E Diel, 1 Nëntor 2026

Koalicioni Thaçi - Haradinaj mund të afroj Aliun dhe Menduhin

Afrimi i liderit të AK-së, Ramush Haradinaj me liderin e PDK-së, Hashim Thaçi mund të ndikojë pozitivisht në afrimin e liderëve shqiptarë në Maqedoni, Ali Ahmetin e BDI-së me Menduh Thaçin e PDSH-së.

Ramush Haradinaj është i afërt me Menduh Thaçin dhe mund të ndikojë pozitivisht tek ai për t’i zgjat dorën e bashkëpunimit Ali Ahmetit, ndërsa Hashim Thaçi është i afërt me Ali Ahmetin dhe mund të kontribuojë në të njëjtën mënyrë tek ai, shkruan gazeta “Lajm” e Maqedonisë.

BDI dhe PDSH nuk dëshirojnë të komentojnë asgjë, ata mbeten në qëndrimet e mëparshme në lidhje me bashkëpunimin, ndërkaq analistët janë të ndarë, disa mendojnë se afrimi i liderëve të Kosovës mund të ndikojë në afrimin e liderëve shqiptar në Maqedoni, ndërsa disa të tjerë mendojnë se nuk mund të ndikojë.
“Nuk komentojmë asgjë në lidhje me këtë çështje. Lideri ynë e ka treguar qëndrimin e vet që më herët”, tha zëdhënësi i PDSH-së, Agon Ferati.

Thaçi para disa javëve tha se do ta mbështesë BDI-në për Kërçovën, ndërkaq për të bashkëpunuar më gjerë me BDI-në, ai kërkoi që ajo të dalë nga Qeveria Gruevski.
Ndërsa nga BDI “Lajm” nuk arriti të marrë asnjë lloj përgjigjeje.

Analisti, Ismet Ramadani besoj se edhe më tutje politika kosovare ka impakt, ka ndikim në politikën shqiptare në Maqedoni. “Afrimi i Ramush Haradinajt me Hashim Thaçin si dy liderë të dy partive mund të ketë ndikim dhe unë shpresoj se do të ketë edhe vullnet të mirë për të ndikuar që edhe këto dy parti më të mëdha shqiptare në Maqedoni BDI dhe PDSH, të afrohen, deri aty ku qartë do të vijëzohej ajo që është me interes kombëtar, me interes shqiptarë. Mendoj se kjo do të jetë mjaft pozitive sa i përket zhvillimeve politike këtu në Maqedoni”, tha Ramadani.

 Ndërkaq, analisti nga Kosova Baton Haxhiu mendon se afrimi i liderëve kosovarë nuk mund të ndikojë në afrimin e liderëve shqiptarë në Maqedoni, pasi në Maqedoni ka probleme parimore të kulturës politike. “Nuk besoj, nuk ka aq afërsi sa të ndikojë në afrimin e dy liderëve në Maqedoni, për arsye se atje ka probleme parimore të kulturës politike si divergjenca mes Menduh Thaçit dhe Ali Ahmetit që kanë të bëjnë me të ardhmen e Maqedonisë. Maqedonasit luajnë me teza nacionaliste, po ashtu edhe shqiptarët kanë nis të luajnë me të njëjtën tezë. Retorika me teza nacionaliste është e dëmshme”, tha Haxhiu

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›