E Shtunë, 31 Tetor 2026

Periudha e ‘pleqërisë’ i troket edhe qeverisë

Shpeshherë është provuar dhe bërë e qartë se kudo në botë, shumë qeveri ndërrohen apo përmbysen jo thjesht për shkak të viteve që ato mbajnë mbi shpinë, as vetëm se tregohen të gatshme t’i nënshtrohen parimit të rrotacionit demokratik të pushtetit. Jo thjesht nga vdekja për shkaqe natyrore të kryetarëve të tyre, as vetëm nga prishja e ekuilibrave të brishtë politikë që i kanë ngritur dhe mbajtur në këmbë. Ajo që duket se karakterizon në këtë fushë epokën e sotme është efekti i rrezikut të sklerozës që ngërthen skeletin arkaik të çdo qeverie, qoftë kjo e krijuar prej një kohe të gjatë, qoftë edhe brenda periodicitetit të ligjshëm të zgjedhjes së saj.
Pa folur këtu për deformim të rezultatit të votimeve, që në termat përkatës krahasohet me ndërhyrje plastike apo me llangosje makiazhiste, në fund të fundit nuk ka qeveri imune ndaj konflikteve me zhvillimet e pandërprera, çka shkaktojnë indinjatë popullore, masivisht mosaprovim për ndryshimet e ngadalta, vendnumëro apo ndonjëherë edhe regresiste - produkte të mendjes së plakur dhe oreksit të trashur. Siç ndodh me shumë njerëz, që kur i kaplon periudha e pleqërisë harrojnë maturinë dhe kujtojnë veç vegjëlinë. Derisa, pasi lëshojnë grahmat e fundit, gjymtyrët më nuk i mbajnë dhe për ‘ta, veç pak të afërm zënë e qajnë. Shembull i freskët i një qeverie prej kohësh të veçuar nga populli e nga bota përmendet ajo e Mubarakut, i cili kur mbante fjalime që nuk kishin lidhje me atë çfarë ndodhte rrugëve dhe shesheve të vendit që drejtonte, nuk e zgjati shumë kohë fundin e tij. Ashtu sikurse pritet të ketë të njëjtin fat, madje edhe më të kobshëm, lideri ushtarak i Libisë.
Gjithashtu, nuk mbetet pa u dalluar në sfond të konflikteve popull–qeveri edhe prishja e ekosistemeve të privilegjeve, aleancave dhe ndërvarësive me aktorë të ndryshëm, duke krijuar përplasje të forta, që shpien rrëmbimthi drejt fundit të regjimit, sikurse ndodhi në Tunizi. Dhe, ndonëse në të kaluarën autokracitë rrallëherë kanë paguar shtrenjtë fajet e tyre, tani kur përsëri të gjalluara nga shërbëtorë që tundin kokën vetëm në shenjë miratimi, duke krijuar mjedis të përshtatshëm për t’u dyndur të metat, liderët e tyre detyrohen ndonjëherë të largohen, të arratisen apo të dorëhiqen, siç ngjau në Podgoricë një ditë përpara se Brukseli të shpallte Malin e Zi si vend kandidat zyrtar për anëtarësim në Bashkimin Europian. Madje, ndokujt prej këtyre liderëve, edhe pse pas dorëheqjes nga drejtimi i qeverisë vazhdojnë të jenë në krye ose të mbështeten nga një maxhorancë parlamentare, në vijim vendi u tregohet në qeli, ashtu si u rrëfye në Kroaci. Këta shembuj dhe të tjerë të rezultuar brenda 6 – 7 muajve të fundit, nuk ka dyshim që paraqesin atë të vërtetë, prej kohësh të pamohueshme, sipas së cilës, kur në një vend ‘pleqërisë’ së qeverisjes aktuale i vjen mortja rrezatohet në vende të tjera shpresa për zëvendësime legjitime dhe demokratike të regjimeve arkaike.
