KDI-ja kërkon publikimin e vendimeve për koncesionimin e pronës komunale në Prizren

Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka kërkuar nga kryesuesi i Kuvendit Komunal të Prizrenit, Nijazi Kryeziu, transparencë më të madhe në lidhje me vendimet e marra nga legjislacioni për dhënien në shfrytëzim të pronës komunale. Kjo organizatë
ka vlerësuar se për shkak të mungesës së materialit adekuat publiku nuk është njoftuar si duhet në lidhje me rikonfirmimin e disa vendimeve për dhënien në shfrytëzim të pronës publike, në bazë të instruksioneve të MAPL-së.
"KDI-ja si të gjetur gjatë muajit të kaluar ka identifikuar rikonfirmim e vendimeve nga mbledhja e Kuvendit të datës 18 tetor 2012, për dhënien në shfrytëzim të pronës komunale me koncesion, të harmonizuara sipas modelit të vendimit të MAPL-së. Mungesa e materialit për këtë çështje dhe marrja e vendimit nga ana e anëtarëve të Kuvendit të Komunës së Prizrenit lë dyshime të mëdha se cilat nga ato vendime janë rikonfirmuar dhe sipas cilit model të MAPL-së", ka thënë Naim Cahanaj, koordinator i KDI-së.
Ai ka vlerësuar se për shkak se bëhet fjalë për pronën komunale, që drejtpërdrejt lidhen me interesat e qytetarëve, KK-ja dhe kryesuesi duhet të tregohen shumë më transparentë në këtë drejtim.
"KDI-ja kërkon nga kryesuesi i Kuvendit të Komunës së Prizrenit që rikonfirmimi i vendimeve të seancës së 18 tetorit të risellet në seancë e radhës me qëllim të pasqyrimit më të qartë të vendimeve të Komunës së Prizrenit të kësaj date që kishin të bënin rreth dhënies në shfrytëzim të pronës komunale", ka deklaruar ai.
Në uebfaqen e Komunës së Prizrenit figuron se në tetor të vitit të kaluar KK-ja ka marrë vendime për dhënien në shfrytëzim me koncesion të pronës komunale në tri raste. Në rastin e parë prona komunale me koncesion është dhënë me qëllim të ndërtimit të kompleksit afarist-banesor në lagjen "Jeni Mahalla", në rastin e dytë për realizimin e ndërtimit të bllokut urbanistik "Z-3" dhe në rastin e tretë për ndërtimin e bllokut urbanistik "Z-2". Mirëpo, në mbledhjen e mbajtur në shkurt të këtij viti këto vendime janë rikonfirmuar dhe harmonizuar sipas "model vendimit të MAPL-së". Por në uebfaqen zyrtare të komunës mungojnë të dhënat në lidhje me vendimet e KK-së të miratuara në seancën e mbajtur në muajin shkurt të këtij viti.
Transparenca e organeve komunale muaj më parë ishte kritikuar edhe nga OJQ-ja "Ec Ma Ndryshe", monitoruesit e të cilës patën theksuar se ka rrjedhë të ngadaltë të informatave dhe dokumenteve nga të gjitha organet te Zyra për informim dhe komunikim, gjë që sipas tyre sjell deri te mos publikimi i vendimeve në kohë reale dhe mosinformimi i duhur i publikut për çështje të ndryshme relevante.
"Kjo dukuri bën që edhe transparenca e organeve komunale të ketë defekte serioze, që nuk përkon me zotimet për qeverisje llogaridhënëse", ka thënë Elmedina Baxhaku, monitoruese e "Ec Ma Ndryshe"./Indeksonline/