KE: Shqipëria ka bërë progres të dukshëm

Këshilli i Europës ka nxjerrë disa konkluzione mbi strategjinë e zgjerimit të Bashkimit Europian. Konkluzionet e këtij këshilli kanë lidhje për shtetet e Ballkanit Perëndimor, si dhe Turqinë e Islandën. Këshilli i Europës përshëndet progresin e arritur në disa fusha në Shqipëri, në veçanti për realizimin e reformës zgjedhore dhe nisjen e implementimit të Marrëveshjes së Stabilizim-Asocimit. Në konkluzione thuhet se zgjedhjet parlamentare plotësuan shumicën e standardeve, por sipas tyre, mbeten akoma disa parregullsi që duhet të eleminohen. Forcimi i sundimit të ligjit dhe veçanërisht lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, gjithashtu edhe forcimi i institucioneve të shtetit, veçanërisht pavarësia e sistemit gjyqësor, mbeten sfidat më urgjente për Shqipërinë. Sipas raportit, duhen bërë më shumë përpjekje për përmirësimin e lirisë së medias. Këshilli i Europës vëren se Shqipëria ka bërë progres në përmbushjen e fazës dialogut për liberalizimin e vizave. Këshilli inkurajon Shqipërinë në vazhdimin e rolit konstruktiv për stabilitetin e rajonit. Ai gjithashtu iu bën thirrje partive politike në Shqipëri që të nisin një dialog politik konstruktiv, në parlament. Ndërkohë që për Kosovën, Këshilli vëren se është ruajtur stabiliteti në vend, por gjithësesi, situata mbetet shumë e brishtë. Këshilli përshëndet mbajtjen e zgjedhjeve lokale të qeta dhe të rregullta dhe nënvizon se sfida të mëdha mbeten përpara për këtë vend. Këto sfida përfshijnë sundimin e ligjit, luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, forcimin e kapaciteteve administrative, mbrojtjen e minoriteteve serbe dhe atyre të tjera, mbrojtjen e trashëgimisë kulturore e fetare dhe nxitjen e dialogut e paqes mes komuniteteve.