Zvarritet asfaltimi i rrugës së fshatit Lladovë të Gjilanit

Banorët e fshatit Lladovë të Gjilanit kërkojnë asfaltimin e rrugës trikilometërshe që lidh këtë fshat me Komunën e Vitisë. Habib Mahmuti, përfaqësues i fshatit Lladovë të Gjilanit, ka thënë se ka vite që u ishte premtuar asfaltimi i rrugës që lidh këtë fshat me Vitinë, por që nuk ka asgjë nga ky premtim. ”Rruga e cila e lidh fshatrat Lladovë e Nasalë është në një gjendje të keqe, duke mos pasur asnjë mundësi për riparimin e saj. Kemi kërkuar dhjetëra herë nga zyrtarët komunalë që të dalin në terren ta shohin gjendjen e kësaj rruge e të marrin iniciativa për asfaltimin e saj”, ka thënë ai. Sipas Mahmutit, me asfaltimin e kësaj rruge banorët e fshatit do të përfitonin shumë, ngase rruga për në Komunën e Vitisë do të shkurtohej, do t’u siguronte dalje më të lehtë për në fshatin Remnik të kësaj komune. “Nga qeverisja lokale në Gjilan janë dhënë premtime dhe është bërë projekti më 2009 për asfaltimin e kësaj rruge. Por, megjithatë, projekti ka mbetur vetëm në letër”, ka thënë ai.
Mahmuti thekson se është kërkesë e qytetarëve të këtyre zonave që në një afat sa më të afërt të nisë implementimi i projektit në fjalë, ose të hartohet projekti i ri për asfaltimin e rrugës Lladovë – Nasalë, duke shpresuar se kërkesa do të merret në shqyrtim.
Edhe Xhabir Sherifi, banor i këtij fshati, thotë se ka adresuar kërkesa disa herë në drejtim të institucioneve komunale për asfaltimin e kësaj rruge, por që deri tashti nuk kanë marrë ndonjë përgjigje konkrete.
“Kemi kërkuar disa herë nga Komuna që të nisë projekti i asfaltimit dhe t’u mundësohet banorëve të kenë qasje më të lehtë me fshatrat përreth, sepse gjendja është e keqe dhe duhen masa urgjente në riparim”, ka thënë ai. Ndryshe, zyrtarë të Shërbimeve Publike të Gjilanit kanë thënë se nuk kanë buxhet të mjaftueshëm që këtë rrugë ta asfaltojnë më mjete vetjake, duke shtuar se pa ndihmën e Ministrisë së Transportit nuk mund të premtohet se kjo rrugë do të këtë gjasa të riparohet, apo të asfaltohet në tërësi.
”Iu është bërë e ditur edhe banorëve se Komuna nuk ka buxhet të mjaftueshëm për asfaltimin e kësaj rruge, por nëse premtohet diçka konkrete nga Ministria... do t’i shikojmë mundësitë për marrjen e masave për ndërhyrje në të,” ka thënë Behar Mehmeti, drejtor i Shërbimeve Publike në Gjilan.
Ai ka theksuar se disa herë janë riparuar gropat në fshatrat Lladovë e Nasalë, po vjetërsia e asfaltit e bën të veten, duke shtuar se ka ardhur koha që në kësaj rruge t’i vihet një shtresë e re asfalti. Ndryshe, edhe rruga e fshatit Nasalë e Gjilanit është në një gjendje të keqe, në të cilën gravitojnë 450 banorë. Rruga e fshatit Lladovë së bashku me atë të fshatit Nasalë e lidh Gjilanin me Komunën e Vitisë , nëpërmjet rrugës së fshatit Remnik./Indeksonline/