Në këtë tablo mesdhetaro-ballkanike, njolla të murrme bien në sy ku shtrihet Shqipëria; ku veprimi i kohës dhe nevoja e ndryshueshmërisë së gjërave ende tregojnë të kundërtën e asaj që duhet të ndodhë: me fat – fatkeqësinë, me dialog – monologun, me miqësi – sherrshamatanë, me kaltërsi – retë e zeza, me dashuri – urrejtjen, me mirëkuptim – hipokrizinë, me mirëbesim – tradhtinë. Dhe, më së shumti, Qeveria dhe njerëz vasalë të saj mbajnë si përfundimtare rrjedhën e lëngimit brenda vendit, që po pasuron edhe më shumë të pasurit sa gishtat e dorës, në shpinë të të varfërve sa fjollat e borës. Të këtyre që, sado dhe sido qofshin, tashmë kanë nisur të mos u mbetet mendja vetëm te efektet që i bëjnë të vuajnë, por edhe të kuptojnë shkaqet që pikërisht mbartin në vetvete bërthamën e shndërrimeve të ardhshme.
Ç’nuk u premtoi kryeministri shtetasve të këtij vendi, pasi shtypi me dhunën e plumbave demonstrimet paqësore të tyre? Do t’u dhuronte brenda vitit El Doradon e premtuar, do t’u rriste rrogat dhe pensionet si asnjëherë tjetër në historinë e këtij kombi, do t’ua bënte qytetet më turistiket europiane dhe komunat - kopsht me lule, do t’ua bënte Shqipërinë një “Zvicër me det” etj, etj. Pra, një furi e tërë me fytyrën që s’sheh asgjë tek bën sehir sesi gjithçka shumohet gjer në shkapërdredhje, sesi edhe puna shtohet në kulm për të të nxjerrë në rrugë të madhe, sesi rritet mbivlera në hava për të ta bërë përfundimisht të padurueshme urinë gërryese. Por, këtë furi premtimesh, që i frynte në vesh popullit vetëm shpresë, jo të shumtë mund ta besonin. Sepse, ajo ka qenë gjithnjë e pranishme edhe më parë, pa ia shtrirë dorën këtij apo atij ishte bërë zonjë e gjithçkaje. E gjithçkaje, që kishte marrë të tatëpjetën, në fillim pa u vënë re, pastaj shpejt e shpejt dhe me rrëmbim. Prandaj, përballë kësaj furie së fundmi populli në masë vuri votën që, edhe pse tërbimi ia flaku dhe ia shkapërdrodhi, ngjyrat e peizazhit politik ndryshuan e u theksuan edhe më shumë. Mirë, por ç’mund të mbetej nga gjithë kjo furi e zhdukjes?
Edhe pse Qeveria nuk e ka pranuar asnjëherë krizën ekonomike, përpos asaj politike dhe institucionale, buxheti i shtetit gjithnjë është korrektuar dhe manipuluar. Kështu ndodhi, me tregues akoma më të trishtë, edhe këtë vit, mu në mes të tij. 18.3 miliardë lekë më pak parashikon Qeveria të mbledhë deri në fund të dhjetorit nga Tatimi mbi Vlerën e Shtuar, nga akcizat dhe nga Tatimi mbi të Ardhurat Personale. Po sipas shifrave zyrtare që nuk u ka mbetur më vend të fshihen, buxheti për pagat është ulur në mbi një të katërtën e vet, çka do të thotë që tërë punonjësit e administratës publike nuk do të shijojnë rritje të pagës, por në rastin më të mirë do të njohin indeksion në bazë të normës së inflacionit. Në këto raporte zbresin edhe politikat e pensioneve. Pa u hedhur një sy të kujdesshëm Fondit për kompensimin e pronarëve, atij për të përndjekurit dhe Fondit të ndihmës ekonomike, efektet negative të mpakjes së të cilave shtohen dridhshëm edhe me heqjen e një vize të trashë kompensimit të energjisë elektrike. Prandaj, edhe INSTAT – i, i njohur si organ i urdhëruar dhe bindur i Qeverisë, për t’u bërë të paktën një herë disi i besueshëm në publikimet e veta detyrohet të paraqesë disa shifra, si ato për inflacionin etj, të cilat qoftë edhe të tkurrura i kapërcejnë limitet e pranuara dhe kanë prirje të ngjiten më lart në grafikët e tyre.
