E Diel, 1 Nëntor 2026

KE: Raporti i vitit 2011 për Kosovën nuk do jetë pozitiv

BRUKSEL- Përfaqësues të Komisionit Evropian paralajmëruan se, përkundër pritjeve, në Raportin e radhës të Progresit Raportit për Kosovën nuk do të figurojë shumë progres.

Autoritetet kosovare kanë shprehur bindjen se gjatë vitit të kaluar janë përmbushur një varg kriteresh për integrimin në Bashkimin Evropian dhe se është shënuar progres në disa fusha, të cilat u kritikuan në Raportin e fundit të Progresit të Komisionit Evropian për vendin.

Në fillim të takimit të dytë plenar për procesin e stabilizim-asociimit, i cili u mbajt në Prishtinë, kryeministri Hashim Thaçi tha se Qeveria e Kosovës është plotësisht e angazhuar në intensifikimin e dinamikës së procesit dhe shprehu bindjen se pjesë kontribuuese e këtij procesi është shtimi i dialogut teknik e politik me Komisionin Evropian.

Në kuadër të agjendës evropiane të vendit, siç tha ai Kosova ka vazhduar punën në fuqizimin e kornizës institucionale për koordinimin e procesit të integrimit evropian. Megjithatë,drejtori për Ballkanin Perëndimor në Departamentin për Zgjerim të Komisionit Evropian, Pierr Mirel tha se kriza politike e vitit të kaluar, e cila çoi vendin në zgjedhje të parakohshme, ka ndikuar në punën e institucioneve kosovare.

Mirel paralajmëroi se Raporti i Progresit i Komisionit Evropian për Kosovën, i vitit 2011, nuk do të jetë aq pozitiv sa është pritur.
(e.m/NEWS24/BalkanWeb)

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›