VV: Dita e korrupsionit u shënua me korrupsion

Në ditën ndërkombëtare kundër korrupsionit Vetëvendosje! ka reaguar duke duke përmendur rastet që i konsideron më të mëdhatë në korrupsion.
Theksin e kanë vënë tek skandalet e raportuara të aferave korruptive për Ministrinë e Punëve të Brendshme.
“Pikërisht në këtë ditë, ne marrim lajmin për skandalin e radhës së Ministrisë së Punëve të Brendshme. Një aferë tjetër korruptive ku raportohet të jenë përvetësuar rreth dyqind mijë euro nga tenderi për prodhimin e targave të automjeteve në Kosovë. Ndërkohë drejtuesi i po kësaj Ministrie, Bajram Rexhepi deklaron se s’do të japë dorëheqje meqë po lufton seriozisht korrupsionin. Kësaj afere i parapriu skandali i pasaportave dhe 1.4 milion eurove rreth dyjavë më herët, të cilit po ashtu i kishin paraprirë vjedhja në dhomën e dëshmive dhe fshehja e provave. Me avazin e këtyre skandaleve, nuk mund të presim nga kjo Ministri, e as nga kjo Qeveri, të ketë përfunduar ndonjë tender pa përvetësim parash” thuhet në komunikatën e kësaj lëvizjeje.
Sipas tyre, Bajram Rexhepi nuk po lufton korrupsionin, ai vazhdimisht po merr pjesë në afera korruptive.
Ata kanë përmendur poashtu rate të tjera që janë projekte të kësaj qeverie e janë raportuar si shkelje dhe korrupsion. “Njëjtë dhe me rastin e kontratës së Bechtel-Enka dhe faktin që qytetarët e këtij vendi nuk morën asnjëherë përgjigje pse po paguajnë shumë herë më shtrenjtë për këtë rrugë. Po ashtu dhe me Kontratën për privatizimin e KEDS nga Limak-Çalik dhe mbledhjen e borxhit të qytetarëve. E paraprirë nga çështja e privatizimit të Hotel Grandit, ajo e Ferronikelit dhe e pjesës më të madhe të proceseve të privatizimit në Kosovë”
Komunikata përfundon se lufta kundër korrupsionit fillon nga institucionet, por nuk ndalet tek to./Indeksonline./