E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vetëvendosje: Të mbrohet paraja publike

Lëvizja Vetëvendosje, duke u bazuar në disa raportime të mediave ditëve të fundit rreth hetimeve që EULEX po i bën Komunës së Prishtinës lidhur me, siç thonë mediat, “keqpërdorimet në projektet e ndërtimit të shesheve “Zahir Pajaziti” dhe “Ibrahim Rugova”, ka thënë se këto dyshime ata i kanë shprehur qysh në shtator të këtij viti “me fakte”.

“Tri herë i kemi kërkuar publikisht Prokurorisë së Republikës së Kosovës që të fillojnë hetimet lidhur me ndërtimin e shesheve. Mirëpo prokuroria po hesht. Sa herë që bëhet fjalë për hetimin e mundshëm të figurave “të larta” politike, po na shfaqet EULEX-i. EULEX-i nuk ka ndarë dhe as që do të ndajë drejtësi në Kosovë. EULEX-i po i përdor rastet e korrupsionit, për disiplinim politik në këtë rast të zyrtarëve LDK-së, në mënyrë që të përkrahen nga kjo e fundit proceset në dëm të Kosovës, siç është dialogu pa parime e pa kushte me Serbinë”, thuhet në reagimin e Vetëvendosjes, qendra Prishtinë.

Ky subjekt politik opozitar i ka bërë thirrje edhe një herë Prokurorisë së Kosovës që të nisë hetimet për keqpërdorimin në ndërtimin e shesheve në Prishtinë.

“Njëkohësisht kërkojmë që prokurorëve të Republikës së Kosovës, t’u krijohen kushtet, që të hetojnë në mënyrë të pavarur secilin rast të keqpërdorimit të parasë publike. Ne, por dhe qytetarët, kërkojmë drejtësi dhe mbrojtje të parasë publike e jo disiplinim politik”, përfundon reagimi i Lëvizjes Vetëvendosje.

Indeksonline kishte informuar para dy ditëve, se EULEX ka filuar hetimet për keqpërdorimet në projektet e ndërtimit të shesheve “Zahir Pajaziti” dhe “Ibrahim Rugova”./Indeksonline/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›