KDI: Qeveria po e injoron korrupsionin

Në Ditën Ndërkombëtare Kundër Korrupsionit, Instituti Demokratik i Kosovës dhe Transparency International Kosova i dhuruan Qeverisë së Kosovës, një dhuratë brenda së cilës gjenden raporte të cilat flasin për korrupsionin në Kosovë.
Përfaqësuesit e KDI-së thanë se janë të zhgënjyer me mos reagimin e Qeverisë, ndaj të gjitha këtyre raporteve.
Merita Mustafa, nga KDI tha se kjo dhuratë e korrupsionit, është dhurata më e keqe që i ofrohet Kosovës gjatë këtij viti. Mustafa po ashtu theksoi se pakoja të cilën babadimri ia dhuroi sot Qeverisë së Kosovës përmban raporte që flasin për Korrupsionin në Kosovë, i cili po dëmton ekonominë e vendit, po nxit varfërinë dhe po cenon demokracinë në vend.
“Ne shprehim zhgënjim të madh për mos reagimin e Qeverisë, ndaj të gjitha këtyre raporteve. Qeveria deri më tani ka injoruar në vazhdimësi të gjitha këto raporte dhe është duke e injoruar problemin e korrupsionit, i cili është njëri prej problemeve kryesore në vendin tonë”, theksoi ajo.
E pyetur se pse një dhuratë e tillë nuk i është dhuruar dhe presidentes së vendit, e cila ka formuar Këshillin Anti-korrupsion, nga i cili deri më tani nuk janë parë hapa konkretë në luftimin e korrupsionit, Merita Mustafa nga KDI tha se kjo dhuratë është për tërë shtetin, jo vetëm për Qeverinë.
“Është një dhuratë që i bëhet shtetit tonë, por përgjegjësinë kryesore e bart Qeveria, sepse ajo është e obliguar të hartojë politika dhe trupa anti -korrupsion. Duhet ta themi shumë qartë se nuk ka asnjë vend tjetër në rajon, i cili ka më shumë trupa dhe mekanizma anti-korrupsion sesa Kosova. Ndërkohë që nuk kemi rezultatet konkrete në luftimin e korrupsionit”, tha ajo, transmeton RTK.
Ndryshe, pakoja të cilën baba dimri i dorëzoi Qeverisë së Kosovës, përmban pesë raporte nga organizata kredibile, si Transparency Internacional, Freedom House, KDI dhe organizatat tjera, të cilat e luftojnë korrupsionin./Indeksonline/