E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zgjedhjet, jo me të gjitha standardet. Vizat?

Referuar çështjes së lëvizjes së lirë, raporti vjetor i Komisionit Europian thotë se në përgjithësi Shqipëria ka bërë përparim, por se nevojiten të tjera përpjekje për të qenë në përputhje me standardet ndërkombëtare. Edhe sa i takon menaxhimit të kufijve, KE thotë se Shqipëria përmbush pjesërisht kriteret e kërkuara. Po pjesërisht konstatohet edhe përmbushja e angazhimeve sa i takon çështjes së azilit. Raporti thotë se ligji i ri mbi azilin ende nuk është zbatuar. Komisioni Europian thotë se Shqipëria duhet të rrisë përpjekjet për luftën ndaj emigracionit të paligjshëm dhe se pavarësisht progresit duhet të rritur kapaciteti administrative. KE i referohet raportit të OSBE/ODIHR-it për zgjedhjet, teksa thotë se procesi i qershorit përmbushi pjesën kryesore të standardeve të OSBE-së, por nuk realizoi plotësisht potencialin e Shqipërisë për të arritur standardet më të larta demokratike për zgjedhjet. Vlerësohet progresi i vënë re për identifikimin e votuesve dhe administrimin zgjedhor, por konstatohet se problemet teknike, siç është edhe numërimi i votave, mbeten çështje që duhen përmirësuar. KE konstaton se kultura e dialogut mes forcave kryesore politike mungoi pak përpara zgjedhjeve parlamentare. Kjo vlerësohet se pengoi zbatimin e shumë reformave juridike. Sesionin e shkuar, Parlamenti ishte i paaftë të kryente këto reforma për shkak të bojkotit të disa partive. Debati u përqendrua fillimisht te adaptimi i Kodit Zgjedhor dhe te modalitetet e pajisjes me karta identiteti. Lidhur me ndryshimin e Kodit Zgjedhor, disa parti u mbyllën në një grevë urie. Komisioni Europian thotë se është e nevojshme rivendosja e dialogut politik në emër të kryerjes së reformave europiane. Duke iu referuar përgatitjes së zgjedhjeve, vihet re progresi në implementimin e rekomandimeve të OSBE/ODIHR-it dhe konkretisht me krijimin e regjistrit të zgjedhësve. "Referuar Kodit Zgjedhor, vetëm kartat e identitetit dhe pasaportat mund të përdoren për identifikimin e zgjedhësve për qëllime votimi. Shpërndarja e kartave për personat e pa pajisur me pasaporta filloi në janar 2009 por u mbyll shumë vonë. Kostoja e një karte identiteti u kthye në një çështje të debatueshme gjatë procesit elektoral. Në ditën e zgjedhjeve, nuk pati mosmarrëveshje për çështjen e kartave, por disa parti gjithsesi shfaqën dyshimet e tyre", thotë KE. Duke ju referuar Parlamentit thuhet se zgjedhjet dominuan axhendën e tij dhe se si rezultat nuk u vu re shumë progres sa i takon reformave dhe konkretisht si ajo në sistemin e drejtësisë. Komisioni Europian thotë se menaxhimi i Kuvendit në tërësi ka njohur aspekte pozitive. Është vënë re një ulje e numrit të komisioneve hetimore parlamentare, ndërsa administrata ka filluar të botojë debatet e mbledhjeve të komisioneve. Gjithsesi, vlerësohet se implementimi i buxhetit dhe aspekteve financiare të Kuvendit ka mbetur sërish në mungesë transparence. "Parlamenti vetëm pjesërisht ka luajtur rolin e tij si mbikëqyrës i ekzekutivit. Kërkohet që Kuvendi të bëjë progres në drejtim të forcimit të performancës së tij në aspektin e kontrollimit të procesit legjislativ", thotë raporti.

D.M.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›