujdes, Moska do të pushtojë”

Autori i Lajmit: Androkli Dralo
Nju-Jork, 21 prill 1969 – Shqipëria ka akuzuar Bashkimin Sovjetik se po kërkon të pushtojë Rumaninë nën pretekstin e manovrave të Traktatit të Varshavës sipas një artikulli të delegacionit shqiptar këtu në Kombet e Bashkuara. “Rumania duhet të pushtohet si Çekosllovakia. Ky është qëllimi i gangsterëve revizionistë sovjetikë”, – citohet artikulli i organit partiak komunist shqiptar “Zëri i popullit” në një editorial ku akuzohen planet e ardhshme të sovjetikëve. Sipas editorialit, ky konkluzion ka ardhur prej rezistencës në Rumani, e cila e ka detyruar Bashkimin Sovjetik të miratojë një manovër të re lufte. “Zëri i popullit” thotë se Kremlini është përpjekur për të gjetur një justifikim për manovrat e fundit të Traktatit të Varshavës në territorin rumun dhe se komandanti i Traktatit, marshalli Jakubovski “është shndërruar në një bandit luftënxitës”. Shqiptarët akuzojnë se tashmë Bullgaria është nën pushtimin ushtarak sovjetik dhe këtë gjë e ka arritur nga Traktati i Varshavës. Një presion i madh po i drejtohet gjithashtu dhe Jugosllavisë, - shton më tej organi i Partisë së Punës të Shqipërisë, por Kremlini e di shumë mirë se ndërmarrja e një sulmi ndaj Beogradit “do të përballej me rezistencën e fortë dhe heroike të popullit jugosllav”. Shqipëria, e cila konsiderohet si zëdhënësja e lajmeve të Kinës Komuniste e ka shprehur në mënyrë të veçantë haptazi kritikën ndaj udhëheqjes së Bashkimit Sovjetik që prej pushtimit të Çekosllovakisë nga këta të fundit verën e shkuar. Por artikulli i tanishëm, i cili vjen përpara rrëzimit të udhëheqësit komunist çekosllovak, Aleksandër Dubçek, është më i drejtpërdrejti në serinë e deritanishme për kërcënimet kudo në bllokun komunist. Ai merr gjithashtu në mbrojtje pavarësinë e Jugosllavisë, e cila më parë ka shërbyer si një shënjestër e preferuar për shqiptarët, për shkak të “revizionizmit” të saj. Një diplomat shqiptar këtu në Nju-Jork e përshkroi editorialin (prej 6000 fjalësh) që zinte një faqe të plotë gazete si “shumë të rëndësishëm”. Korrespondenti i agjencisë “Reuters” në Vjenë, Vincent Buist, i bëri komentin e tij artikullit. Sipas Buistit, Kina tani shfaqet gati për të luajtur një rol politik në Evropën Komuniste përmes aleatit të saj shqiptar, i cili kishte qëndruar pothuajse në heshtje në frontin e saj diplomatik. Një ringjallje e interesave politike kineze në Evropën Lindore u bë e qartë pas ndryshimit të papritur të Shqipërisë, e cila vetëm kohët e u zotua se do të ndihmonte fqinjët e saj në rast të një sulmi nga Bashkimi sovjetik. Më herët këtë muaj, Partia e Punës së Shqipërisë po ti heqësh kritikat e ashpra ndaj Rumanisë dhe Jugosllavisë, është zotuar se do të qëndrojë përkrah këtyre vendeve kundër “bishës që vjen rrotull, të Kremlinit”. Në panoramën e aleancës së afërt mes Pekinit dhe Tiranës, vëzhguesit këtu në Nju-Jork mendojnë se nuk ka dyshim që ndryshimi në politikat e Shqipërisë reflekton një botëkuptim të ri diplomatik në qeverinë kineze. Shenjat e para paralajmëruese të interesave të reja të Kinës në Evropë erdhën në nëntor, më pak se tre muaj nga pushtimi i Çekosllovakisë, kur një delegacion i rëndësishëm kinez, përfshirë dhe zyrtarë të rëndësishëm partiak, një admiral dhe një gjeneral, ndaluan në Rumani për disa orë gjatë rrugës për në Shqipëri. Pas kësaj, Bukureshti shfaqi më shumë besim dhe politika rumune e pavarësisë u rishpall fuqishëm. Qasja e re kineze mund të thoshte hapjen e një fushate të re për të mbledhur elementët antisovjetikë në partitë komuniste evropiane kundër një takimi më 5 qershor në Moskë, nga i cili Bashkimi Sovjetik shpreson të mbledhë përreth flamurit të tij ideologjik shumicën e partive të shteteve të botës. Kina pritet shumë shpejt të dërgojë ambasadorët e parë që prej Revolucionit Kulturor të Mao Ce Dunit pas thirrjes së tyre nga shërbimi. Në Shqipëri pritet të shërbejë si ambasador gjenerali Gën Biao. Herët këtë vit, zyrtarë të Ministrisë së Jashtme Kineze, i këshilluan përfaqësitë diplomatike perëndimore në Pekin, se ambasadorët kinezë do të nisnin të ktheheshin përsëri në shërbim, pas Kongresit të Partisë Komuniste, i cili mbylli punimet në fund të këtij muaji. Prandaj, nisja e gjeneralit Gën në Shqipëri duket se është planifikuar dhe vendosur në axhendë shumë kohë më parë. Tanimë në të gjashtëdhjetat dhe një veteran i “Marshimit të Madh”, Gën Biao është një ushtar i vjetër që u shndërrua në një nga diplomatët më me eksperiencë të Pekinit, pasi komunistët u ngjitën në pushtet rreth dy dekada më parë. Përveç faktit që ai kishte shërbyer për pak kohë si zëvendësministër i Jashtëm, Gën Biao kishte drejtuar dhe misionet kineze në Suedi, Pakistan dhe Burma. Edhe pse Shqipëria është aleati më i afërt i Pekinit, përfaqësia diplomatike e tyre në Tiranë është drejtuar nga një i ngarkuar me punë që prej tetorit 1967. Të tjerë ambasadorë kinezë që pritet të shkojnë së shpejti me shërbime diplomatike jashtë vendit, janë gjenerali Huang Çhen, përfaqësuesi i Pekinit në Francë dhe Ku Hsiao-Po, i deleguari në Sudan. Mes këtyre zhvendosjeve një çështje e hamendësuar së tepërmi mes analistëve është se kush e ka drejtuar politikën e jashtme kineze pas largimit nga detyra të ministrit të Jashtëm, Çen Ji. Shkarkimi i Çenit, i cili ka shërbyer si ministër i Jashtëm për më shumë se një dekadë, u duk qartë nga fakti që ai u përjashtua nga Byroja Politike e krijuar nga Kongresi i fundit i Partisë. Si pasojë e shfaqjeve të shpeshta në fjalimet e pritjeve të ambasadave të huaja, disa analistë besojnë se zëvendëskryeministri Hsieh ka marrë funksionet e Çenit. Të tjerë besojnë se kryeministri Çu En Lai, po menaxhon sërish çështjet e jashtme të Kinës, ashtu siç bënte përpara 1958-ës. Ashtu si për vetë politikën e jashtme kineze, analistët këtu besojnë se do të ishte pragmatiste në sensin që Pekini do të preferonte të adaptonte taktikat në këto kushte, se sa të vepronte në një linjë doktrinare.

Ky lajm është publikuar: 11/03/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›