400 mijë euro për shtetësi maqedonase

Në rast se dëshironi të përfitoni shtetësinë e Maqedonisë si investitorë, atëherë duhet të bleni pronë me vlerë prej 400 mijë euro dhe të punësoni 10 veta.
Këto janë masat e reja për ndryshimin e Ligjit për të huaj dhe Ligjit për nënshtetësi, me qëllim të përfitimit të shtetësisë së Maqedonisë, nga investitorët e huaj.
Zëdhënësi i Qeverisë, Aleksandar Gjorgjiev theksoi se këto ndryshime do të bëhen me qëllim të përfitimit dhe tërheqjes së kapitalit të huaj.
Sipas tij, qeveria miratoi masa për ndryshimin e Ligjit për të huajt në drejtim të mundësimit që shtetasit e huaj të fitojnë interval më të madh kohor për qëndrim në Republikën e Maqedonisë dhe për marrjen e shtetësisë.
“Qëllimi është që të ketë lehtësime reale dhe stimulim të shtetasve të huaj për të investuar në Maqedoni. Kjo bëhet edhe për shkak se interesi i të huajve për të blerë prona në Maqedoni është shumë i vogël”, ka theksuar Gjorgjiev, shkruan ina.
Deri tani sipas Ligjit për të huaj, një shtetas i huaj që posedonte shtëpi apo banesë në Maqedoni, nuk ka mundësi që të ketë qëndrim të përhershëm, por mund të përfitonte vetëm qëndrim në cilësinë e turistit në afat prej më pak se 3 muaj, me ç`rast pas kësaj periudhe ai duhej të lëshojë shtetin, me qëllim që të hyjë sërish në vend dhe ti kalojë edhe tre muaj të tjera. Kjo është vlerësuar si një pengesë e madhe për shtetasit e huaj që kishin qëllime për investime dhe projekte tjera.
Me masën e parë, çdo shtetas i huaj që blen pronë (shtëpi apo apartament) në Maqedoni, me një vlerë së paku 40 mijë euro, menjëherë mund të përfitojë qëndrim njëvjeçar në Maqedoni, me mundësi që më pas të plotësojë kushtet edhe për të aplikuar për shtetësinë e këtij vendi.
Ndërsa me masën e dytë të ndryshuar, një shtetas i huaj nëse investon 400 mijë euro dhe punëson 10 veta, ai menjëherë do të marrë shtetësinë dhe pasaportën e Maqedonisë. Kjo masë e re vlen për të gjithë shtetasit e huaj./Indeksonline/