E Shtunë, 31 Tetor 2026

KE: Mbështesim Greqinë për emigracionin klandestin

BRUKSEL - “Komisioni Europian e ka mbështetur dhe do të vazhdojë ta mbështesë Greqinë në përpjekjet për përballimin e emigracionit klandestin, por përgjegjësinë kryesore e kanë autoritetet greke”, deklaroi komisionerja evropiane e çështjeve të brendshme, Cecilia Malmstrom. 

Duke folur në Parlamentin Evropian, Malmstrom bëri të ditur se Komisioni i ka arkorduar Greqisë rreth 310 milionë euro për përballimin e problemit të emigracionit klandestin, mirëpo autoritetet greke paraqesin vështirësi në absorbimin e këtyre fondeve. 

Komisionerja i cilësoi si të papranueshme kushtet e mbajtjes së klandestinëve në zonën Evros dhe shënoi se Greqia në çështjen e përballimit të emigracionit klandestin do të duhet të funksionojë mbi bazën e të drejtës ndërkombëtare dhe europiane. Ndërkaq, siç theksoi, përgjegjësinë kryesore për përballimin e situatës e ka Greqia dhe autoritetet greke. 

Duke folur në emër të Këshillit të BE, ministri danez i drejtësisë Morten Bodskov, tha se në Greqi ka një progres në çështjet e trajtimit të kërkesave për azil dhe e cilësoi si të mirëpritur lajmin për ndërtimin e një qendre të re pritjeje të emigrantëve klandestinë në Evros.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›