Këshilli Drejtues i "Albautorit": Kemi çfarë të provojmë në gjyq

Presidenti Pirro Çako flet për shkelje, abuzimet, të bëra nga administrata dhe drejtori Artan Tozaj, gjatë kohës së drejtimit të Agjencisë.
Këto dhe të tjera dokumente Këshilli do t'i paraqesë në gjyqin e hapur nga Tozaj
Pas vendimit të 15 shkurtit, në bazë të ligjit "Për të drejtën e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me të" për lirimin nga detyra të drejtorit Artan Tozaj dhe emërimit në këtë post të Idar Bistrit, Agjencia e Artistëve të Veprave Muzikore dhe Audiovizuale, është njoftuar nëpërmjet medias për një padi që Artan Tozaj ka ngritur në Gjykatën e Tiranës.
Qysh prej një jave, zyrat e "Albautorit" janë të bllokuara nga Tozaj, dhe anëtarët e Këshillit Drejtues janë zhvendosur përkohësisht në ambiente të tjera, duke pezulluar kështu edhe kryerjen e veprimtarive.
Lidhur me anomalinë e krijuar në këto rrethana, presidenti i Albautorit, Pirro Çako deklaron: "Padia e z. Tozaj dhe veprimet e tij abuzive e të paligjshme për uzurpimin e "Albautor", shkojnë në kundërshtim me vullnetin e anëtarëve të "Albautorit", të cilët janë pronarët e vërtetë të agjencisë dhe përmes saj kërkojnë mirëadministrimin e shoqërisë së tyre në mënyrë ligjore dhe të drejtë.
Zotërues i "Albautorit" janë anëtarët e tij, në radhët e të cilëve z. Tozaj i ri nuk bën pjesë dhe të cilët mbrojnë të drejtat e veta ligjore e kolektive nëpërmjet kësaj agjencie, në dallim nga interesat e errëta e ilegjitime të cilat kërkon të realizojë z. Tozaj nëpërmjet veprimeve të veta obstruksioniste.
Të gjitha këto, por edhe shumë dokumente të tjera, Këshilli Drejtues do t'i paraqesë në gjykatë për të vërtetuar faktin e thjeshtë se agjencia "Albautor" është në duart e anëtarëve të saj dhe nuk mund të jetë në duart e askujt tjetër".
Presidenti i "Albautor"-it përmend në deklaratë shkeljet, defektet, abuzimet e bëra nga administrata dhe drejtori i shkarkuar, që kanë çuar në mosfunksionimin, ose funksionimin e keq të Agjencisë.
E para u radhit mosnjohja e të drejtave legjitime të anëtarëve që e përbëjnë këtë agjenci, siç është shpërblimi në raste përdorimi të veprave të tyre muzikore, funksioni kryesor i "Albautorit".
"Për më tepër, nga administrata e agjencisë, nuk u zbatua Statuti i Albautorit për mbledhjen e Asamblesë së Përgjithshme të anëtarëve, gjë që u bë e mundur vetëm më 9 Dhjetor 2009, pas gati 15 vjetësh!?"
Asambleja e përgjithshme e anëtarëve, gjatë analizës dhe diskutimeve të anëtarëve konstatoi me shqetësim se administrata dhe drejtori i "Albautorit" nuk kishin kryer detyrën e tyre, e për më tepër veprimtaria e agjencisë nuk ishte transparente dhe në përputhje me ligjin e aktet e tjera statutore, duke lënë shteg për abuzime dhe përfitime të paligjshme", shpjegon Çako dy motive të tjera që e çuan Këshillin Drejtues në shkarkimin nga detyra të Tozajt.
Agjencia "Albautor" është agjencia më e madhe dhe më e vjetër e të drejtave të autorit të artistëve krijues në Shqipëri, e krijuar mbështetur në ligjin "Për të drejtën e autorit".
Në të bëjnë pjesë krijuesi të muzikës shqiptare si Çesk Zadeja, Feim Ibrahimi, Tonin Harapi, Thoma Gaqi, Hajg Zaharian, Limoz Dizdari, Pjetër Gaci, Avni Mula, Luan Zhegu, Flamur Shehu, krahas emrave të autorëve më të rinj si Ardit Gjebrea, Endri Sina, Edmon Zhulali, Alfred Kaçinari, Shpëtim Saraçi, Ardian Hila, Kristi Popa, Klodian Qafoku, Kujtim Prodani etj.; bëjnë pjesë edhe poetë e autorë tekstesh për këngë si Bardhyl Londo, Jorgo Papingji, Arben Duka, Agim Doçi etj.
Këshilli Drejtues i "Albautorit" përbëhet nga Pirro Çako (president), Jorgo Papingji (anëtar), Nestor Kraja (anëtar), Shpëtim Saraçi (anëtar), Vasil S. Tole (anëtar).