KE: "Gërdeci" të jetë një proces i lirë dhe transparent
Progres-raporti vjetor për Shqipërinë, publikuar dje nga Komisioni Europian, ndalet gjatë në atë çka u cilësua tragjedia e Gërdecit. "Prokuroria e Përgjithshme përmbylli hetimin mbi shpërthimin e vitit 2008 në depon e municioneve në Gërdec. 29 padi, përfshirë edhe atë ndaj ministrit të Mbrojtjes, ju dërguan Gjykatës së Lartë. Procesi u shty disa herë me arsye procedurale dhe Gjykata e Lartë vendosi në shtator pezullimin e çështjes kundër ministrit të Mbrojtjes, duke iu referuar imunitetit që ai mori si anëtar i Parlamentit të ri", thuhet në raportin e Komisionit Europian. Me qëllim rritjen e besueshmërisë në luftën ndaj korrupsionit, thotë raporti, është i nevojshëm një proces i lirë dhe transparent që të dënojë të gjithë personat përgjegjës, pavarësisht pozicionit të tyre. "Konstatohet se është bërë pak progres në evidentimin e të metave të standardeve të sigurisë, që ishin pjesë e investigimit të Gërdecit", thotë Komisioni Europian. Teksa flet për përbërjen e re të qeverisë "Berisha" thuhet se Fatmir Mediu u zgjodh në postin e ministrit të Mjedisit, edhe pse ishte ministër i Mbrojtjes në qeverinë e mëparshme dhe u dorëhoq pas shpërthimit të Gërdecit. "Gjykata e Lartë mbylli çështjen kundër tij në shtator, për shkak të rizgjedhjes së Mediut si anëtar i Parlamentit", thotë raporti. Komisioni Europian sqaron se marrëdhëniet midis institucioneve vazhdojnë të jenë herë pas here të vështira. "Tendenca e ekzekutivit për të ushtruar kontroll mbi pavarësinë e institucioneve, në veçanti atyre të sistemit të drejtësisë ka shfaqur shqetësim", thotë raporti i Komisionit Europian. KE konstaton se është bërë një progres i paktë në kompletimin e bazës ligjore për reformën në sistemin e drejtësisë. "Miratimi i akteve të nevojshme për zbatimin e ligjit mbi pushtetin gjyqësor ka përparuar me shumë ngadalësi. Ligji për Këshillin e Lartë të Drejtësisë dhe ligji për krijimin e Gjykatës Administrative ende nuk janë miratuar. Kapacitetet administrative të Këshillit të Lartë të Drejtësisë mbeten të dobëta. Përpjekjet e qeverisë për të kufizuar pavarësinë e drejtësisë kanë politizuar debatin mbi reformën në drejtësi dhe e kanë penguar progresin", nënvizohet në raport. Në përgjithësi KE thotë se reforma në gjyqësor mbetet ende në fazat e para. "Legjislacioni për këtë reformë nuk është miratuar ende. Sistemi i drejtësisë vazhdon të funksionojë dobët për shkak të mungesës së pavarësisë, transparencës dhe eficiencës të cilat janë problemet që KE kërkon të adresohen", thotë raporti. Në dokument vihet re një përzierje në kompetencat midis Ministrisë së Drejtësisë dhe Këshillit të Lartë të Drejtësisë sa i takon inspektimeve në gjyqësor. Këto kompetenca kërkohet të qartësohen. "Inspektimet nga të dyja palët e inspektorateve dhe masat disiplinore që jepen ndaj gjyqtarëve shpesh plotësojnë standardet europiane dhe cenojnë pavarësinë e gjyqësorit. Miratimi i ligjit mbi Këshillin e Lartë të Drejtësisë do të mund të zgjidhë këtë aspekt", thotë raporti. Aksesi i publikut për vendimet e Gjykatave konsiderohet ende një shqetësim serioz dhe që kërkon zgjidhje. KE konstaton se buxheti për gjyqësorin është rritur në vitin 2009, por ai është i pamjaftueshëm për funksionimin e mirë të administratës gjyqësore.