Ligji për ndërtime ndesh Komunën me Ministrinë e Planifikimit Hapësinor

Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor ka shfuqizuar vendimin e Komunës së Prishtinës, pasi kjo e fundit nuk e ka pajisur me leje kompaninë “Mabetex” për ndërtimin e objektit qendra sportive rekreative në zonën industriale.
Refuzimi ka ardhur për shkak se kompania “Mabetex” ka kërkuar nga Komuna që tarifa për taksën administrative t’i caktohet në bazë të ligjit të ri, gjë të cilën Komuna nuk e ka bërë. Zyrtarë komunalë thonë se periudhën kur e kanë nxjerrë vendimin ka qenë në fuqi ligji i vjetër dhe se pa kaluar tetë muaj, që nga miratimi i ligjit të ri në Kuvend ai nuk mund të zbatohet.
Ata thonë se këtë e parasheh edhe Ligji i ri për ndërtimet, ndërkaq neni 38-Dispozitat kalimtare dhe përfundimtare precizon se pas tetë (8) muajsh nga hyrja në fuqi e këtij ligji, normat e aprovuara do të bëhen efektive dhe procesi për aprovimin e normave do të bëhet sipas këtij ligji.
Por, pavarësisht kësaj “Mabetex” ka ushtruar ankesë kundër Aktvendimit të Drejtorisë për urbanizëm, ndërtim dhe mbrojtje të mjedisit, për shkak të, siç thuhet në vendim “moszbatim të ligjit të ndërtimit në fuqi”. Pala i ka propozuar MMPH-së që të anulojë Aktvendimin e Drejtorisë së urbanizmit, kurse ankesa është aprovuar si e bazuar.
“Pas shqyrtimit dhe administrimit të provave u konstatua se organi i shkallës së parë nuk ka vendosur në mënyrë të drejtë për çështjen juridiko-administrative, prandaj organi i shkallës së dytë me vendim e kthen lëndën në rishqyrtim”, thuhet në vendimin e MMPH-së.
Nga ana tjetër, zyrtarë të Drejtorisë për urbanizëm, ndërtim dhe mbrojtje të mjedisit pranë Komunës së Prishtinës i kanë thënë gazetës se vendimin e kanë nxjerrë në nëntor të vitit të kaluar, ende pa kaluar dispozitat kalimtare për Ligjin e ri për ndërtime.
Behxhet Musliu, drejtor për Urbanizëm, tha se e kanë njoftuar palën, kompaninë “Mabetex” se tarifa për taksën komunale do t’i caktohet në bazë të ligjit të vjetër, pasi i riu ende nuk ka hyrë në fuqi. Sa i përket taksës administrative që duhet paguar ndërtuesi, Musliu thotë se nuk e kanë shumën totale, pasi ajo duhet llogaritur në bazë të projektit ku përfshihet hapësira e lokaleve, tarraca, bodrumit etj. E derisa të paguhet taksa administrative, Komuna thotë se nuk mund të jepet leja për ndërtim të objektit./Ineksonline/