KDI: Tri ministri me keqpërdorime

IInstituti Demokratik i Kosovës (KDI)/ TrasparencyInternational Kosova (TIK), ka mbajtur sot një konferencë për media në të cilën ka publikuar raportin përmbledhës për monitorimin e procesit të prokurimit publik për tri ministri të Qeverisë së Kosovës: Ministrinë e Shëndetësisë, Ministrinë e Infrastrukturës dhe në Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural.
Merita Mustafa, Menaxhere e Programit, tha se sipas raporteve të KDI-së mund të konkludohet se paraja publike në këto tri ministri vazhdon të shfrytëzohet në mënyrë të pakujdesshme dhe pa vënë në funksion mekanizmat e mirëfilltë të kontrollit , të cilët do të kishin siguruar që taksat e qytetarëve të përdoren në mënyrë të drejtë dhe racionale”. Nga mungesa e përgjegjësisë së këtyre ministrive dhe mungesa e llogaridhënies ndaj qytetarëve, ka projekte të cilat po vonohen vazhdimisht apo edhe të tilla që nuk fillojnë fare. Ka raste kur projektet realizohen, mirëpo devijojnë nga kriteret e përcaktuara, duke dëmtuar cilësinë me gjithë shumat parave që paguhen për to", tha ajo.
Ndërsa sa i përket aspektit të transparencës i cili është element shumë i rëndësishëm që mund të ndihmoj për të zbuluar manipulimet dhe parregullsitë në procedurat e tenderimit, Mustafa ka deklaruar se, problem mbetet mungesa e qasjes në dokumente zyrtare e cila ka qenë më shumë e shprehur tek Ministria e Infrastrukturës. Transparenca po ashtu mbetet e mangët dhe nuk aplikohet tek publikimi i tenderëve nën vlerat 10 mijë euro, për të cilat kompanitë vendore megjithëse kanë një interesim të madh ato ankohen se nuk informohen. "Fenomen tjetër që është vërejtur gjatë këtij hulumtimi është edhe mosrespektimi i afateve kohore për parashtrimin e ankesave nga ana e bizneseve. Ky problem është paraqitur tek Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural", tha Mustafa.
Isuf Zejna po nga KDI, ka thënë se për këtë periudhë raportuese janë hasur 4 kontrata për të cilat veçanërisht janë ngritur dyshime rreth ligjshmërisë së tyre. "Rasti i parë ka të bëjë me “insulinat”, për të cilin produkt Ministria e Shëndetësisë paguan miliona euro çdo vit, pasi i njëjti barëështënë listën esenciale. Mirëpo përkundër se insulina blihet nga Ministria, e njëjta po shitet në barnatoret private.", tha Zejna.
Ai pohoi se KDI e ka vërtetuar këtë pas një hulumtimi që ka bërë, duke blerë insulinë dhe më pas i ka krahasuar nëse ato janë pronë e Ministrisë së Shëndetësisë. "E njëjta e gjetur është konfirmuar nga vetë zyrtarët e MSH, të cilët përmes numrave serik e kanë vërtetuar këtë pohim të KDI-së". Zejna tha se e jashtëligjshme është konsideruar edhe blerja e vaksinave nga UNICEF, përmes një memorandumi mirëkuptimi ku të gjitha procedurat e prokurimit i kryen UNICEF, ndërkohë që paratë paguhen avans dhe nuk nënshkruhet deklarata e cilësisë. "Kjo për arsye se Ligji i Prokurimit Publik anashkalohet me këtë proces dhe po ashtu nuk respektohet as Ligji për Menaxhimin e Financave Publike dhe Përgjegjësitë. Regjistrimi i këtyre vaksinave sipas ligjeve të Kosovës është një e gjetur tjetër, pasi që vaksinat nuk janë të regjistruara në Kosovë", tha ai.
Gjithashtu edhe për Ministrinë e Infrastrukturës, sipas Zejna janë gjetur dy kontrata të cilat kanë probleme. "Kontrata për Sinjalizim, në të cilën çmimi për ndriçimin e rrugëve për dritat LED është kontraktuar për 6 euro, ndërkohë që çmimet e tregut janë 200 euro mesatarisht. Kjo kontratë është në kundërshtim me Ligjin për Prokurimin Publik, për shkak se është jo normalisht e ulët dhe për këtë shkas është dashur të mos kontraktohet nga MI. Përkundër se të gjitha afatet kontraktuale kanë kaluar për kryerjen e punëve, këto drita as njëherë nuk janë vendosur në rrugët e Kosovës dhe për më tepër MI nuk i ka shqiptuar asnjë gjobë kompanisë". Edhe ndërtimi i rrugës Majac-Lupç i Epërm – Popovë, është konstatuar se ka probleme në zbatim të kontratës, pasi që puna është paraparë të kryhet për 125 ditë, ndërkohe që kanë kaluar 100 ditë pune dhe kontrata nuk është as afër përfundimit. Përkundrazi ajo është në fazën krejt fillestare të zbatimit. As në këtë kontratë nuk janë shqiptuar gjoba për vonesë në kryerjen e punëve. /Indeksonline/