E Shtunë, 31 Tetor 2026

KDI me “dhuratë” për qeverinë e korruptuar

Në Ditën Ndërkombëtare Kundër Korrupsionit, Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) dhe Transparency International Kosova (TIK), i dhuruan Qeverisë së Kosovës, një dhuratë brenda së cilës gjenden raporte të cilat flasin për korrupsionin në Kosovë.

Babadimri në këtë fundvit, dhuratën e mbushur me raporte që flasin për korrupsion, e la pranë ndërtesës së Qeverisë së Kosovës.

Merita Mustafa, nga KDI tha se kjo dhuratë e korrupsionit, është dhurata më e keqe që i ofrohet Kosovës gjatë këtij viti. Mustafa po ashtu pohoi se pakoja të cilën babadimri ia dhuroi sot Qeverisë së Kosovës përmban raporte që flasin për Korrupsionin në Kosovë, i cili po dëmton ekonominë e vendit, po nxit varfërinë dhe po cenon demokracinë në vend.

“Kemi vendosur që sot në ditën ndërkombëtare kundër korrupsionit, t’i japim Qeverisë një dhuratë e cila është një pako që përmban raporte të korrupsionit për Kosovën. Janë disa raporte të organizatave më kredibile në botë dhe kjo është dhurata më e keqe që i ofrohet Kosovës për këtë vit. Ne shprehim zhgënjim të madh për mos reagimin e Qeverisë, ndaj të gjitha këtyre raporteve. Qeveria deri më tani ka injoruar në vazhdimësi të gjitha këto raporte dhe është duke e injoruar problemin e korrupsionit, i cili është njëri prej problemeve kryesore në vendin tonë”, pohoi Mustafa.

Mustafa po ashtu tha se në raportet që iu dhuruan Qeverisë së vendit, flitet për nivel të lartë të krimit ekonomik dhe për një administratë të dobët publike, e cila është tërësisht e politizuar dhe që përmban njerëz jo të kualifikuar. E pyetur se pse një dhuratë e tillë nuk i është dhuruar dhe presidentes së vendit, e cila ka formuar Këshillin Anti-korrupsion, nga i cili deri më tani nuk janë parë hapa konkretë në luftimin e korrupsionit, Mustafa tha se kjo dhuratë është për tërë shtetin, jo vetëm për Qeverinë, por se përgjegjësinë me të madhe në luftimin e korrupsionit e ka kjo qeveri, e cila sipas saj është e obliguar të hartojë politika që do ta luftonin këtë dukuri, kaq të pranishme tek ne.

“Është një dhuratë që i bëhet shtetit tonë, por përgjegjësinë kryesore e bart Qeveria, sepse ajo është e obliguar të hartojë politika dhe trupa anti -korrupsion. Duhet ta themi shumë qartë se nuk ka asnjë vend tjetër në rajon, i cili ka më shumë trupa dhe mekanizma anti-korrupsion sesa Kosova. Ndërkohë që nuk kemi rezultatet konkrete në luftimin e korrupsionit. Kjo dhuratë duhet të shërbejë për qeverinë si bazë e fortë që ta nis punës drejt luftimit të korrupsionit, sepse dëmet dhe pasojat janë shumë të mëdha”, pohoi Mustafa.

Ndryshe, pakoja të cilën baba dimri i dorëzoi Qeverisë së Kosovës, përmban pesë raporte nga organizata kredibile, si Transparency Internacional, Freedom House, KDI dhe organizatat tjera, të cilat e luftojnë korrupsionin. /kosovapress/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›