E Diel, 1 Nëntor 2026

KDI: Kuvendi, jo instrument për politikat “jo të mira”

–Instituti Demokratik i Kosovës reagon ndaj shpërfilljes së kërkesës së 15 anëtarëve të Kuvendit të Komunës së Prizrenit lidhur me mbajtjen e seancës së jashtëzakonshme me pikë të vetme të rendit të ditës “Shqyrtimi i gjendjes së arsimit fillor e të mesëm në Komunën e Prizrenit dhe debat ndërmjet anëtarëve të Kuvendit me kryetarin e komunës, Ramadan Muja apo me drejtorin e Drejtorisë së Arsimit, Nexhat Çoçaj, për gjendjen e krijuar në arsim”.

Duke u bazuar në ligjin për vetëqeverisje lokale “komunat kanë kompetenca të plota dhe ekskluzive, për sa i përket interesit lokal, duke i respektuar standardet e përcaktuar në legjislacionin e zbatueshëm, edhe në ofrimin e arsimit publik parashkollor, fillor dhe të mesëm, duke përfshirë regjistrimin dhe licencimin e institucioneve edukative, punësimin, pagesën e rrogave dhe trajnimin e instruktorëve dhe administratorëve të arsimit.

Dyshimet e ngritura nga opozita për problemet në arsimin fillor dhe të mesëm në komunën e Prizrenit nuk duhet parë si kritikë por mundësi për qasje më të mirë në drejtim të ngritjes së mësimdhënies dhe mësimnxënies për qytetarët e komunës sonë.

Bojkotimi i mbledhjeve nga partitë politike e veçmas nga pozita që qeverisë me pushtetin lokal të Prizrenit fletë për mos-efikasitetin e Kuvendit të komunës si organ më i lartë i vetëqeverisjes lokale që për mision duhet të ketë trajtimin e çdo shqetësimi të qytetarëve, të subjekteve politike dhe kontrollin e ekzekutivit komunal e asesi të bëhet instrument pajtues për politikat “jo të mira” të ekzekutivit komunal.

Instituti Demokratik i Kosovës, kërkon nga anëtarët e Kuvendit të Komunës që të rrisin efikasitetin e punës së Kuvendi të Komunës së Prizrenit dhe të jenë të vendosur për përfaqësimin e interesave të qytetarëve në të kundërtën mungesa e ballafaqimit për problemet që ngritën nga qytetarët dhe subjektet politike fletë për ikjen nga përgjegjësia për të mbrojtur interesin e përgjithshëm./Indeksonline/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›