Në këto kushte, a mund të kenë vlerë, qoftë edhe propagandistike, kundërshtimet e Kryeministrit tonë ndaj rekomandimeve të Fondit Monetar Ndërkombëtar? A mund të amortizojë ai disi tronditjen popullore, kur thotë që do të rritë pagat e pensionet dhe nuk do të shtojë taksat e akcizat? Edhe kështu, ato nuk po mblidhen dot në masën e parashikuar. Edhe kështu, rritjet e pjesshme të pagave e pensioneve nuk do të mund të përballojnë rritjen e çmimeve dhe të inflacionit. Të shtohen vendet e punës me ndryshimin e modelit ekonomik, siç shprehet butësisht Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, kjo do të thotë që Qeveria nuk mund të investojë më për vepra publike, se arka e shtetit po prek dyshemenë e saj. Të pohosh që njerëzit tanë mund të mbahen me gajretin e borxheve të tjera miliardëshe, kjo nënkupton t’i bësh ata të qajnë dhe të qeshin njëherësh, duke shtuar edhe sallat apo hambarët e klinikave psikiatrike. T’i besosh Kryeministrit kur deklaron në mbledhje të Qeverisë, se marrëveshjet me FMN – në i kemi bërë jo për të ulur borxhin e jashtëm, por për të mos e rritur atë, kjo të bën të parashikosh përjetimin së shpejti të situatave edhe më të hidhura, se sa ato aktualet e Greqisë fqinje. Sepse, në kohë krizash politike, institucionale dhe ekonomike, të kërkosh të çminatosh karrigen personale të pushtetit, duke përdorur paratë e borxheve të njëpasnjëshme, nuk do të vonojë të shiten edhe ato pak pasuri që i kanë mbetur shtetit, të shiten madje në vlerat më qesharake.
Të gjitha këto të kujtojnë një nga dallimet më karakteristike midis të marrëve dhe të mençurve, dallim që është vënë re zakonisht në jetë dhe ndaj është përmendur prej kohësh shpesh herë: të parët, në shqyrtimin dhe vlerësimin e rreziqeve të mundshme përpunojnë atë që ka ndodhur tashmë në raste të tilla; të dytët përpiqen të parashohin atë që mund të ndodhë, duke iu referuar atij proverbit spanjoll, sipas të cilit, “lo que no acaece en un ano, acaece en un rato” (ajo që nuk ndodh në një vit, mund të ndodhë në një çast). Ndryshe nga këta të fundit, cilido mund të provojë që asnjë bankier apo asnjë fajdexhi nuk është më i pamëshirshëm sesa koha, e cila duke u lënë ose duke u detyruar të të japë hua, kamata gjithnjë e më të larta do të të kërkojë. Pra, për të mos ndodhur kjo, pjesa thelbësore që u takon politikanëve dhe gjithë shoqërisë civile në një periudhë afatshkurtër ka të bëjë me përgatitjen e fillimit të një shndërrimi të efektshëm, nëpërmjet mbajtjes së zgjedhjeve të tjera, të lira dhe të ndershme, me dialog konsensual apo konfliktual. Pas gjithçkaje që ka ndodhur, duke mbetur plot aktorë vendas dhe ndërkombëtarë të befasuar e të zhgënjyer prej një testi që nuk funksionoi, shumëkush prej tyre përmend mundësinë e një procesi elektoral të ri. Ama, askush nuk po kujtohet të shtojë që zgjedhjet e përgjithshme duhet të zhvillohen medoemos pas dy vjetësh. Ndoshta edhe më parë, sepse mbase edhe koha është inatosur me ne.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›