KE: Prishja e konsensusit, e papranueshme për demokracinë dhe për Evropën

Në nisje të punimeve të Komisionit për Reformën Zgjedhore, zv/presidenti i Këshillit të Evropës Jean-Claude Mignon ka paralajmëruar se ndërkombëtarët po harxhojnë shumë energji me ekstremistët e politikës shqiptare dhe se prishja e konsensusit do të ishte e papranueshme edhe për ta, por edhe për vetë demokracinë
Pas konsensusit të arritur për miratimin e ligjeve me 3/5-at, partitë politike do të nisin sot punën për realizimin e reformës zgjedhore. Në tryezën e parë të përbashkët, që do mbahet mesditën e sotme në Kryesinë e Kuvendit, Komisioni parlamentar për Reformën pritet të diskutojë ndërhyrjet në ligjin elektoral, ku në fokus do të jenë rekomandimet e OSBE–ODIHR-it. Komisioni i posaçëm, i cili do drejtohet nga Zëvendëspresidenti i Këshillit të Europës Jean-Claude Mignon, do të zhvillojë punimet për tre muaj, ku palët pritet të miratojnë në unanimitet ndryshimet e reja në Kodin aktual Zgjedhor. Menjëherë pas takimit të zhvilluar dje me kryeparlamentaren Topalli, Mignon u bëri thirrje palëve që të ruajnë konsensusin e arritur dhe të dalin me një draft që të jetë i pranueshëm nga të gjithë. “Këshilli i Europës së bashku me Asamblenë e KE-së kanë punuar për arritjen e një konsensusi mes palëve dhe prishja e marrëveshjes tani do të ishte e papranueshme për demokracinë. Këshilla ime për reformën zgjedhore është diskutimi, kjo është demokracia dhe parlamenti. Është e rëndësishme që nesër (sot) palët të arrijnë një draft të pranueshëm për të gjithë”, u shpreh Mignon. Tryeza e parë e komisionit të posaçëm me dy bashkëkryetarë për secilin kamp (Damian Gjiknuri nga e majta dhe Ilir Rusmali nga e djathta), të miratuar dy javë më parë në Kuvendin e Shqipërisë, pritet të shoqërohet nga diskutime të forta, ku çështja kryesore do të jetë ndryshimi i sistemit zgjedhor. Do të jetë pikërisht kjo çështje që do të vërë përballë presionit dy partitë e mëdha, PD-në e PS-në, ndaj aleatëve të tyre të vegjël, të cilët në mbledhjen e 21 nëntorit bënë dhe amendimet e tyre për këtë reformë, duke u kërkuar atyre ndryshimin e sistemit në proporcional-kombëtar. Nga ana e tyre palët kanë gati paketën e propozimeve, që do të nisë me amendimet e ndryshme të kuadrit ligjor për procesin zgjedhor, siç janë votimi familjar, votimi fiktiv, problemet me listat e zgjedhësve. Nga ana e saj PS-ja do të këmbëngulë në rekomandimet e OSBE–ODHIR-it për përmirësimin e administratës zgjedhore, jo vetëm të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, por dhe në administratën lokale.
...